A jemi gati t‘ia lëmë Chat GPT-së planifikimin e pushimeve tona?

Sot mendova të bëj një eksperiment të vogël: Lejova ChatGPT të planifikojë pushimet e mia dhe ja çfarë më ndodhi...

Chat GPT

Me siguri keni dëgjuar për Chat GPT. Ky mjet i inteligjencës artificiale duket se do të revolucionarizojë punët që bëjmë dhe mënyrën se si punojmë. Na është dhënë në duar një mjet shumë i rëndësishëm, të cilin duhet të dimë se si ta përdorim. Historia natyrore, që nga koha e dinosaurëve ka treguar se, përshtatja me ndryshimet, na shpëton nga humbja.

Por çfarë ndodh kur bëhet fjalë për gjërat argëtuese? Si për shembull..udhëtimi!

Kishim parë tashmë se ky aplikacion mund t’ju ndihmojë me gjithçka, nga shkrimet e artikujve deri te planifikimi i udhëtimit. Kështu që ne, te Ema’s Light, vendosëm ta vëmë në provë.

I kërkuam Chat GPT të planifikonte një udhëtim dy-javor, pa shpenzime të specifikuara, nëpër Evropë. Ja çfarë doli: sugjerime vendesh me specifika qytetesh për të vizituar. Në rast se do të bëhesha më koncize, si psh të kërkoja: “Dua të kaloj pushimet verore në Itali. Jemi 4 persona në familje, fëmijët në moshën 7 dhe 3 vjeç. Buxheti ynë është 2,000 euro. Çfarë më sugjeron të bëj?” atëherë sugjerimi nga ana tjetër e ekranit do të ishte edhe më specifik. Dhe kështu përgjigjet vijojnë edhe për pyetje më të detajuara si: cili hotel është më i mirë, ku më volit të qëndroj, a ka rrezik ky vend, ku kushton të qëndrosh më lirë etj. Thënë kjo, ‘fuqia’ që na është dhënë në duar nga Chat GPT nuk duhet lënë pa shfrytëzuar edhe nga industria e turizmit. Po si mund të bëhet kjo?

A do të ndryshojë mendësia e agjencive turistike?

Agjencitë e udhëtimit kudo në botë po përqafojnë trendet teknologjike. Raportohet se Booking.com ka përdorur Inteligjencën Artificiale për më shumë se një dekadë. Kjo përfshin rekomandime të personalizuara për udhëtime dhe përkthim me ‘machine learning’ në më shumë se 40 gjuhë dhe dialekte. Dhe këtë muaj, gjiganti i udhëtimeve në internet Expedia filloi testimin e një përvoje të re të planifikimit të udhëtimit brenda aplikacionit të mundësuar nga ChatGPT. Ekziston gjithashtu GuideGeek, një asistent i ri udhëtimi me fuqi ChatGPT nga Rrjeti Matador që ofron këshilla udhëtimi dhe të dhëna të drejtpërdrejta për fluturimet dhe pushimet me qira dhe është i aksesueshëm përmes WhatsApp (dhe së shpejti, Instagram).

Po në Shqipëri a mund të përqafohet ky trend? Në kohën e zhvillimit të vrullshëm teknologjik, të individëve Millenians por sidomos Gen Z, që gjithnjë e më shumë janë të lidhur me pajisjet e tyre teknologike, koncepti i këshillimit me një agjenci turistike është në fashitje. Pse? Sepse aplikacionet e fluturimeve, hoteleve dhe të tjera si këto, plus pajisja e gjerë me karta krediti (brezi i mëparshëm nuk i posedon) e ka bërë më të lehtë planifikimin e pushimeve. Kështu, këshillimi profesional i agjencive turistike do të jetë në trend rënës. Në këtë rast, vlen shprehja: Inovohu ose vdis! Duke pasur parasysh mundësitë kaq të mëdha me ndihmën që jep për planifikimin e udhëtimit, kompanitë e udhëtimit  në Shqipëri duhet ta shohin si potencial të madh Inteligjencën Artificiale, për të rritur dhe përmirësuar ndërveprimet e konsumatorëve dhe përvojat e udhëtimit.

Si mund të përdoret Chat GPT në turizëm?

Aktualisht, një nga përfitimet më të mëdha që ChatGPT ka për udhëtimin është në lidhje me planifikimin e udhëtimit. Çdo individ mund të krijojë një llogari ChatGPT (në chat.openai.com) dhe të fillojë të bisedojë me platformën rreth vendeve për të shkuar, ku të qëndrojë, si të lëvizë dhe çfarë të shohë e të bëjë (si shembulli i marrë më lart i ilustruar me foto). Me fjalë të tjera, ju mund të përdorni ChatGPT si një formë frymëzimi udhëtimi dhe për njohuritë e planifikimit të udhëtimit.

Sa më specifik të jeni me kërkesat, aq më të mira bëhen rezultatet. Për shembull, kur pyet ChatGPT se ku të shkoj për një udhëtim të qetë dhe pa telefon, ai ofron sugjerime relativisht të përgjithshme, duke përfshirë Balin, Indonezinë; Tulumin apo Meksikën. Por kur pyet edhe më specifikisht për një destinacion që ka sa më pak vizitorë në vit, ai sugjeron Dharamsala, Indi, një qytet i vendosur në rrëzë të Himalajeve.

Por, diçka duhet konsideruar: Përveç aftësive më të avancuara të planifikimit dhe rezervimit të udhëtimit, ka disa pyetje themelore në lidhje me teknologjinë dhe efektet që mund të ketë në modelet e udhëtimit që mbeten pa përgjigje.

Sipas ekspertëve botërore, të dhënat e ChatGPT nuk janë të përcaktuara qartë, që do të thotë se informacioni që ofron ka potencial për t’u manipuluar. Nëse nuk vendosen themelet e duhur, përgjigjet mund të ndikohen shumë nga aktorët që mendojnë se mund të manipulojnë  sistemin, si dikur ndodhi me fushatat e marketingut në motorë të ndryshëm të kërkimit.

Nga ana tjetër, a mendoni se inteligjenca artificiale do të jetë në gjendje të ndihmojë me përjetime reale? A do të mundë ChatGPT të parashikojë se në fakt ajo distanca e vogël, sugjeruar si më e volitshmja për në hotel, ka një rrugicë me disa shkallë, e vështirë të aksesohet nga karroca e bebit tuaj? Si i rendit ChatGPT hotelet më të mira apo restorantet më të mira për shijen tuaj specifike? A do të mundë bashkëbisedimi me një robot, t’i japë përgjigje çdo nevoje tonën mbi udhëtimet? Për këtë presim komentet tuaja në këtë shkrim apo në faqen tonë të Instagramit…