Serendipity / Serendeville / Review

Shkrim i muajit shtator 2021

Nëse më shkon mendja për ushqim jo të shëndetshëm, rrjeti i këtyre restoranteve është ndër të parët që mendoj. Suksesi i Serendipity (nga ku pasoi Serendiville tek Kompleksi Dinamo dhe Spaghetti Western në bllok), nuk ishte i rastësishëm. Për herë të parë në Shqipëri u ofrua një kuzhinë Tex-Mex, një ndërthurje meksikane dhe amerikane (karakteristike për rajonet kufitare të Teksasit dhe Meksikës).

Personalisht kuzhinën meksikane nuk e njoh, e kam hasur sporadikisht përgjatë udhëtimeve jashtë vendit, por arrij të kuptoj se këto restorante kanë pa diskutim një përshtatje lokale të shijeve dhe përbërësve.

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Arsyeja pse ky rrjet restorantesh mori vëmendjen time (e quaj të tillë për nga koncepti sepse në dijeninë time nuk funksionojnë si rrjet por si biznese totalisht të ndara), është se gradualisht vërej një rënie në cilësinë e gatimit.

Nëse do të filloja me menunë për të cilën menaxhimi i restoranteve krenohet për shumëllojshmërinë që ofron, do të thoja se aftësia për të ofruar cilësi e për ti kushtuar vëmendje një pjate, humbet në tërësinë e një liste tejet të gjatë (ndonjëherë me humor pak qesharak). E panevojshme të them që menusë i duhet një përditësim.

Gatimet që porosis më shpesh janë:

Byreçka “Santa Fe” (550L), të cilat mbushen me gjoks pule, spinaq, fasule dhe djathë. Në të dyja restorantet që vizitova këtë verë, vura re një mish pule shumë të fortë dhe hasa vështirësi reale në përtypje. Edhe salcën e tyre pikante-të ëmbël e gjej gjithmonë e më të hollë paçka se më shijon.

– Kesadija me pulë (350L) – tortilla vjen në disa variante në fakt, me mbushje të ndryshme ku guacamole i jep shijen e spikatur. Këtë pjatë e kam shijuar dhe salca shoqëruese e kosit i përshtatet shumë.

Lexoni më shumë:

– Jumbo Combo (1,600L) – ka një miksim produktesh: byreçka, krahë pule, kotoleta pule, patate furre të mbushura, onion rings (rrathë qepe). Është një zgjedhje praktike edhe kur kam miq dhe porosis në shtëpi. Herët e fundit sërish pulën e kam gjetur aspak të butë si edhe tek Serendiville vaji i skuqjes ishte ri-përdorur aq shumë sa kish nxirë çdo asortiment të pjatës (siç duket edhe në foto).