A e dini sa para shpenzuan shqiptarët për udhëtime në vitin 2022?

Sipas të dhënave të vitit të shkuar të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e të huajve për turizëm në Shqipëri arritën 2.84 miliardë euro. Por, edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit arritën rekord të ri. A arrini ta hamendësoni dot…?

Duket se pandemia dhe mungesa e lëvizjes, por dhe faktorë të tjerë si ulja e çmimeve të biletave, ka ndikuar në një boom lëvizjesh nga shqiptarët jashtë, si rezultat edhe shpenzimet e tyre për turizëm kanë qenë të larta.

Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e tyre në udhëtimet jashtë vendit për vitin e shkuar arritën në 1.77 miliardë euro, duke shënuar sërish një rekord, që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat.

Lehtësimi i kufizimeve nga pandemia nxiti udhëtimet jashtë vendit. Dëshira për të pushuar, vizituar vende të reja, kapja e ofertave turistike apo edhe biletave individuale, të gjitha këto u bënë bashkë në konglomeratin e arsyeve që shqiptarët ‘lëshuan’ dorën jashtë trojeve tona.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2022 është 5,882,007 duke u rritur 40.4%, krahasuar me vitin e mëparshëm.

Të huajt shpenzuan 2.8 miliardë euro në vend

Turizmi gjeneron të ardhura dhe krijon mundësi për vende pune, si dhe tregje shitjesh për shërbime dhe produkte vendore. Nuk është e nevojshme të përsëritet se çfarë do të thotë kjo për ekonominë e një vendi. Të ardhurat nga turizmi mund të përdoren për të zgjeruar transportin, energjinë dhe infrastrukturën tjetër të rëndësishme, si dhe për menaxhimin e mbetjeve dhe të tjera investime për vendin pritës. E gjitha kjo përkthehet në mirëqenie më të madhe për vendin dhe është pikërisht kjo ajo çfarë duam për vendin tonë, sidomos me valën e emigracionit që ka mbërthyer të rinjtë vitet e fundit. Për të dhënë një panoramë se sa ndikim ka turizmi si kapital ekonomik, ju sjellim një të dhënë: shpenzimet e të huajve në vendin tonë përgjatë të gjithë vitit 2022 ishin plot 2.84 miliardë euro.

Që prej disa vitesh Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, duke nxitur dhe investimet e hoteleve, që për herë të parë zbatuan disa vjet më parë praktikën e paketave gjithëpërfshirëse, teksa u lidhën me agjenci të njohura të turizmit.

Fluksi kryesor i turistëve që prenotojnë në hotele erdhi nga Evropa e Lindjes, si Polonia, Çekia, vendet nordike, Gjermania etj. Edhe për italianët Shqipëria u kthye në një vend të preferuar.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë së në vitin 2022 hyrjet e të huajve arritën një rekord prej 7.5 milionë shtetasish, me një rritje prej 32.6% në krahasim me vitin 2021, dhe 17% më shumë sesa në vitin 2019, që deri më tani kishte qenë viti më i mirë turistik.

Më pas pandemia i dha një goditje të shpejtë këtij sektori në 2020-ën, por rimëkëmbja ishte e shpejtë në 2021-shin dhe kulmoi në 2022- shin.

Kjo reflektohet dhe në rritjen e të shpenzimeve të të huajve në Shqipëri me 36.3%, në krahasim me vitin 2019, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.