Shqipëria ka qenë temë ‘e nxehtë’ në shumë artikujt mediash të famshme ndërkombëtare. Vendi ynë i vogël juglindor i Ballkanit është bërë viral në TikTok falë shumë influencuesve që e kanë promovuar atë. Bukuria e këtij vendi nuk ka kaluar pa u parë nga disa prej revistave më prestigjioze. Interesimi më i fundit duket se vjen nga Australia e largët.
Intrepid Travel ka bashkëpunuar me MEET Network për të krijuar një ekspeditë të re 9-ditore në të gjithë Shqipërinë, duke eksploruar pjesë të vendit të vizituara rrallë nga turistët. Ky është udhëtimi i parë i pavarur australian në Shqipëri, që niset për herë të parë në shtator 2023.
Shqipëria është rritur në popullaritet vitet e fundit, falë peizazheve mahnitëse dhe të larmishme të maleve dhe vijave bregdetare, së bashku me kulturën e saj magjepsëse. E përshkruar nga bordi i saj i turizmit si “guri i fundit i pandryshuar i Evropës”, Shqipëria po fokusohet në udhëtimet alternative, duke promovuar agroturizmin dhe ekoturizmin – në vend të paketave të pushimeve në plazh – duke inkurajuar vizitorët të zhyten në natyrë dhe të takojnë komunitetet lokale për të pasur një përvojë më autentike.
Sipas të dhënave të marra nga agjencia australiane, axhenda e udhëtimit do të nisë në kryeqytetin Tiranë, më pas drejtohet në veri drejt rajonit mahnitës malor dhe liqenor të liqenit të Komanit për të ecur përgjatë lumit të Shalës. Turi më pas niset në bregdet drejt peizazheve të mrekullueshme të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe Gjirit të Vlorës për një vëzhgim të shpendëve dhe eksperienca artizanale lokale. Turneu përfshin një vizitë në Berat, i njohur gjithashtu si “qyteti i një mbi një dritareve”.
Natyra, historia dhe tradita shqiptare, të cilat shpesh përmenden si sekreti i fundit i fshehur i Evropës, duket se u ofrojnë vizitorëve magjinë e një toke të fshehtë të paeksploruar dhe madhështore. Por, sa gati jemi ne për çdo tipologji vizitorësh që po arrijnë të depërtojnë në trojet tona? Sa e përgatitur do të jetë Shqpëria për turet e para nga Australia, një vend ky që aksesin për në tokën e shqiponjave nuk e ka të lehtë dhe jo me pak kosto. Çfarë do të duhet të përgatisim në pararojë për grupet e para në shtator që do të pasohen nga shumë të tjera?
Ekspertët e fushës së turizmit, të pyetur nga editorët e Ema’s Light, pohojnë se kryefjala për menaxhimin e mirë të sezonit veror është infrastruktura, pastrimi dhe zbatimi i standardeve në akomodim e shërbim.