Pritshmëria optimiste për turizmin këtë vit duket se është materializuar që në muajt e parë të vitit. Në një përllogaritje të realizuar me tre publikimet e para të INSTAT, përkatësisht për muajt janar, shkurt dhe mars (të dhënat e muajit prill nuk janë publikuar ende), rezulton se, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në vendin tonë arrijnë shifrën e 2,375,341. Kjo shifër është në rritje të vazhdueshme, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kujtojmë: Turizmi mund të japë një kontribut të rëndësishëm në tre dimensione të zhvillimit të qëndrueshëm: të krijojë vende pune, të gjenerojë mundësi tregtare për të njohur nevojat dhe për të mbështetur aktivitete turizmi, të krijojë kapacitetet të rëndësishme të cilat promovojnë përparësitë për ruajtjen mjedisore dhe larminë kulturore. Sa pritshmëri kemi për turizmin e këtij viti dhe a do të arrijmë “rrëzojmë” shifrat e vitit 2019, që rezulton si më pozitivi, ende pa u prekur vendi nga pandemia?
Në detaje të shifrave, raportet e INSTAT tregojnë si më poshtë:
– Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Janar 2023, janë 833.450. Ky tregues rezulton me një rritje 83,6%, krahasuar me Janar 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Janar 2023, janë 954,933, duke shënuar një rritje me 57,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
– Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shkurt 2023, janë 695,246. Ky tregues rezulton me një rritje 51,5%, krahasuar me Shkurt 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shkurt 2023, janë 693,021, duke shënuar një rritje me 40,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
– Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Mars 2023, janë 846.645. Ky tregues rezulton me një rritje 33,8%, krahasuar me Mars 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Mars 2023, janë 842,428, duke shënuar një rritje me 22,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ne, në hapësirën Ema’s Light, do t’i rikthehemi vazhdimisht shifrave dhe raporteve të INSTAT për turizmin, pasi hedhja dritë mbi kërkesën dhe ofertën e turizmit, sot konsiderohet si vendimtare për t’u mundësuar vendimmarrësve të vlerësojnë dhe përmirësojnë këtë sektor të rëndësishëm ekonomik.
Burimi: www.instat.gov.al, përpunim dhe përshtatje nga stafi i Ema’s Light.