Sipas pritshmërive dhe komunikimeve të Ministrisë së Turizmit, nuk do të ketë më turbulenca përpara sezonit veror: të gjithë do të dinë se ku e kanë lejen e tyre të shfrytëzimit. Po ashtu të gjithë autoritetet shtetërore, përfshirë menaxhimin e brendshëm në bashkitë bregdetare, kanë udhëzime të hershme për mënyrën se si do të rakordojnë planet për investimet e fundit infrastrukturore, pastrimin dhe ndotjen akustike.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro bëri me dije se të dhënat e tre muajve të parë të këtij viti tregojnë për një rritje prej 59% të vizitorëve të huaj krahasuar me vitin e kaluar.
Këto shifra paralajmërojnë për një fluks turistësh gjatë pikut të verës dhe të gjithë ne presim të dimë me detaje se si do të realizohet menaxhimi i sezonit veror këtë vit.
Nga ministria bëhet me dije se janë mbyllur aplikimet për menaxhimin e parcelave të plazheve, por ende nuk janë mbyllur kontratat, ndonëse jemi në muajin maj.
Nga data 28 janar është bërë aktiv në E-Albania aplikimi për stacionet e plazheve që do të menaxhohen nga subjektet private. Të gjithë ata që duan të marrin parcela plazhi në menaxhim, patën 30 ditë kohë për të aplikuar, afat që siguron një proces transparent dhe të pakontestueshëm, me qëllim që në 1 qershor gjithçka të jetë gati për hapjen zyrtare të sezonit turistik.
Certifikimi i operatorëve detarë
Nga të dhënat e ofruara në ministri, dy aplikime shumë të rëndësishme janë në proces. E para lidhet me çertifikimin e operatorëve turistikë detarë. Të gjitha subjektet që ofrojnë atraksione lundrimi, që nga: skafet, motorët e ujit, apo çdo mjet që lidhet me sportet ujore, duhet të certifikohet, pasi në të kundërt nuk do të lejohet nga Policia e Kufirit të ushtrojë veprimtarinë. Sipas Ministrisë së Turizmit, këtë vit çertifikimi do të jetë më rigoroz dhe i kontrolluar.
Nga ana tjetër, vijojnë të jenë të hapura aplikimet pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për stacionet sezonale të ankorim/bregëzimit. Ministria e Turizmit ka përcaktuar pikat e mundshme në çdo bashki bregujore, me qëllim që çdo mjet detar turistik ta ketë të përcaktuar korridorin e lëvizjes dhe vendin e qëndrimit.
Po të hedhim një sy në statistikat e ofruara në website, vetëm në tre muajt e parë të vitit 2023 kanë aplikuar 12 subjekte për t’u pajisur me certifikatën e operatorit të turizmit detar, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2022 ka pasur vetëm 10 aplikime.
Kush do të menaxhojë pastrimin?
Edhe këtë vit, sikurse praktika e vitit të shkuar, do të jenë gjashtë bashki që do të mbështeten me operator shtesë pastrimi për vijën bregdetare, ku Durrësit, Kavajës, Sarandës, Himarës i shtohen edhe Vlora e Rrogozhina. Ndërkohë që planet tregojnë se Task Forca e shtetit do të vijojë udhëzimin për detyrimin që kanë subjektet të cilat menaxhojnë parcelat e plazheve për kontraktimin e vrojtuesve.
Edhe menaxhimi i ndotjes akustike nuk është lënë në harresë, ndonëse pr.ligji i ri nuk është votuar ende në Kuvend. Bëhet me dije se ministria ka kërkuar bashkëpunimin dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve, duke nisur nga bashkitë, te Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Autoriteti i Kontrollit Ushqimor e më gjerë.
Jugu i Shqipërisë
Nga të dhënat paraprake të marra nga Task Forca shtetërore, janë dhënë udhëzimet për stafin e brendshëm të Bashkive në bregdet, sidomos në jugun e vendit, si edhe udhëzimet e ditëve të fundit për disiplinimin e zhurmave në sezon, investimet parësore në shëtitore dhe aksesimi këtë verë i aksit alternativ të rrugës për në Ksamil, pa hyrë në Sarandë. Paralelisht, sipas planit, po hidhen hapa të rëndësishëm në mirëmenaxhimin e grumbullimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane, menaxhimin e plazheve të kontraktuara, si dhe të atyre pa pagesë për turistët.