Si mund të kursejmë teksa udhëtojmë ose planifikojmë një udhëtim?

Një guidë e thjeshtë me disa lëvizje të zgjuara se si mund të kursejmë kur udhëtojmë. Unë i kam bërë disa ‘gabime’, ndaj po ua shkruaj që të mos i bëni edhe ju...

Pavarësisht frymëzimit të brendshëm që ne të apasionuarit pas udhëtimeve, e kemi në doza të larta, të gjithë e dimë se të udhëtuarit nuk lë pas veç kujtime të bukura pas një aparati, por lë edhe disa fatura (ndonjëherë të majme) shpenzimesh. Na ka ndodhur të gjithëve të jemi në pritje të atij çastit të duhur: të momentit që do të fitonim më shumë të ardhura, apo të sfidës për të kursyer më shumë me qëllim të udhëtojmë ku dëshirojmë…

Por, vetëm për t’ju ndihmuar, ne jemi këtu me këshillat tona, për një ‘hackim buxheti’ për udhëtarë si ju, që nuk dëshironi të frenoni dëshirën tuaj për të eksploruar botën…

Nëpërmjet këtyre këshillave të testuara dhe të jetuara të udhëtimit, mund të përfitoni sa më shumë nga pushimet në Evropë me çmime të përballueshme:

Udhëtoni jashtë pik-ut të sezonit turistik

Evropa në verë është më e shtrenjtë dhe gjithashtu, e mbushur me turistë. Në rast se do të dëshironi të bëni një foto në Fontana di Trevi, e sigurt që as në orët e para të mëngjesit s’do të arrini të bëni fotot vetëm. Sipas ekspertëve të udhëtimeve por edhe eksperiencës së ofruar nga stafi i Ema’s Light, maji dhe shtatori janë ndër muajtë më të mirë për të planifikuar udhëtimin tuaj në disa nga destinacionet më të kërkuara të Evropës. Fëmijët janë në shkollë dhe ka pak turma. Veç kësaj, moti është më i përshtatshëm. Për më tepër, biletat e linjës ajrore janë më të lira jashtë sezonit dhe për hotelet mund të gjenden zbritje deri në 40 për qind, se sa në një periudhë si qershor-gushti apo dhjetor-janari.

Rezervoni herët biletat tuaja

Është fakt që rezervimi i biletave të fluturimit disa muaj paraprakisht mund t’ju ndihmojë të kurseni shumë në udhëtim. Megjithatë, vitet e fundit në disa nga linjat ajrore, praktika ka treguar që mund të gjenden oferta të mira edhe ‘last minute’. Megjithatë, planifikimi paraprak është metoda tradicionale që ju ndihmon të gjeni oferta të mira. Në rast se hyni në hapësirën edreams, keni mundësi që të shikoni cilat janë datat në muaj të caktuar që fluturimi juaj të jetë sa më ekonomik. Ngjashëm edhe në website specifike të fluturimit si Wizz Air, AirAlbania etj. Gjithashtu, sigurohuni që të krahasoni tarifat përpara se të rezervoni, në raste se gjeni fluturime me disa ndalesa, jo direkte.

Fokusi i duhur

Evropa ofron mundësi të pafundme: ka kaq shumë qytete mbresëlënëse. Pra, është shumë e rëndësishme që t’i kushtoni një fokus udhëtimit tuaj dhe t’i përmbaheni vendit ku dëshironi të shkoni. Më kujtohet në udhëtimin tim të fundit në Rivierën Franceze, që e kisha planifikuar mirë se cilat qytete do të vizitoja, veç Nisës ku kisha akomodimin dhe e bëra sipas ditëve që po qëndroja. Për shembull, po qëndroja 5 ditë dhe vizitova: Monaco, Eze, Antibes dhe Cannes. Eksperienca e një shoqeje më ndihmoi që të isha modeste në kërkesat e mia: ajo i shtoi kësaj liste edhe 3 qytete të tjera më të largëta dhe kuptoi në fund të udhëtimit që…kur përpiqeni të mbuloni çdo vend, mbeten pa parë ato kryesoret. Fokusi i duhur do t’ju vlejë gjithashtu të kurseni orë të tëra qëndrimi në transport, si edhe kosto të pa-planifikuara kur udhëtoni larg.

Blini një Kartë Transporti Gjithëpërfshirës në qytet

Çdo qytet i madh Evropian ofron një kartë të veçantë udhëtimi për turistët, që përfshin zbritje ose hyrje falas për muzetë, atraksionet, turnetë, transportin publik dhe vende të shumta në rajon. Për të kuptuar se cila ia vlen saktësisht monetarisht, është shumë e rëndësishme të bëni kërkimin tuaj paraprakisht, pasi mund të ekzistojë mundësia ku mund të shpenzoni më shumë duke mos e shfrytëzuar plotësisht. Në një eksperiencë personale, u informova që karta 3, 6 ose 9 ditore në Barcelonë më kursente 70% të kostos së marrjes së linjave të udhëtimit një nga një. Një kartë e tillë përfshinte të gjitha format e transportit publik të qytetit si dhe më ofroi ulje në vizita në disa Muze.

Diçka tjetër që duhet të konsideroni: Metrot, autobusët dhe tramvajet janë mënyrat më të lira të transportit në Evropë. Mundohuni të kurseni duke mos përdorur taksitë, sidoqoftë nëse ju duhet patjetër një taksi, konsideroni aplikacionin Uber apo ndonjë aplikacion specifik vendas.

Zgjidhni një plan roaming me kujdes

Në Evropë, roaming mund të jetë mjaft i shtrenjtë. Megjithatë, Vodafone ka disa paketa që ofrojnë SMS, MB interneti dhe minuta telefonatash për një çmim fiks mjaft të volitshëm. Në momentin e këtij shkrimi, ne përdorim paketën Travel Pack që kushton 1,600 Lekë dhe përmban mjaftueshëm MB për 10 ditë. Duhet të keni kujdes të shihni ofruesin e shërbimit i cili duhet të ketë partneritetin me rrjetin që ju vetë përdorni në telefonin tuaj, në të kundërt mund aplikohen tarifa shumë të larta. Për këtë ju rekomandojmë të bëni përzgjedhje manuale dhe jo automatike.

Gjithashtu, qytetet kryesore kanë një shtrirje të madhe të përdorimit të Wi-Fi si në sheshe publike, ashtu edhe në ambiente private si hotele, kafene, restorante, të cilat mund t’i përdorni pa pagesë.

Si të kurseni me hotelin

Zgjedhja e një hoteli afër atraksioneve turistike ose pjesës qendrore të një qyteti mund të jetë dukshëm më e shtrenjtë, kështu që këshillohet shumë që të rezervoni më në periferi POR, jo në vende aq të largëta sa do t’ju kushtojnë një djall e gjysmë për të vizituar pikat kryesore.

Pra, studioni qytetin ku po udhëtoni që të gjeni një ofertë hoteli të mirë, të pozicionuar në një lidhje të mirë me qendrën. Për shembull, një hotel në qendër të Lisbonës është shumë i shtrenjtë, por një tjetër ngjitur me stacionin qendror të Metrosë, është në çmim të volitshëm dhe në një pozicion të mirë për të lëvizur lirshëm dhe lirë.

“Pro Tip”: Sigurohuni që hoteli të jetë pranë një stacioni metroje, në këtë mënyrë sado larg të jetë ai, në qytete të zhvilluara transporti nuk do të jetë aspak problem. Më besoni, pasi ke ecur për shumë kilometra me ngazëllimin për të eksplouar qytetin, ato minutat e largësisë nga stacioni për në hotel, duken të pafundme.

Në disa raste këshillohet marrja me qira e një apartamenti (Airbnb ose shtëpi familjare), nëse po udhëtoni me një grup ose familje. Ju do të keni një hapësirë më të madhe dhe pajisje kuzhine të cilat mund t’ju shpëtojnë nga shpenzimet e shumta për ushqimet e restoranteve të shtrenjta.

Për turistët që udhëtojnë vetëm, sidomos për shpirtrat aventuresk, prenotimi i hostel-eve ia vlen nga ana monetare, pasi çmimet e tyre zakonisht janë 60% më lirë se sa një dhomë hoteli. Çdo hostel ka gjithashtu dhoma dyshe private për çift, të cilat padyshim do të jenë shumë më të lira se dhomat e hotelit.

Si të kurseni me ushqimin

Shpesh zgjidhja është më e lehtë se sa mendoni. Për këtë ju vjen në ndihmë rregulli 2:1, dy vakte mund t’i konsumoni me artikuj ushqimorë që i blini në supermarkete ose take-away, një vakt në restorante apo fast-food të një kategorie të caktuar.

Sekreti qëndron te ‘mini-vaktet’ tuaja apo ato që i quajmë snack. Sidomos n.q.s. udhëtojmë më fëmijë, një xhiro në supermarketin më të afërt të qytetit ku po qëndroni, do t’ju ndihmojë të kurseni shumë para. Një tjetër këshillë qe jemi te bindur do t’ju vlejë është aplikacioni “The Fork”, rezervimi nëpërmjet të cilit mund t’ju ofrojë ulje në restorante deri në 50% të faturës. The Fork nuk operon në çdo shtet dhe kushtet e ofertave variojnë nga restoranti specifik. Kënaqësia që provon në momentin e faturës finale teksa sheh që është aplikuar një zbritje e mirë, është e testuar 🙂

Gjithashtu, këshillohet që të vëzhgoni vendet ku ofrohen bufetë me çmime shumë të zbritura gjatë ditëve të caktuara të javës. Në rast se buxheti juaj në udhëtim është shumë ekonomik, atëherë anashkaloni restorantet dhe kërkoni vende ku shihni shumë vendas, si psh Mercado de La Boqueria në Barcelonë ofron vakte 50% më të lira se i njëjti ushqim në restorant.

Një tjetër sekret: Kur uleni në një restorant, kontrolloni fillimisht për të parë nëse një tarifë shërbimi është shtuar tashmë në faturën tuaj; nëse po, atëherë nuk është e nevojshme të lini asgjë shtesë. Në një restorant në Firenze, në një tavolinë prej 4 personash, ishte shtuar një tarifë prej 12 euro për shërbimin, të cilën e pash tepër vonë: tashmë kisha lënë një bakshish të mirë. Vëzhgimi me kujdes do të më kursente para.

Një tjetër sekret: Në rast se jeni adhurues i verërave, në cilindo qytet te jeni, porosisni verën e shtëpisë për të kursyer para dhe jo produkte importi. Ose, merrni një shishe në dyqanin vendas të pijeve dhe shijojeni në dhomën tuaj.

Si të kurseni me shopping-un

Blerjet në shtete që nuk kemi shkelur ndonjëherë, mund të jenë një bekim, por edhe e kundërta, kështu që rregulli themelor për të blerë është të eksploroni tregjet vendase në vend të atyre turistike. Për shembull: Në Stamboll ka dyqane apo tregje në lagje dytësore si Laleli ose Mustafa Kemal Paşa të cilat ofrojnë mundësi për blerje shumë ekonomike krahasuar me dyqanet në Taksim ose rrotull Xhamisë Blu.

Për ata që duan të blejnë suvenire të veçanta si magnete, varëse çelësash, sende dekorative dhe gjëra të tjera, mund t’i marrin lehtësisht nga supermarketet me çmime shumë më të lira se sa vendet tipike turistike.

Bëni kujdes edhe me transaksionet përmes kartave tuaja, ka subjekte tregtare në shtete të caktuara që ju taksojnë ose marrin përqindje të caktuara në varësi të çfarë karte keni në përdorim. Një kartë krediti në monedhën e vendit që po vizitoni, do t’ju shpëtonte nga këto shpenzime ekstra. Në të kundërt, paguani me kesh.

Dhe mos harroni rimbursimin “Tax Free”, në rast se do të bëni shopping. Pajisuni me dokumentacionin e nevojshëm në kasë përpara se të bëni pagesën, ruani faturat me kujdes dhe në kthim në aeroport mos harroni të ndaloni në zyrën e Doganës. Dorëzoni formën dhe mbani të disponueshëm mallrat e blerë sepse me rregullore, mund të kërkojnë verifikim. Vetëm pasi të keni marrë vulën doganore, keni të drejtë të rimburësoheni.

Pro Tip: Kërkoni kompensimin me kartë krediti në vend të parave në dorë sepse kjo e fundit shoqërohet me një tarifë rreth 2-3%.

Kuriozitet: Vendet më të lira për të blerë në Evropë: Lisbonë (Portugali), Varshavë (Poloni), Riga (Letoni), Dubrovnik (Kroaci), Stokholm (Suedi).