Si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet në rajonin e Emilia Romanias në Itali, qeveria ka vendosur përmes një dekreti rritjen me 1 euro të biletave për hyrjen në muzeume. Ky fond do të shkojë për restaurimin e veprave të dëmtuara nga përmbytjet.
“Ministri i Kulturës Sangiuliano parashikon rritjen e përkohshme prej 1 euro për biletat e hyrjes në muze, duke përdorur të ardhurat që do të vijnë nga kjo masë për të siguruar pasuritë kulturore që janë prekur nga përmbytjet” – deklaroi Kryeministrja Georgia Meloni gjatë një fjalimi të mbajtur.
Dekreti vjen si pasojë e situatës së motit që ka mbërthyer rajonin veri-lindor të shtetit fqinj. Prej disa ditësh reshjet e shpeshta të shirave kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe deri në humbje jete.
Ndër dëmet e shumta të shkaktuara nga situata nuk kanë shpëtuar as veprat e artit. Deri më 18 maj, 40 raporte për vepra arti të dëmtuara nga vërshimet e lumenjve kanë mbërritur në dhomën e kontrollit të qeverisë. Në këtë listë përfshihen Abbazia e Santa Maria al Monte di Cesena dhe Bibliotekën Malatestiana (trashëgimia e UNESCO-s). Të dyja këto trashgimi kulturore ndodhen në Cesena, një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet.
Emergjencat Italiane, institucionet por edhe qytetarët ndodhen në gjendje alerte dhe po zhvillojnë ‘misione’ pastrimi për të ndihmuar në rikthimin e qyteteve në gjendjen e mëparshme. Studentët e Universitetit të Bolonjës janë ndër të rinjtë të cilët kanë ndërmarrë një nismë për të pastruar qytetin e tyre dhe shpërndarë një mesazh sensibilizues njëkohësisht. Personalitete të shumta gjithashtu i janë bashkuar nismës në rrjetet e tyre sociale dhe jo vetëm.
Tashmë duket se niveli i ujërave në vend ka pësuar rënie. Në përfundim të kësaj situate emergjence pritet dhe një raport dhe analizë e dëmeve të shkaktuara. Të shpresojmë që bilanci i dëmeve për trashgimitë kulturore dhe reagimi institucional të jetë i menjëhershëm për ruajtjen e tyre.