Pushimet tuaja janë rezervuar, ju tashmë po numëroni ditët dhe po planifikoni gjithçka ju nevojitet për të kaluar ditë të qeta dhe të bukura. Por çfarë ndodh nëse diçka shkon keq? Si për shembull, agjencia turistike t’ju njoftojë për anulimin e këtij udhëtimi.
Nisur nga ngjarje reale (dhe të shpeshta) që Ema’s Light merr në mesazhe, përmes këtij artikulli do të përpiqemi t’ju tregojmë se si duhet vepruar në raste të tilla, çfarë detyrimi ka agjencia dhe çfarë kompensimi marrin udhëtarët.
Sipas ligjit shqiptar në fuqi, operatori Turistik nuk është përgjegjës në rast të anulimit të udhëtimit për shkak të forcës madhore, shkaqeve natyrore, protestave popullore ose shpalljeve të gjendjes së luftës në destinacionin e përzgjedhur nga klienti, si dhe për çdo incident që ndodh për shkak të këtyre arsyeve. Zgjidhja, në këtë rast, do të gjendet me marrëveshje mes operatorit turistik dhe klientit. Pyetja që ngrihet në këtë rast është sa gjendet gjuha për këtë marrëveshje?
Sipas të njëjtit ligj (Ligji Nr .9734, datë 14.5.2007, “Për Turizmin”., VKM nr. 65, datë 21.1.2009, “Për kontratat e paketave të udhëtimit”), nëse Operatori Turistik anulon paketën përpara datës së nisjes, për të cilën është rënë dakord, konsumatorit i lind e drejta të zgjedhë njërën nga mundësitë e mëposhtme:
– Ofrimin e një paketë zëvendësuese, ekuivalente ose të një cilësie më të lartë, kur organizatori a shitësi janë në gjendje t’ia ofrojnë.
– Ofrimin e një pakete udhëtimi zëvendësuese, me një cilësi më të ulët. Në një rast të tillë organizatori ose shitësi duhet t’i kompensojnë klientit diferencën e çmimit ndërmjet paketës së udhëtimit të anuluar dhe asaj të ofruar;
– Kthimin e të gjithë shumës së paguar nga konsumatori, sipas kontratës së paketës së udhëtimit, brenda 5 ditëve nga data e dhënies së njoftimit për heqjen dorë. Në të kundërt konsumatorit i lind e drejta të kërkojë kompensim nga organizatori, për të gjitha dëmet, materiale dhe jomateriale.
Ligji gjithashtu parashikon se, në rast se pas nisjes në një udhëtim, organizuesi nuk mund të ofrojë, për çfarëdo lloj arsyeje (pavarësisht rrethanave që varen nga konsumatori) një pjesë të rëndësishme të shërbimit që përfshihet në kontratë, zgjidhje alternative duhet t’i ofrohen konsumatorit pa pagesë shtesë. Nëse vlera e shërbimit të ofruar është më e ulët se vlera e shërbimit të parashikuar, ndryshimi midis tyre do të rimbursohet. Nëse nuk është e mundur një zgjidhje alternative ose nëse zgjidhja e ofruar nga organizuesi është refuzuar nga konsumatori për arsye serioze dhe të justifikueshme, konsumatori do te rimbursohet vetëm për atë pjese të shërbimit te munguar.
A keni patur problematika të ngjashme me një anulim apo gjetjen e marrëveshjes me agjencinë? Nëse po, si i keni zgjidhur ato?