Dëshira për të kaluar disa ditë të qeta në detin e mrekullueshëm Jon, (të cilin ngado të shkojmë, vështirë ta hasim), është e brendshme si për ne që jetojmë në Shqipëri, ashtu edhe për të dashurit tanë të cilët kanë nostalgji nga larg. Por, as dashuria, malli, prakticiteti i pushimeve të afërta apo ndjesia e papërsëritshme e freskisë së detit, nuk qëndrojnë mbi komoditetin dhe qetësinë shpirtërore, balanca e së cilës jo pak herë prishet. Një telefon në recepsion që nuk përgjigjet, rezervime të bëra lëmsh, një matrapik nga ndërtimet ngjitur, një dush pa ujë të nxehtë, energjia që ndërpritet në mes të pushimeve, një kamerier që vrapon i djersitur apo një pronar që mezi pret të të qajë hallin se ‘na mbyti shiu, shumë keq me punën ky vit’ – të gjitha këto, janë eksperienca të jetuara në hotele, për të cilat ne kemi paguar ‘yjet’…
Vlerësimet e yjeve të hoteleve janë një tregues i pranuar ndërkombëtarisht i cilësisë, pastërtisë dhe standardeve të një hoteli. Sa më i lartë të jetë vlerësimi i yjeve, aq më shumë mund të prisni nga hoteli, nga hotelet me një yll që ofron një qëndrim bazik dhe një hotel me pesë yje që ofron një përvojë luksoze të nivelit të lartë.
Por, mbi bazë të cilave kritere vendosen ato yje? Si menaxhohet akordimi i tyre?
Sipas të dhënave të marra nga Ministria e Turizmit, bizneset që ofrojnë shërbime akomoduese në vendin tonë , kategorizohet në tetë tipologji. Në bazë të shenjave dalluese që çdo strukturë do të vendosë në krye të saj, ajo do të ndahet në këto lloje:
– “Bujtinë” Standard;
-“Fjetinë” Standard, Komfort;
-“Kamping” Standard
-“Hotel” Dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Motel” Standard, Komfort, Superior;
-“Resort” tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Qendër kurative” Dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Fjetje dhe mëngjes” (B&B) Standard, Komfort, Superior.
Pas përfundimit të hartimit të një vendimi, i cili duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, të gjithë sipërmarrësit që ofrojnë struktura akomoduese, duhet të bëjnë standardizimin e tyre. “Çdo sipërmarrje turistike, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, duhet të paraqesë pranë Ministrisë përgjegjëse për Turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë klasifikimi, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese”, – thuhet në ligjin për turizmin.
Kriteret në ligj për yjet
Çdo hotel duhet të arrijë që të mbledhë pikët minimale, në mënyrë që të marrë kategorinë e yjeve. Nëse nuk e bën e këtë, atëherë ai nuk do të marrë certifikatën e klasifikimit dhe nuk do të mund të operojë dot sipas kategorisë që ai kërkon. Për të marrë dy yje, duhet të mblidhen minimalisht 290 pikë, ku 190 janë për listën e kritereve të detyrueshme që ka vendosur ministria, ndërsa pjesën tjetër ai duhet ta kombinojë me kritere opsionale, të cilat i zgjedh vetë. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë të gjitha kategoritë.
- Kushti i parë që është vendosur në tabelën e pikëve është ai i pastërtisë dhe higjienës. Këto kritere përcaktohen si të detyrueshme, më pas detajohen në bazë të yjeve që kërkohen, që nga gërvishtjet e dyshemesë, njollat në xham dhe cilësia e dëmtimi i pajisjeve.
- Një tjetër kriter është edhe përshtypja që lënë klientët e hotelit, e cila po ashtu vlerësohet me pikë. Më pas renditen me kategori personeli, sjellja e tyre me vizitorët, gjuhët e huaja që flasin, kualifikimi i tyre, dhe po ashtu vendoset kusht që ata duhet të kenë në uniformën e tyre një kartë identifikuese për emrin.
- Pikët përfshijnë edhe sigurimin e parkimit të makinave, ku ndahen në përqindje për pjesët motorike, jo motorike dhe autobusët.
- Përcaktim të rëndësishëm për mbledhjen e pikëve kanë edhe ashensorët që vendosen në bazë të kateve që ka hoteli, nëse arrin të përmbushësh të gjitha kriteret, pikët që merr shkojnë në 10. Nga 5 deri në 6 pikë mund të përfitosh edhe në bazë të faciliteteve që krijon për personat me aftësi të kufizuar, ku për çdo 50 dhoma, të paktën njëra duhet të jetë e përshtatur për këtë kategori, së bashku me mjetet si karrige me rrota apo shoqërues që duhet të ofrojë njësia akomoduese.
- Recepsioni dhe shërbimet është një tjetër kategori që duhet t’u afrohet standardeve që kanë vendet e tjera. Për recepsionin kërkohet një tavolinë e veçantë, e cila të jetë 24 orë në dispozicion të klientëve për t’iu përgjigjur nevojave të tyre dhe po ashtu aty duhet të paraqitet e gjithë lista e shërbimeve dhe çmimeve që ofron hoteli. Po ashtu, në recepsion, duhet të jetë patjetër mundësia e pagesës me kartë dhe shërbimi në gjuhë angleze.
- Më pas, në shtesë të shërbimeve, hotelet duhet të ofrojnë mundësinë e pastrimit të dhomës dhe po ashtu të lavanderisë dhe hekurosjes. Këtu vendosen pikët në bazë të numrit të peshqirëve dhe çarçafëve që ndërrohen dhe produkteve të pastrimit që lihen në dhomë.
- Dhoma është ajo e cila ka ndikimin më të madh në numrin e pikëve. Me listën e re përcaktohet qartë që është thelbësore që dhoma, pa ballkonin dhe tualetin, duhet të jetë 14 m², më pas ajo rritet në bazë të standardeve të yjeve që kërkon të përcaktojë hoteli. Po kështu, në konceptin e yjeve, përfshihet edhe numri i suitave që ka njësia. Një tjetër nënkategori është komoditeti që ofrohet, që nga cilësia e shtretërve e deri në numrin e jastëkëve, ajrin e kondicionuar, minibarin dhe kasafortën që duhet të ketë në të. Duhet të ketë një frigorifer, televizor dhe telefon për të bërë lidhjen me recepsionin.
- Ambientet e përgatitjes së ushqimit po ashtu janë pjesë e pikëve për të marrë yjet. Këtu kërkohen të gjitha ambientet që shërbehet mëngjesi, dreka dhe darka, si dhe numri i restoranteve. Po ashtu, përcaktuese janë edhe numri dhe lloji i produkteve që shërbehen, që nga lloji i pijeve deri te cilësia e barit të hotelit.
- Në fund të kritereve për marrjen e pikëve, renditen për marrjen e pikëve numri i sallave të konferencave dhe ambienteve që kanë për argëtimin e klientëve. Pikët më të mëdha këtu, 24, i ka salla e konferencave me përmasa 250 m². Ndërsa tek argëtimi nuk mungojnë sauna, jakuzzi dhe SPA, që duhet të jenë në shërbim të vizitorëve.
Ligji aktual përcakton se, nëse aplikon për statusin special për 4 yje, investitori duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje të ketë ndërtuar dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese.
Çfarë të presim nga çdo yll
1 Yll: Hotel i thjeshtë me shërbime bazë. Mund të ketë dhoma të thjeshta me banjë të përbashkët dhe oferta të kufizuara të shërbimeve.
2 Yje: Hotel me cilësi të mesme. Ofron dhoma me banjë private dhe shërbime shtesë si restorant, lounge dhe shërbim dhome.
3 Yje: Hotel i mirë me shërbime të mira. Dhomat janë më komode dhe më elegante. Ofron restorante, bar, shërbim dhome dhe të tjera.
4 Yje: Hotel i një cilësie shumë të lartë. Dhomat janë tërësisht të pajisura me shërbime të avancuara dhe mjedisin më të përsosur. Ofron një gamë të gjerë shërbimesh shtesë dhe aktivitetesh.
5 Yje: Hotel luksoz me cilësi premium. Ofron dhoma të mëdha, elegante dhe luksoze, me pajisje të avancuara dhe shërbime ekskluzive. Restorantet janë të njohura për gastronominë e shkëlqyer, ndërsa shërbimi është i personalizuar dhe shumë i kujdesur.
E pra, ligjet janë aty me kritere të mirë-përcaktuara. Përse atëherë e gjejmë veten kaq shpesh, në një raport të zhdrejtë mes pagesës për ato yje dhe eksperiencës që marrim? Këtë po jua lëmë të na e komentoni ju. Sa raste keni pasur që kushtet e shërbimi i marrë në një hotel nuk përputhej me yjet (pagesën)?