Emigrimi i lartë ka sjellë mungesë punonjësish dhe sektori i turizmit po e vuan këtë fenomen, për të disatin vit radhazi. Në Shqipëri kanë nisur të shihen punonjësit e parë të ‘importuar’ nga vende si Kamboxhia, Nepali etj. Por, a mund ta thuash ndryshe, veçse shqip: Ma bëj një kafe gjysmë filxhani, të lutem!
Sipas të dhënave të marra në treg, strukturat e mëdha hoteliere po marrin kuzhinierë nga Turqia dhe punonjës pastrimi nga Filipinet. Nuk posedohen të dhëna të sakta për numrin e punonjësve në këtë sektor që importohet nga jashtë, pasi të dhënat zyrtare tregojnë vetëm numrin e përgjithshëm të të huajve që kanë një leje pune ose kontratë në Shqipëri.
Hotelet, sidomos në zonat turistike, janë në krizë për punonjës. Para pak vitesh, sektori i hotelerisë kishte rezerva të mëdha në lidhje me mungesën e stafeve të kualifikuara, por aktualisht pretendimet e tyre kanë rënë. Mjafton të gjejnë njerëz, se trajnimin e marrin përsipër vetë. “Ka pak krah pune të interesuar. Mjafton të duan të punojnë. Trajnimet e duhura i kemi realizuar, edhe pse me kosto të larta për ne, pasi me rastin e parë, ose kanë ikur jashtë, ose janë zhvendosur në pikun e sezonit në Jug të vendit”, thotë Fatos Çerenishti, drejtues i “FAFA Resort” në Golem.
Edhe në zonat malore turistike të Valbonës, mungesa e punonjësve ka nisur t’i pengojë bizneset për zgjerim të mëtejshëm. Sipas komunikimeve me disa administratorë bujtinash, mësohet se po përballojnë me sforco shërbimin për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Të rinjtë vendas janë shndërruar në punonjës sezonalë për vendet e BE-së, duke mos preferuar të punojnë për një pagë mujore minimale në hotelet e zonës. Sipas tyre, marrja e punonjësve nga qytete të tjera është e papërballueshme, teksa shërbimet mbulohen vetëm me familjarë të bujtinave, të cilët ‘çalojnë’ në shërbim
Një rast tjetër: Dhërmiu është fshat i vogël që s’ka fuqi punëtore. Çdo person që punon atje duhet të vijë nga Vlora, Fieri apo edhe Tirana. Ka disa familje të cilat zhvendosen nga veriu apo fshatra të thella për të mirëmbajtur hotelet gjatë vitit, por janë të pakët në numër. Këtu shfaqim problem akomodimi e mungesë punonjësish. Edhe ata që vijnë, janë të patrajnuar ose e shikojnë si diçka sezonale (aq më pak të huajt në shërbim). Prandaj dëgjojmë shpesh herë se kamerieri nuk na dha shërbimin e duhur, nuk na tha as ‘Mirëmëngjes’, nuk na trajtoi mirë, pasi punojnë me orare të zgjatura dhe akomodohen në kushte minimale. A është ky një problem që i takon pushuesit? Sigurisht që jo. Askush nuk do të donte që në ditët e pushimit, të zgjohej e të përballej më një person në shërbim, i cili nuk është në humor.
Sektori i akomodimit dhe bareve punësonte para pandemisë mbi 40 mijë punonjës kundrejt pagës, sipas të dhënave nga INSTAT, por tani, me rritjen e numrit të turistëve në një kohë që emigrimi po tkurr numrin e punonjësve, sektori ka shpallur emergjencë për punonjës të së gjitha niveleve. Paga mesatare në këtë sektor, sipas deklarimeve zyrtare, arriti në 47 mijë lekë, vitin e shkuar, me një rritje vjetore rreth 9%. Por tani, kur kostot e të gjitha lëndëve të para dhe furnizimeve janë rritur, bizneset nuk kanë shumë burime për të rritur pagat e punonjësve.
Gjithsesi, pavarësisht rritjes së pagave, mjedisi mbetet sfidues, pasi hapen struktura të reja dhe nevoja për staf është e vazhdueshme. Situata është e njëjtë edhe në zonën e Shëngjinit, Velipojës dhe në jug, ku strukturat hoteliere janë vënë në presionin e tkurrjes së numrit të punonjësve dhe rritje së turistëve.
Sipas ekspertëve të fushës, problemi qëndron se duhet një përqendrim më i lartë tek turizmi gjithëvjetor dhe investimi në burime njerëzore. Për sa kohë turizmi do të jetë sezonal, pra kryesisht gjatë verës, një punëdhënës nuk mund ta mbajë një punonjës me kontratë afatgjatë dhe ta motivojë (ekonomikisht) që të mos lërë punën.
Zak Topuzi, President i Shoqatës së Hotelerisë, thotë se arsyet kryesore të mungesës së punonjësve aktualisht janë:
- Emigrimi i popullsisë si fenomen masiv, por dhe i punonjësve të kualifikuar (jo vetëm në mjekësi).
- Rritja e bizneseve te shërbimeve, si mundësia më e thjeshtë për të jetuar
- Sezonaliteti i lartë i bizneseve të shërbimeve
Sipas tij, ka disa hapa që të gjenden zgjidhje për këtë situatë:
- Politika subvencionuese për të zgjatur sezonin në 8 muaj dhe 4 muaj subvencionim pagesë asistencë dhe sigurime shoqërore në zonat bregdetare (shembull që ka aplikuar një skemë të ngjashme është Greqia).
- Politika subvencionuese për pensionistët nga të ardhurat e sindikatave apo pensioneve, për pushime për të zgjatur sezonin me çmime të reduktuara.
- Politika subvencionuese për nxënësit e shkollave, për të njohur resurset e Shqipërisë apo Kosovës dhe për të mbajtur gjallë hotelet me 1-3 yje, bujtinat, agrobiznesin në gjithë territorin e vendit.