Plazhet në këto zona janë në formën e grykave të vogla dhe problematika e shfaqur ndër vite ka qënë ajo e mbipopullimit të tyre nga plazhistë dhe pushues, duke e bërë shpesh herë situatën të paqëndrueshme dhe të pamenaxhueshme. Për të ndihmuar në mirëmenaxhimin e mëtejshëm, autoritetet lokale kanë vendosur disa kufizime për disa nga plazhet kryesore në Siçili dhe Sardenjë.
Kufizime në numrin e vizitorëve:
Një plazh i vogël me një numër shumë të madh vizitorësh në të njëjtën kohë, përveç parehatisë dhe kufizimit të vendit, shfaq dhe probleme për mjedisin duke dëmtuar pasuritë natyrore të zonës. Për këtë arsye, autoritetet lokale kanë vendosur një kuotë ditore për vizitorët, si edhe në disa raste, një tarifë për vizitën.
Janë prekur 4 plazhe kryesore:
1. Cala dei Gabbiani – lejohen deri në 300 vizitorë në ditë
2. Cala Biriala – lejohen deri në 300 vizitorë në ditë
3. Cala Goloritze – lejohen deri në 250 vizitorë në ditë. Kjo zonë, e cila është e aksesueshme vetëm me këmbë ose me varkë, do të ketë dhe një tarifë hyrje prej gjashtë eurosh. Kjo tarifë mund të paguhet online ose me para në dorë në hyrje të zonës dhe ajo do të shkojë për financimin e mbikëqyrjes, për një zonë parkimi si edhe për mirëmbajtjen e shtigjeve dhe tualeteve në plazh.
4. Cala Mariolu – më i madhi nga plazhet, ka një kufi ditor prej 700 personash. Gjithashtu këtu, është vendosur një tarifë prej 1 euro për çdo varkë ose gomone që ankorohet në këtë plazh.
Pushuesit duhet të rezervojnë vendin e tyre në këto destinacione të paktën 72 orë para vizitës, përmes një aplikacioni të quajtur Cuore di Sardegna (Zemra e Sardenjës).
Ndalimi i peshqirëve të plazhit:
Ndonëse tingëllon pak çuditshëm, kjo është një masë e mirëmenduar për ruajtjen e rërës në plazhin e famshëm ‘La Pelosa’ me ngjyrë koralesh, i cili ofron pamje të ishullit Isola Piana, tepër i njohur për kullën e tij të gurtë të vëzhgimit.
“Në La Pelosa lejohen vetëm dyshekët. Ndryshe nga peshqirët që lagen, rëra nuk ngjitet në dyshekë, mundësisht nëse është prej fibrash dhe kashte. Kemi humbur kaq shumë rërë për shkak të peshqirëve të plazhit.” – shpjegon kryebashkiakja Vallebella.
Në këtë plazh janë të ndaluar qentë, pirja e duhanit dhe vjedhja e rërës, së bashku me përdorimin e peshqirëve të plazhit, me gjoba që fillojnë nga 100 euro.
Ndërkohë, kufizimet hasen dhe për plazhin Le Saline. Kampistët nuk lejohen më të parkojnë në bregun e gurit të imët me guralecë ose pranë lagunës, e cila është habitat i disa shpendëve dhe gjallesave bimore të mbrojtura.
Rezervime paraprake:
Në Siçili, ishulli Lampedusa, një nga ishujt Pelagie, ku ndodhet plazhi Isola dei Conigli me ujërat e tij blu të pastër, është cilësuar vazhdimisht si një nga plazhet më të mira në botë nga udhëtarët prandaj dhe numri i lartë i vizitorëve nuk përbën një lajm për ne.
Plazhi është një habitat për vendosjen e vezëve për breshkat logghead të cilat ishin shpesh në rrezik nga vizitorët, numri i të cilëve shkonte deri në 1500.
Numri tashmë është përgjysmuar në 350 persona në mëngjes dhe 350 të tjerë pasdite. Vizitorët duhet të bëjnë rezervimin online përmes një faqeje interneti të autorizuar lokale dhe duhet të paguajnë një taksë hyrjeje prej 2 eurosh.
Disa rregulla të tjera në këtë plazh:
– Ndalohen shezllonët e plazhit
– Ndalohen dyshekët e ujit
– Zhurmat duhet të mbahen në minimum
Ndërkohë kryebashkiaku ka deklaruar se po mendon vendosjen e këtyre masave në të ardhmen:
– Kufizim 40 ditor për çdo makinë dhe skuter të turistëve dhe jorezidentëve gjatë pikut të verës
– Për të kufizuar numrin e jahteve dhe barkave që zbarkojnë në breg, po mendohet përcaktimi I Isola dei Conigli si një park detar i mbrojtur.
Ndërkohë disa prej këtyre kufizimeve ekzistojnë në Linosa, ishulli më i vogël vullkanik i Lampedusa-s, ku lejohen 200 vizitorë në ditë dhe makinat e turistëve janë të ndaluara.
Ishulli Isola del Giglio, me qendër në brigjet e Toskanës, ka prezantuar një tarifë prej tre eurosh, ndërsa makinat lejohen vetëm për qëndrime më shumë se katër ditë në gusht.
Procida, një tjetër ishull i Italisë që ka ndaluar makinat, ka nisur fushatën kundër udhëtarëve ditorë që konsiderohen si problematikë.
Burimi: CNN.com / përshtatur nga editorët e Ema’s Light