Shqipëria është e famshme për plazhet, fshatrat ëndërrimtarë me kalldrëm dhe çmimet e lira, por kjo nuk është e gjitha. Vitet e fundit, është bërë edhe një pikë e njohur për nomadët digjitalë, sipas një liste të një website botëror për këtë kategori, në mes të vendeve të tjera ballkanike, si Mali i Zi dhe Kroacia.
Krahas kësaj, qeveria shqiptare i ka dhënë vëmendje pikërisht kësaj kategorie që po shtohet edhe në vendin tonë, nëpërmjet një drafti të përfshirë në Agjendën Digjitale 2022-2026.
A është Shqipëria tërheqëse për nomadët digjitalë? Momentalisht, një i huaj që do të punojë “on remote” në vend ka mundësi ta bëjë, gjithashtu është miratuar edhe një ligj për të huajt që punojnë, por ka specifika të tjera, ndër të cilat leja e punës. Sakaq, Agjenda Digjitale parashtron një plan veprimi për 2022-2026, i cili është miratuar nga qeveria në fillim të këtij viti. Një nga pikat në të lidhet me nomadët digjitalë, individë që punojnë në distancë në internet dhe jetojnë në një vend për një kohë të shkurtër, zakonisht deri në dy vjet.
“Zgjerimi i rrjetit digjital dhe fizik dhe fuqizimi i bizneseve është përparësi në ditët e sotme për vendin tonë, sepse sipërmarrësit, pronarët e bizneseve dhe profesionistët e pavarur nga e gjithë bota kanë shumë për të ofruar dhe ne shpresojmë që thjeshtëzimi i procesit për t’u bashkuar me rezidencën elektronike (e-rezidenca) do të inkurajojë më shumë prej tyre që të na zgjedhin ne për të ndihmuar në rritjen e kompanive të tyre”, – thuhet në strategji.
I njëjti dokument nënvizon se projekti i rezidencës mund të jetë një hap i rëndësishëm për tërheqjen e nomadëve digjitalë në vendin tonë, bashkë me shumë mundësi të tjera që ofron si aplikimi në internet për viza, viza e paguar dhe e lëshuar online, platforma e-albania, faqe web-i për turizmin, sistemi i transportit, qendrat digjitale dhe hapësirat e bashkëpunimit, lidhja dhe shpejtësia e internetit në telefon, kostoja telefonike, prania e mediave sociale, 5G që vjen së shpejti etj.
Por sa të rëndësishëm janë këta nomadë digjitalë për turizmin vendas?
Nomadët digjitalë kanë pasur prej kohësh, kudo në botë, një kontribut të rëndësishëm për industrinë e turizmit. Duhet të kemi parasysh se ata janë persona që punojnë në mënyrë të pavarur, përmes internetit dhe përdorin teknologjinë për të qenë fleksibël në vendin e punës. Profilet e tyre janë kryesisht programues, dizajner, shkrimtarë, krijues përmbajtjeje etj. Kontributi i tyre për turizmin konsiston në mënyrën se ata mund të udhëtojnë dhe të qëndrojnë për një kohë të gjatë në destinacione të ndryshme, duke kontribuuar në ekonomitë e vendeve që vizitojnë. Sipas faqes Nomad List, një nomad digjital qëndron minimalisht 2 vite në një vend/shtet të caktuar.
Nëse shikojmë nga perspektiva ekonomike, nomadët digjitalë kontribuuojnë në rritjen e turizmit duke shpenzuar për akomodim, ushqim, transport dhe aktivitete të tjera në destinacionet e tyre. Ata gjithashtu ndikojnë në tregtinë vendase, duke blerë produkte dhe shërbime nga tregtarët lokalë. Kjo krijon mundësi për rritjen e bizneseve të vogla dhe zhvillimin e industrive turistike të vendit.
Përveç kontributeve ekonomike, nomadët digjitalë ndikojnë edhe në aspektin kulturor dhe social të turizmit. Ata shpërndajnë përvojat e tyre nëpërmjet rrjeteve sociale dhe blogjeve, duke promovuar destinacionet që vizitojnë dhe duke frymëzuar të tjerët të ndjekin rrugën e tyre. Kjo mund të sjellë në rritje të interesit për vendet e reja dhe në zgjerimin e turizmit jashtë sezonit.
Gjithashtu, nomadët digjitalë shpesh ndihmojnë komunitetet vendase duke dhënë kontribute të ndryshme. Ata mund të angazhohen në projekte vullnetare, të ndihmojnë në promovimin e kulturës dhe trashëgimisë lokale dhe të krijojnë lidhje të reja mes komuniteteve të ndryshme. Ky ndihmon në rritjen e shkëmbimit kulturor dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërkombëtare.
Në përgjithësi, nomadët digjitalë kanë kontribuar në diversifikimin e turizmit dhe në zhvillimin e vendeve të ndryshme. Ata kanë sjellë një perspektivë të re dhe inovative në mënyrën se si udhëtojnë dhe përdorin burimet e tyre të punës. Kjo ka hapur dyer për turizëm më të volitshëm dhe ka krijuar mundësi të reja për rritjen ekonomike dhe kulturor të destinacioneve turistike.
Grupet e para të nomadëve digjitalë janë raportuar që prej kohës së pandemisë në vendin tonë, ata zgjedhin kryesisht kryeqytetin por, vitet e fundit, destinacion i preferuar është shndërruar Saranda. Ekspertët vendas të fushës së teknologjisë raportojnë që një ndër problematikat që ata hasin është një lidhje interneti e dobët, kryesisht jashtë Tirane.
A kemi në këtë hapësirë një nomad digjital? Nëse po, na tregoni nga cili shteti vini dhe pse ju pëlqen Shqipëria?