Lajmet për rënien e euros dhe forcimin e valutës vendase i kemi ndjekur me kërshëri, duke qenë se euro arriti nivelin më të ulët historik, nën kufirin e 105 lekëve. Arsyet e raportuara nga ekspertët në vend i atribuohen një oferte valutore të lartë prej parave informale në ndërtim, por edhe nisja e turizmit dhe efekti psikologjik, mendohet të jenë arsye mbështetëse.
Tregu ka krijuar pritshmëri të forta se Leku do të vazhdojë të forcohet gjatë sezonit veror dhe kjo mund të ketë sjellë edhe një nxitim për të shitur euro.
Duke parë ritmet e shpejta të rënies së Euros, sidomos në dy javët e fundit, tashmë ka ekspertë që mendojnë se arritja e kufirit të 100 lekëve këtë vit nuk është për t’u përjashtuar.
Të gjendur para kësaj situate, mendohet se rënia e euros do të na kursejë në totalin e çmimit që do na duhet të pushojmë këtë vit.
Sipas operatorëve turistik në vend, rënia e euros ka nxitur blerjen e paketave turistike, në konceptin all inclusive, në vende si Kroacia, Mali i Zi, Greqia dhe Turqia, për të cilat zakonisht duhet një parapagim prej 30% të paketës kur bën prenotimin dhe pagesën tjetër, rreth 2 javë përpara nisjes.
Ndërsa në tregun vendas, raportohet një panoramë krejt tjetër. Shumica e hoteleve që më parë operonin me çmime në euro për netqëndrimet dhe lek për restorantet, kanë kthyer të gjithë shërbimin në lek. Kjo gjë mendohet se i ka ndihmuar për të amortizuar humbjet e pritshme.
Vitin e shkuar një natë qëndrimi në një hotel në Himarë ishte 90 euro pa mëngjes, i njëjti hotel këtë vit ofron akomodim me një çmim prej 12 mijë lekësh. Çmimi i rritur është rezultat i indeksimit të inflacionit, por gjithashtu për të shmangur luhatjet e pritshme me monedhën evropiane. Një natë qëndrimi raportohet të jetë mesatarisht 15% më shtrenjtë këtë vit në jugun e Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë, një forcim i lekut mund të japë përfitime për qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë jashtë vendit, sepse kursi i këmbimit vendas mund t’i japë më shumë fuqi blerëse në valutën e huaj.
Në këtë situatë, është e zakonshme që disa hotele dhe operatorë turistikë në Shqipëri të vendosin të ofrojnë paketat e tyre në lek, duke përdorur monedhën vendase, në vend të euros. Kjo praktikë mund të jetë e njëjtë edhe për disa biznese të tjera, që veprojnë në industrinë e turizmit.
Arsyet për këtë vendim mund të jenë të ndryshme. Njëra prej tyre mund të jetë për të shmangur rreziqet e mundshme të ndryshimeve të kursit të këmbimit të valutës dhe për të siguruar që ata të kenë të ardhura të qëndrueshme në monedhën vendase, përgjatë gjithë sezonit veror. Kjo i lejon ato të shmangin humbjet potenciale që mund të shkaktohen nga luhatjet e kursit të këmbimit. Pra, duke ofruar paketat në lekë, ato e stabilizojnë çmimin e tyre në monedhën vendase dhe shmangin ndikimin direkt të rënies së kursit të këmbimit të euros.
Nëse planifikoni të vizitoni hotele në jug të Shqipërisë (por edhe në zona të tjera) dhe doni të dini se në cilën monedhë ofrohen paketat, është e rekomandueshme të kontaktoni direkt hotelin ose operatorin turistik për informacion më të saktë dhe të përditësuar. Ata do t’ju japin detajet specifike rreth çmimeve dhe monedhës së pranuar për pagesën e shërbimeve turistike, në mënyrë që të shmangni surpriza të pakëndshme dhe të përllogarisni saktë buxhetin tuaj.
Faleminderit Deada per kete artikull. Lucky to have you 💖