Të udhëtosh me kafshë shtëpiake, zbuloni rregullat dhe kostot!

Photo by Pet Insurance

Të bësh një pushim me mikun tënd me katër këmbë tingëllon si një ide e mrekullueshme. Jo vetëm që do të vizitoni një vend të ri apo do pushoni diku në plazh, por do të mund ta bëni bashkë me to. Kush i ka në shtëpi, e di mirë që konsiderohen si pjesë e pandashme e familjes.

Por ndërkohë që sjellja e mikut më të mirë në aventurën tuaj duket e mahnitshme, ajo mund të ketë një kosto reale.

Tarifat për të udhëtuar me një kafshë shtëpiake janë të larta, edhe para se të largoheni nga shtëpia. Përgatitja për të udhëtuar me mikun tuaj më të mirë më katër putra duhet të përfshijë vizitën te veterineri për një kontroll, veçanërisht pasi linjat ajrore mund të kërkojnë një certifikatë shëndetësore të përditësuar të nënshkruar nga një veteriner. Letra do t’ju kushtojë sa kostoja e një vizite në klinikë, e cila në kryeqytet varion te 2000-3000 lekë.

Për më tepër, rekomandohet një mikro-çip për miqtë tuaj, në rast se ata do të vizitojnë një zonë të re. Kostoja e aplikimit të një mikro-çipi zakonisht kushton rreth 45 euro, sipas informacioneve të marra në terren.

Pasi të ketë përfunduar i gjithë kujdesi që cituam më lart, është koha të mendoni se si do të arrini nga shteti ku jetoni në vendin që doni të vizitoni. Linjat ajrore zakonisht paguajnë një tarifë prej 100 deri në 125 euro, për të lejuar qenin/macen tuaj në kabinë. Dhe, nëse dëshironi që kafsha juaj të fluturojë në kabinë, do t’ju duhet të blini një transportues kafshësh në përputhje me linjën ajrore, i cili mund të kushtojë nga 30 deri në 250 euro, në varësi të dyqanit Petshop.

Rregullat e BE-së përcaktojnë se, kafsha juaj mund të udhëtojë me ju në një vend tjetër të BE-së ose nga një vend jo anëtar i BE-së në një vend të BE-së, nëse ka:

  1. Mikro-çip (në përputhje me kërkesat teknike të Aneksit II të Rregullores së BE-së për lëvizjen e kafshëve shtëpiake) ose ka një tatuazh të lexueshëm qartë nëse është aplikuar përpara datës 3 korrik 2011
  2. Vaksinim kundër tërbimit (vaksina e Rabies, kushton mesatarisht 1500 lekë)
  3. Ka marrë trajtim kundër krimbit të shiritit Echinococcus multilocularis, kjo kërkohet kur zona juaj e destinacionit nuk është prekur kurrë nga ky krimb shirit (Finlanda, Irlanda, Malta, Norvegjia dhe Irlanda Veriore), mesatarisht 2000 lekë
  4. Nevojitet një pasaportë evropiane e vlefshme për kafshët shtëpiake, kur udhëtoni nga një vend i BE-së ose Irlanda e Veriut në një vend tjetër të BE-së ose Irlanda e Veriut ose një certifikatë e shëndetit të kafshëve të BE-së, kur udhëtoni nga një vend jo anëtar i BE-së. Mesatarisht 5000 lekë.
  5. Nëse po udhëtoni nga një territor ose jo i BE-së, kafsha juaj duhet të ketë një certifikatë shëndetësore të BE-së të kafshëve të lëshuar nga një veteriner zyrtar shtetëror në vendin e nisjes, jo më shumë se 10 ditë përpara se kafsha juaj të mbërrijë në BE.
  6. Si rregull, kafshët shtëpiake duhet të udhëtojnë me pronarët e tyre; megjithatë, ju mund t’i jepni leje me shkrim një personi tjetër që të shoqërojë kafshën tuaj për ju.
  7. Ju mund të udhëtoni me deri në pesë kafshë shtëpiake, por nëse keni më shumë se pesë kafshë me vete,  duhet të jepni prova që: ata janë duke marrë pjesë në një garë, ekspozitë ose ngjarje sportive (duke ofruar për shembull një dokument regjistrimi), dhe janë më shumë se 6 muajsh.

Po kur vendosni të mos i merrni me vete në udhëtimin tuaj? Në ndihmë vijnë hotelet e posaçme për kafshët. Në Tiranë ka disa të tillë dhe kostoja për natë është mesatarisht 2000 lekë për Canine, pra qentë dhe 1000 lekë për Feline, pra macet.

A ka në Shqipëri hotele që kanë politika pets-friendly?

Prania e kafshëve shtëpiake në hotele është një çështje që varet nga politikat dhe preferencat e secilit hotel. Disa hotele janë të hapur ndaj pranisë së kafshëve shtëpiake, ndërsa të tjera mund të kenë politika të kufizuara ose të ndaluara për shkak të arsye si higjiena, shqetësimit të të tjerëve që qëndrojnë në hotel etj.

Sipas statistikave të mbledhura nga Ema’s Light në Forumin e Website-t, disa nga hotelet që pranojnë miqtë tuaj katër putrosh, janë: Toto Boutique and Residences në Vlorë, Maxi Room në Vlorë, Casa del Sol në Himarë, Drymades Bungalows në Dhërmi, Square View në Vlorë, Eval Hotel në Sarandë, Taraca e Ullinjve në Dhërmi, Rapos Resort në Himarë etj.

Do të na thoni ju disa të tjera? 🙂

1 Comment

  1. Casa del Sol ne Himare nuk i pranon qenushat. Nese mund te beje ndonje shkrim per hotelet ketu se cilet jane ato qe i pranojne, do ishte shume mire. Ose nese e ngre si shqetesim. Jashte i pranojne kudo. Ne kete vit kemi mare nje qenush te vogel, dhe po ngelim pa pushime sepse asnje hotel ne jug nuk i pranon. Vetem te Paradise ne Vlore ku dhe jemi kliente prej vitesh na pranojne.
    Shume faleminderit!

Comments are closed.