Kosova dhe Shqipëria janë padyshim një komb, një gjuhë, një gjak, të cilët i ndan vetëm vija gjeografike, rezultat i historisë së padrejtë. Ndër vite, Shqipëria është destinacion i zakonshëm për shqiptarët e Kosovës për qëllime turistike, vizita familjare dhe biznesi, ku turizmi sidomos ka qenë i përqendruar në zonën e bregdetit Adriatik.
Në Strasburg u nënshkrua akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në zonën “Schengen” nga 1 janari i vitit 2024. A do të jemi sërish ne treg i preferuar për turizmin edhe pas liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës?
Nga statistikat zyrtare të INSTAT, vizitorët nga Kosova përbëjnë aktualisht 40% të totalit të turistëve në vend. Shifrat tregojnë se nga janari në dhjetor 2022 Shqipërinë e vizituan 2.6 milionë shqiptarë të Kosovës, me një rënie nga totali i vitit të shkuar.
Ajo që është shqetësuese në vijim është fakti që turizmi patriotik mund të pësojë një rrjedhje të konsiderueshme, me liberalizimin e njoftuar tashmë të vizave për Kosovën.
Sipas operatorëve të ndryshëm në sektorin akomodues në bregdetin e Durrësit, rënia e turistëve nga Kosova lidhet me kushtet më të vështira ekonomike që solli kriza, por edhe me situatën e përgjithshme politike. Sipas tyre, vihet re në dy vitet e fundit se net-qëndrimet janë shkurtuar. Jugu i Shqipërisë është më pak i vizituar për shkak të largësisë në km dhe kostove më të larta.
Strukturat akomoduese tregojnë se, edhe në nisje të këtij sezoni veror, janë bërë promovime reciproke me tregun e Kosovës, por sipas tyre nuk pretendohet që të kemi turistë nga Kosova në formën e organizuar apo me garanci, siç kemi grupet e tjera, si Evropa Qendrore.
Arsyeja sipas tyre, lidhet me faktin se shqiptarët e Kosovës, ngjashëm me ne, pushimet i kanë të programuara mes 15 korrikut dhe 31 gushtit, pra 45 ditë. Dhe kjo ngushton periudhën e pushimit në zonat bregdetare. Sipas tyre, është koha që të rrisim vëmendjen, pasi dhe konkurrenca e destinacioneve është rritur. Turqia pritet të jetë shumë tërheqëse për Kosovën këtë vit, gjithashtu Greqia vitin e ardhshëm, me liberalizimin e vizave.
Sipas hulumtimeve, duhen promovuar këto vlera që na kanë bërë tërheqës për turizmin patriotik:
- Afërsia gjeografike: I gjithë bregdeti i Adriatikut është një destinacion i afërt për shqiptarët e Kosovës. Lidhja e mirë me infrastrukturën rrugore, si edhe me transportin publik, e bën të lehtë dhe të përshtatshme për ta arritur atë për një pushim relativisht të shkurtër.
- Plazhet: E gjithë vija bregdetare e Adriatikut është një destinacion me plazhe të bukura dhe infrastrukturë të zhvilluar turistike. Plazhi i gjatë, rërë e bardhë dhe uji i pastër tërheqin turistët për të kaluar kohë të rehatshme në bregdet.
- Çmimet dhe disponueshmëria: Në krahasim me disa destinacione të tjera turistike, Durrësi mund të ofrojë opsione të arsyeshme çmimi për akomodimin, ushqimin dhe aktivitetet e tjera turistike. Kjo bën që të jetë një zgjedhje e preferuar për shumë shqiptarë të Kosovës. Këtyre arsyeve i shtohen edhe elementë si hapësira publike, kujdes i veçantë vitet e fundit sa i përket pastërtisë etj.
- Kultura dhe historia: Durrësi është një qytet me trashëgimi kulturore dhe historike të rëndësishme, duke përfshirë Kalanë e Durrësit, Amfiteatrin e lashtë dhe muzeun arkeologjik. Për shumë turistë, ky aspekt kulturor është një atraksion shtesë që i intereson. Gjithashtu, Shkodra e Lezha, me plazhet e tyre dhe aspektin historik është po ashtu tërheqës.
Jo rrallë herë kemi dëgjuar apo kemi qenë dëshmitarë të rasteve ku shqiptarët e e Kosovës kanë qenë pjesë e paragjykimeve tona. Vitet e fundit është raportuar shpesh që abuzohet me çmimet, respekti karshi tyre është më i ulët apo inekzistent krahasuar me turistë të nacionaliteteve të tjera. Në hapësirën e Ema’s Light kanë ardhur jo pak raste, ku evidentohen këto problematika.
A do të ishte koha që, veç përkatësisë historike e kombëtare, shqiptarët e Kosovës të trajtohen me aq respekt sa meritojnë? Mos harrojmë që në Pandemi ishin turistët e vetëm që s’na ‘tradhtuan’. Çfarë mund të bëhet që të marrin vendin e merituar, kur këtë vit rënia e euros i rrit kostot e turizmit në Shqipëri dhe vitin tjetër liberalizohen vizat për to?
Pyetja që do na duhet 1 vit për të marrë përgjigje do të ishte: A do të rikthehen shqiptarët e Kosovës në Shqipëri në vitin 2024? …