Interneti po “zien” pas lajmit që Virgin Galactic do të nisë fluturimin e tij të parë komercial në hapësirë në më pak se një javë pas tragjedisë së Titanit. Nëndetësja humbi kontaktin me anijen që e ndiqte nga pas afro dy orë pasi filloi zhytjen, ndërsa ishte nisur drejt rrënojave të Titanikut me pesë persona brenda saj.
Kompania, e cila është në pronësi të miliarderit Richard Branson, njoftoi të hënën se do të dërgonte tre pasagjerë nga Forca Ajrore Italiane dhe Këshilli Kombëtar i Kërkimeve në hapësirë në misionin Galactic 01. Ata do të shoqërohen nga pesë anëtarë të ekuipazhit të Virgin Galactic – një instruktor astronaut dhe katër pilotë.
Fluturimi hapësinor 90 – minutësh është planifikuar të ngrihet sot, më 29 qershor, dhe qëllimi i misionit është të “kryejë një sërë eksperimentesh shkencore nënorbitale”, sipas njoftimit për shtyp.
Virgin Galactic po shet gjithashtu bileta për fluturimet e ardhshme në hapësirë me 450,000 dollarë secila, duke inkurajuar klientët e mundshëm të “rezervojnë” vendin e tyre “në histori”, sipas broshurës që gjendet në website.
Por, përdoruesit e rrjeteve sociale patën mjaft kritika ndaj kompanisë për gjetjen e një kohe totalisht të papërshtatshme: nëndetësja Titan shpërtheu javën e kaluar me disa turistë bilionerë në të, përgjatë një ekspedite për të parë anijen e mbytur të Titanikut.
Në një postim në lidhje me fluturimin, hedhur nga Pubity, një llogari mediatike argëtuese me më shumë se 33 milionë ndjekës, seksioni i komenteve në Instagram ishte i egër:
– “Jo faleminderit, preferoj të vdes falas”
– “Edhe ky udhëtim vetëm vajtje do të jetë apo…?”
Por, shqetësimet për sigurinë e turizmit hapësinor nuk janë të pabaza: në nëntor të vitit 2014, një anëtar i ekuipazhit vdiq gjatë një test-fluturimi të anijes prototip të Virgin Galactic, e cila u bë shkrumb e hi mbi shkretëtirën Mojave.
Në prill, një raketë SpaceX shpërtheu gjatë përpjekjes së saj të parë për t’u nisur në orbitë. SpaceX u themelua nga një tjetër miliarder – Elon Musk.
Mesa duket, asgjë nuk po i pengon të pasurit të rezervojnë udhëtime të shtrenjta dhe të rrezikshme aventure për argëtim.
Nuk ka ende një përgjigje nga “Virgin Galactic”, pas të gjithë kritikave në rrjetet sociale…
Burimi: insider.com/ përshtatur nga editorët e Ema’s Light