Google Maps, sa i saktë është për t’u ndjekur nga turistët në Shqipëri?

“Me të pyetur gjen Stambollin”, përshtatur në kontekstin turistik për vendin tonë: “Me të pyetur zbulon Shqipërinë”…

By Google

Shumica prej nesh ua besojnë udhëtimin jashtë Google Maps, të paktën ata që nuk kanë një makinë dhe navigator. Po në Shqipëri, a mund të ndjekim ‘symbyllur’ google maps?

Në realitet, mungesa e emërtimeve të sakta rrugore dhe mos funskionimi i e-transport, sjell vështirësi për turistët e huaj por edhe ato vendas, që duan të eksplorojnë Shqipërinë.

Vendit i mungon një platformë e rifreskuar dhe interaktive mbi mënyrat e transportit publik, duke e kthyer eksplorimin në sfidë.

Shqipëria, një vend kaq afër Evropës, me modele të ndërtuara nga shtete rrotull që funksionojnë, ende nuk ka minimumi një platformë të unifikuar dhe bazë për transportin, teksa turizmin e ka në ditët e tij më të mira.

Ku merren informacionet?

Kur udhëton në disa vende të Europës, nëse të duhet të kërkosh një itinerar në internet, ajo që të shfaqet është koha dhe rruga që duhet të përshkosh me makinë private, koha dhe mundësia me autobus, koha dhe mundësia me tren (nëse ka hekurudhë), dhe koha në këmbë.

Për secilin prej këtyre opsioneve, të tregohet edhe vendndodhja e stacionit qendror të qytetit (terminali) ku do të hipësh dhe ai që do të zbresësh.

Nëse kërkon sot në internet sesi të shkosh nga Tirana në Vlorë, informacioni në Google Maps është alternativa e udhëtimit me makinë 2 orë e 15 minuta dhe udhëtimi në këmbë për 28 orë. Mundësia e udhëtimit me autobus nuk është e klikueshme, gjë që do të thotë se nuk ka të dhëna në sistem për këtë opsion.

Një informacion më të saktë mund ta gjesh në faqen e agjencisë që menaxhon parkimet në Tiranë, siç është Tirana Parking, por është disi e pazakontë që një turist i huaj të dijë se ekziston një faqe e tillë dhe se aty mund të gjejë oraret për autobusët.

Një informacion mbi autobusët mund ta gjesh te faqja visit-albania.com e cila është nën Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Në këtë faqe interneti mund të gjesh një dritare ku thuhet “Informacion praktik” dhe poshtë saj renditen, mes të tjerash, disa seksione përfshirë transportin. Të dhënat në këtë faqe lidhur me linjat janë hedhur për herë të fundit në internet në vitin 2019. Ndërkohë ka pasur disa ndryshime qoftë te vendqëndrimet apo Terminalet, që në faqen e Agjencisë nuk reflektohen. Sipas saj, disa autobusë qëndrojnë ende te sheshi “Shqiponja”, ndërsa prej kohësh janë zhvendosur te terminali provizor, pranë Casa Italia.

Nga feedback I marrë nga turistë të huaj por edhe vendas, shumica e informacionit, i marrë nga blogjet dhe interneti, duke qenë i parifreskuar, shpesh është keqinformues, duke të futur në rrugë të degraduara, teksa mund të ketë opsione me rrugë të rikonstruktuara.

e-Transport, mbetur në letra

Nisur si një projekt i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me institucion kyç DPSHTRR dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit platforma synon që të ofrojë “një sistem menaxhimi operacional dhe financiar, për transportin rrugor ndërqytetës të udhëtarëve”.

Kjo do të thotë se qytetarët mund të gjejnë informacion të plotë për terminalet në gjithë vendin, mundësitë e udhëtimit dhe agjencitë e transportit që përshkojnë këto linja, ndryshimet e linjave gjatë një rrugëtimi nga një destinacion në tjetrin, stacionet që përshkohen, blerjen e biletave.

Teksa një pjesë e këtyre proceseve mund të kryhen sot online siç është gjetja e informacionit për linjat (por vetëm për ditën aktuale) blerja e biletave ende nuk ofrohet online.

Edhe pse ka disa elementë me kushtet aktuale të platformës çdo turist por jo vetëm është i detyruar të shkojë pranë terminalit për të marrë informacion.

Platforma sipas informacionit të hedhur online ka të regjistruar të dhëna për 520 linja, 242 operatorë dhe 2,282 mjete.