Pushimet verore janë një mundësi e shkëlqyer për të krijuar kujtime të paharrueshme dhe për të shijuar kohën së bashku si familje. Megjithatë, udhëtimi me fëmijë mund të paraqesë disa sfida që duhet të jenë të parashikuara më parë, për t’u siguruar që të gjithë keni një eksperiencë të mrekullueshme dhe të relaksuar. Por diçka kam kuptuar ndër vite, se një eksperiencë e mirë për mua nuk do të thotë që do të jetë e njëjtë për dikë tjetër, sepse në vetvete koncepti i pushimit është shumë i ndryshëm në persona të ndryshëm. Ajo çfarë dua të paraqes përmes këtij artikulli janë disa detaje nga zgjedhja jonë e këtij viti, duke shpresuar se ndihmoj edhe familje të interesuar në të njëjtin koncept.
Mendoj se çdo zgjedhje për pushime ka veçantitë e veta dhe absolutisht asnjë zgjedhje nuk le në hije një tjetër sepse nga ndryshimi, jeton eksperienca e mbledh kujtime. Dikush shijon vetëm bregun e detit, do qetësinë dhe zgjedhje familjare si Borshi; dikush tjetër zhurmën e Drimadhes, dikush tjetër konceptin all inclusive që mos presë porosinë në restorante apo të shqetësohet sa duhet paguar këtu apo atje etj.
Edhe këtë vit, si një familje prej 4 personash, vendosëm të udhëhiqemi nga 3 parime për zgjedhjen e pushimeve tona:
– jo më shumë se 500 euro personi për një javë, në mënyrë që të përballojmë edhe pushime të tjera
– koncept familjar me facilitete për fëmijë
– koncept all inclusive
Kaluam 6 net dhe 7 ditë në hotelin Iberostar Bellevue Budva, 4 yje. Është një hotel me kapacitete të mëdha, rrjet i një zinxhiri hotelesh që lokalizohen në Greqi (Kretë); Malin e Zi (2 në Budva dhe 1 në Herceg Novi); Portugali (Lisbon dhe Algarve); dhe plot 35 hotele në Spanjë (në vende si Barcelona, Malaga, Tenerife, Majorca, Madrid, Lanzerote, Ibiza, Huelva, Forteventura, Cadiz).
Një veçanti e këtij zinxhiri hotelesh është se ndërtohen të gjithë me pamje nga deti: çfarë mund të duam më shumë apo jo?
Epo, në fakt, në një vend si yni që paga mesatare është rreth 60mijë lek, kërkojmë disa gjëra në mënyrë të tillë që të kënaqemi e të arrijmë atë raportin çmim cilësi.
Këtë vit ishim të dyzuar mes Iberostarit dhe një tjetër hotel në Antalya (të dy i kishim provuar më parë) por zgjodhëm afërsinë, çmimin më të ulët dhe fleksibilitetin që të ofron udhëtimi me makinë kundrejt orareve fikse të avionëve.
Në datat 7-13 korrik, çmimi për standard family room (4persona, 2 adultë dhe 2 fëmijë 6 dhe 3vjeç) ishte 1499 euro, me prenotim të hershëm në prill. Cmimet janë më të lira në qershor dhe më të shtrenjta pas 15 korrikut deri në fund të gushtit. Agjencitë tona kanë marrëveshje me hotelet në Mal të Zi, rrjedhimisht kanë çmime preferenciale kundrejt prenotimit individual, ndaj ne rezervuam përmes një agjencie. Mali i Zi ka infrastrukturë të ngritur turizmi, eksperiencë të hershme, përvojë me koncepte si all inclusive dhe vitet e fundit, ka një përmirësim të dukshëm të cilësisë së ushqimit.
Për të shkuar në këtë hotel ndiqet rruga deri në Doganën e Muriqanit dhe përmes një pajisje gps, jeni në gjendje të zgjidhni rrugën më pak të ngarkuar (ndryshimi është përmes Ulqinit në vijë bregdetare ose në një rrugë më të ngushtë, por të shtruar që të nxjerr në qytetin e Bar e më pas, mbërrin në resort, përmes një rruge tejet panoramike. Sugjerohet respektimi i rregullave rrugore pasi rruga është e mbushur me radarë matës shpejtësie).
Hoteli ndjek politikën e check in 13.30-15.00 dhe check out 11:00. Nqs mbërrihet më herët, pajisesh me byzylykët e klientit, le bagazhet në recepsion dhe mund të vijosh të shijosh facilitetet e hotelit, gjersa dhoma të jetë gati. Ne mbërritëm në orën 11 dhe dhoma u bë gati në 13.00.
Çfarë përfshinte çmimi në këtë hotel?
– dhomën
-ushqimin, pije, snack pa limit nga 7.30 deri në 23.30
– shezlonge në 5 pishinat e resortit
– palestër
-spa, masazhe
– kamp për fëmijë 3-14vjeç
– netë festive /shfaqje pas orës 20.30
Çfarë nuk përfshihej në çmim?
– restoranti alla carté
– vera e bardhë/kuqe
– disa nga masazhet/sauna
-shalzongët në det (çmimi niste nga 12 euro, menaxhohej nga autoritetet lokale)
Çfarë vura re këtë vit?
– Prani e më shumë shqiptarëve se vitet e mëparshme.
– Shërbim i jashtëzakonshëm, të sjellshëm, të edukuar, multilingualë, të gatshëm për të të ndihmuar
– Kontrolle të shpeshta nga eprorë në pastërti në hotel, mbarëvajtje rregulli në ambiente jashtë, në kuzhinë
– Cilësi e mirë ushqimi. Shumë varietet. Më shumë ushqime deti se vitet e tjera. Të freskëta. Vetëshërbim.
-Pastërtia në dhomë 10/10, çdo ditë ndërrim çarçafësh dhe peshqirësh.
– Dedikim dhe profesionalizëm nga stafi i Kids Club.
– Në një ditë të javës organizonin Nata Malazeze, një iniciativë e mbështetur nga autoritetet vendase për të promovuar kulturën e vendit në mesin e turistëve të huaj, jo të paktë në numër.
Lehtësi: Në dhomë lejohej të marrësh snack/kafe/ujë pa kurrfarë problemi (kemi qenë dikur në një hotel që stë lejonte të merrje as ujin). Dhoma ka frigorifer. Në varësi të standardit, ndryshon pamja e ballkonit, cilësia e dhomës dhe madhësia e banjos.
Nuk më pëlqeu: Çmimi i çadrave pranë detit nuk ishte i përfshirë; peshqirët për pishina merreshin ditën e parë e dorëzohen ditën e fundit (i thaje në shazlong ose ballkonin e dhomës. Nuk është higjienike, duhen larë çdo ditë në gjykimin tim, pra çdo ditë të marrë klienti të reja)
Më pëlqeu: Siguria. E jashtëzakonshme. Nuk të humbiste asnjë kapse flokësh, stafi shumë i dedikuar. Kampi i fëmijëve një lehtësi që sëpaku një 2 orësh ne prindërit të shijonim qetësinë me njëri tjetrin.
A do të riktheheshim atje? Fëmijët bërtasin njëzëri POOO. Unë? Ende se di. Mbase pas disa vitesh, do i lë rrugë aventurave të reja.