Ligji për rojet bregdetare dhe mungesa e zbatimit në praktikë

Lajmet e hidhura të dëshmuara ndër vite për humbje jete në plazhe në Shqipëri flasin gjithnjë e më shumë për rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe të rregullave.

Megjithëse ligji i detyron të gjitha stacionet e plazhit, të kenë roje bregdetare, moszbatimi i tij ka sjellë pasoja në jetë njerëzish dhe gjoba për institucionet. 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në 4 vitet e fundit 100 persona kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në dete.

Për herë të parë, në vitin 2002 del një VKM që përpiqej të rregullonte fushën e mbikëqyrjes dhe zbatimit të rregulave në plazhe, përmes stacionimit. Ndër vite ligji ka pësuar ndryshime dhe duket se, më të fundit datojnë në 2019.

Qeveria përmes një vendimi (lexo: https://turizmi.gov.al/wp-content/uploads/2019/07/vkm-171-2019-per-stacionin-e-plazhit.pdf ) detyroi institucionet dhe operatorët privatë, që për çdo 200-250 metra plazh, të ketë kulla 3 metra të larta dhe vrojtues plazhi për të garantuar sigurinë e pushuesve.

Por sa është zbatuar në praktikë ky vendim? 

Pavarësisht me ndryshimet e  bëra në ligj, mungesa e vrojtuesve përbën përgjegjësi penale; vendi numëron rreth 1 mijë vrojtues të licensuar, sipas raporteve të fundit të deklaruara nga Ministria e Turizmit, por duhet thënë që është një numër i vogël krahasuar me mbi 2500 stacione plazhi në të gjithë vijën bregdetare.

Rregullorja i detyron qiramarrësit të kenë një kontratë me një roje të licensuar plazhi por ky rregull nuk është vënë në zbatim në të gjitha stacionet e plazheve, përgjatë vijës bregdetare. 

Sipas informacioneve të marra në terren, jo vetëm kemi të bëjmë me neglizhencë të bizneseve për të zbatuar rregullat, por edhe pagesat e ulëta të këtij ‘profesioni” dhe  puna me kohë të pjesshme, nuk ka qenë në favor të rritjes së numrit të vrojtuesve në  plazh.

Sipas të dhënave të marra nga Kryqi i Kuq në Shqipëri, na bëjnë me dije se janë shtuar të rinjtë, të cilët kanë kryer orë stërvitore për të shpëtuar jetën e qytetarëve në rastet e rrezikut nga mbytja. Por, sipas tyre, duhen iniciativa qeveritare për ta bërë më tërheqës këtë rol kaq human, në mënyrë të tillë që të rinjtë ta zbatojnë si një profesion të mirëfilltë. Sipas tyre, sezonaliteti luan një rol negativ, ndaj dhe të rinjtë shohin për mundësi punësimi të tjera.

Sipas të dhënave të marra nga Federata Shqiptare e Vrojtuesve të Plazhit, paga e një roje bregdetare ose ‘lifeguard’ që e quajnë ata është 40-45 mijë lekë dhe roli që ka, është i jashtëzakonshëm. Sipas tyre, duhet subvencionuar një rritje page nga shteti që të mos i mbetet barra biznesit dhe të bëhet tërheqëse për të rinjtë që ta konsiderojnë. Sipas tyre, një rëndësi të lartë ka edhe zbatimi i rregullave për të vendosur në stacionimin bregdetar flamurin që sinjalizon riskun ose jo nga deti. Federata shprehet se ky rregull neglizhohet totalisht nga më shumë se gjysma e bizneseve. Duhet të rriten kontrollet nga autoritetet ligjzbatuese sipas tyre, si dhe të ndërmerren fushata ndërgjegjësuese që në shkolla, që të mësohen fëmijët që të vegjël me këto informacione.

Po ju, sa shpesh keni hasur roje bregdetare në vendet ku keni pushuar në Shqipëri? Po flamujt sinjalizues a i kontrolloni/zbatoni?