“Bomba” ekologjike, efektet negative të ndotjes së detit nga ujërat e zeza

Photo: Ksamil by Ema's Light

Ndotja e detit nga ujërat e zeza mbetet gangrenë e turizmit shqiptar. Mund të bëjmë një listë të gjatë me problematika, por të gjithë do të biem dakord se ndotja e ujërave konsiderohet ‘krim’ ndaj asaj që natyra na ka falur, e pakursyer.

Sipas të dhënave të Open Data, nga bilancet e vetë Bashkive, përgjatë dekadës së fundit, në bashkitë e Vlorës, Lezhës, Himarës, Sarandës, Durrësit dhe Shkodrës janë investuar së bashku rreth 44.6 milionë euro në ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, por këto investime mbulojnë vetëm një pjesë të vijës bregdetare, duke e ekspozuar pjesën tjetër ndaj ndotjes.

Derdhja e ujërave të zeza në det ndalohet specifikisht në ligjin “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, konkretisht neni 67 (Ligji i Burimeve Ujore), por zbatimi i legjislacionit vazhdon të injorohet.

Raporti i fundit zyrtar për cilësinë e ujrave detare nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit tregon se, faktori kryesor i ndotjes së ujrave bregdetarë të larjes, mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara.

Një tjetër element që i shtohet panoramës së kësaj problematike është se, Shqipëria ka shpenzuar 91.3 milionë euro dhe 547 milionë lekë nga viti 2014 deri në vitin 2021 për ndërtimin e 14 impianteve të përpunimit të ujërave të zeza, sipas të dhënave të konstatuara nga Ministria e Financës.

Përgjegjësia për derdhjen e ujërave të ndotura në det është e pushtetit lokal, por Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të ndjekë zbatimin e ligjeve, të cilat kanë si qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit në të gjithë vendin.

Në raportin e përvitshëm të Agjencisë Evropiane të Mjedisit , e cila rankon cilësinë e ujit për t’u larë, vetëm 67% e tyre në territorin shqiptar kualifikohen me cilësi të shkëlqyer, nga 75% vite më parë.

Agjencia evropiane shprehet se ka kontrolluar 119 pika në vendin tonë gjatë vitit 2022, në raportin e publikuar 1 muaj më parë. Ndërkohë nga kontrollet u evidentua se tetë pika vijojnë të jenë problematike në Shqipëri, për të cilat agjencia e mjedisit duhet të njoftojë pushuesit të mos lahen për shkak të baktereve të ndryshme që shkaktojnë sëmundje. Për shkak të këtyre pikave jemi të parët në Evropë për plazhet me cilësi të dobët.

2 prej pikave janë në Durrës, plazhi Zhiron dhe plazhi pas kanalit në Plepa. Ndërkohë tre të tjera në Vlorë. Ato përfshijnë Plazhin e Vjetër tek Kabina, Shkolla e Marinës dhe Plazhin e Ri.

Dy të tjera ndodhen në liqenin e Ohrit, në plazhin e Pogradecit pranë ish vilave qeveritare dhe plazhi përpara ish Turizmit të Vjetër. Pika e fundit përfshin një liqen në mes të maleve të Çorovodës.

Ekspertët mjedisorë u bien ‘kambanave të alarmit’ se derdhja e ujërave të papërpunuara në brigje dhe plazhe mund të sjellë një dëm të parikuperueshëm për florën dhe faunën nënujore, por edhe për pushuesit që i frekuentojnë këto ujëra.

Biologe Prof. Ac Ani Bajrami, thotë se derdhja e ujërave të ndotura në mjediset ujore prish pothuajse të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor, duke sjellë një dëm të madh dhe të parikuperueshëm për gjallesat e botës nënujore.

“Ndikimi i ujërave të përdorura në mjedise apo ekosistemet natyrore ujore ka të bëjë me shkallën e rritjes së lëndëve trofike ose ushqyese në ujë. Duke u shtuar ky ritëm e bën të pamundur jetesën normale dhe mbajtjen e ekuilibrave normalë ekologjikë të faunës që ndodhet në ujë dhe kjo shkakton atë që ne quajmë ngordhjen masive të peshqve. Praktikisht dalëngadalë mjedisi, nga divers me të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor apo të rrjedhave trofike, shndërrohet gradualisht në një mjedis më tepër bakterial dhe dekompozues”-thotë ajo,

A keni dëshmuar në vendet ku po pushoni ndotje të detit nga ujëra të zeza? Nëse po, na tregoni ku…

2 Comments

  1. Ne Qeparo afer hotelit Valta kanali me ujera te ndotur ka dalje ne det

  2. Ne jale para 3 javesh kishte ndotje te ujit. Eshte per te ardhur keq qe je vitin 2023 haset kjo problematike. Jugun e frekuentojme vetem prej detit, e gjithe fundjava shkoi dem. Mire qe shpenzuam po as nuk u kenaqem.

Comments are closed.