Ishte mars 2018. Po udhëtoja për në Lisbonë me një grup mikeshash. Duke qenë se nuk kishte një fluturim direkt për në qytetin e bukur portugez, fluturimi ynë përfshinte një tranzit në Vjenë. Më kujtohet shumë mirë nxitimi për të kapur fluturimin dhe frymëmarrja e shpeshtuar, të cilën as uji i freskët dhe as qetësia brenda në avion, nuk e stabilizoi dot menjëherë.
Megjithatë, ja ku jemi, duke pritur të ngrihet avioni dhe duke zgjedhur në ekranin para meje, se me cilin film do të shtyja 4 orë fluturim.
Në një moment , pash disa njerëz të mbledhur dy rreshta larg meje dhe më pas, një njeri që u shtri në tokë. Mes qindra mendimesh, duke menduar se mbase dikujt si kishtë bërë mirë vrapi e stresi për të kapur fluturimin, njëkohësisht një ndjesi jo e mirë më pushtoi sepse ishte hera e parë që përballesha me një pamje të tillë. Dhe ndryshe nga çkemi parë në filma: JO! Nuk doli asnjë udhëtar të thoshte “JAM MJEK”.
Menaxhimi i një emergjence shëndetësore në avion kërkon koordinim dhe veprime të shpejta nga ekuipazhi i avionit dhe pasagjerët. Është e rëndësishme që të mos harrojmë gjithashtu se ekuipazhi i avionit është i trajnuar për të përballuar emergjencat shëndetësore dhe ata do të marrin masat e duhura për të siguruar që pasagjerët të jenë mirë. Ndihma e ekipeve mjekësore mund të arrijë me prioritet në destinacionin e udhëtimit ose në ndonjë aeroport midis fluturimeve në rast emergjence, siç ndodhi në rastin e fluturimit tim.
Sa shpesh ndodhin urgjencat mjekësore? Urgjencat mjekësore nuk janë veçanërisht të zakonshme. Sipas një studimi në New England Journal of Medicine, rreth një në çdo 600 fluturime komerciale do të ketë një emergjencë gjatë udhëtimit. Megjithatë, linjat ajrore duhet të përgatiten që ato të ndodhin. Sipas studimit, llojet më të zakonshme të urgjencës ishin të përzierat, të fikëtit dhe problemet e frymëmarrjes. Studimi arriti në përfundimin se në mesin e të gjithë pasagjerëve që kishin përjetuar një urgjencë mjekësore gjatë fluturimit, më pak se 1% rezultuan fatale.
Sot, përmes këtij artikulli, dua të jap disa nga hapat kryesorë për menaxhimin e një emergjence shëndetësore në avion, për ju si paragjerë:
– Kërkoni ndihmë: Nëse ju ose dikush tjetër ndjeheni keq, njoftoni menjëherë ekuipazhin e avionit. Ata do të jenë burimi kryesor për ndihmë në këtë situatë dhe janë të trajnuar për të trajtuar emergjencat shëndetësore.
– Vendosni personin në pozicion të rehatshëm: Nëse dikush ndjehet keq, sigurohuni që të qëndrojë në një pozicion të rehatshëm. Në disa raste, të ngriturit këmbët mund të ndihmojë në qarkullimin e gjakut. Por, për çdo lëvizje, pyesni personat e trajnuar.
– Kërkoni ndihmë nga të tjerët: Nëse nuk keni aftësi mjekësore ose ndihmëse, kërkoni ndihmë nga të tjerët në kabinë. Mund të ketë mjekë apo infermierë në avion që janë pasagjerë dhe ata mund të japin ndihmë derisa ekuipazhi të vijë.
– Sigurohuni që personi të ketë hapësirë: Mos u mblidhni të gjithë tek ai/ajo. Ruani qetësinë dhe secili të qëndrojë në vendet e tyre.
– Mos bëni panik. Mos bërtisni, mos qani ose diçka të ngjashme. Kjo do krijojë situata të pakëndshme për tu menaxhuar nga ekuipazhi, ndërsa ka një tjetër prioritet: I sëmuri.
– Informoni ekuipazhin për medikamentet: Nëse ju keni nevojë për një medikament të caktuar, për një kusht shëndetësor të caktuar, njoftoni ekuipazhin për këtë fakt. Kjo mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë më mirë situatën dhe të japin ndihmë të shpejtë. E njëjta gjë vlen nqs personi që ndihet keq është një i afërmi juaj.
Mbani mend! Në disa raste të rënda, mund të jetë e nevojshme që avioni të kthehet në aeroportin e nisjes ose të ndalojë në një aeroport tjetër për t’u ofruar ndihma mjekësore emergjente.
Po ju, keni hasur ndonjë situatë të ngjashmë? Nëse po, si u menaxhua?