Më kujtohet mirë viti 2017, ku me një grup miqsh, ndiqnim shenjat në pemë për të mbërritur në Ujëvarën e Valbonës, një aventurë e cila na fali shumë të qeshura. Por jo gjithmonë mund të rezultojë e tillë. Aksidente të vogla, aksidente fatale, humbje e të tjera ndodhi të tilla kanë shoqëruar vitet e fundit turistët shqiptarë e të huaj, në zona të ndryshme turistike në vendin tonë. Dukshëm, mungesa e sinjalizimeve të mirëfillta mund të shkaktojë ngjarje të paprecedenta.
Por një lajm i mirë vjen pikërisht këtë vit.
Shtigjet ekzistuese dhe mundësitë e shtigjeve të reja në zona që po marrin gjithmonë e më shumë vëmendje turistike, pritet që të kalojnë një proces digjitalizimi që synon lehtësimin e aksesit të tyre për vizitorët.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tashmë ka shpallur kompaninë fituese për kontratën “Shtigjet në zonat e mbrojtura: Studimi, përmirësimi, mirëmbajtja, markimi dhe hapja e shtigjeve të reja, digjitalizimi për aksesin e tyre online”.
Referuar dokumentave të aksesuara, procedura synon zhvillimin gjithëpërfshirës të zonave dhe të territorit të tyre nëpërmjet krijimit të një sistemi të integruar të shtigjeve për ecje në natyrë, si bazë për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në zonat me vlera të larta natyrore. Pra, çdo aventurier në kërkim të vendeve të reja për të eksploruar do të ketë mundësinë të konsultohet fillimisht me sistemin që tregon ekzaktësisht ku janë shtigjet e panjohura apo të tjera zona, në të cilat ka pasur pak ose aspak sinjalizime, tabela, emërtime.
Kjo pritet të shërbejë për tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, të zgjasë kohën e qëndrimit të tyre, si dhe do të ofrojë kushte për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe të cilësisë së jetës për banorët lokalë. Nëpërmjet këtij projekti parashikohet të përmirësohet oferta turistike dhe në të njëjtën kohë, të bëhet mirëmbajtja e zonave të mbrojtura.
Sipas informacioneve të marra, projekti në fjalë ka të paktën shtatë objektiva, ku së pari është analizimi i gjendjes aktuale të shtigjeve ekzistuese. Më tej, synohet:
– Hartimi i projektit të zbatimit për punimet e mirëmbajtjes për krijimin e hapësirave për pushim gjatë ecjes në shteg, ballkoneve panoramikë dhe sinjalistikës së 5 shtigjeve.
– Unifikimi i shënjimit të shtigjeve
– Shqyrtimi për mundësinë e hapjes së shtigjeve të reja që përfshijnë në rrugëtim monumente natyrorë ose kulturorë.
– Krijimi i 100 guidave në format libri, që përfshin jo vetëm hartat e shtigjeve por edhe informacion mbi zonën e mbrojtur.
– Ngritja e një platforme online në formën e një ëebsite e cila do të përmbajë të gjithë informacionin që gjendet në terren në formë të digjitalizuar.
– Ngritja e kapaciteteve për të mbledhur informacion e për ta vendosur atë në platformë.
Në lupën e të gjithë adhuruesve të turizmit të aventurës, ky projekt merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e bum-it turistik të vendit ku interesi është në rritje.
Vitet e fundit kemi dëshmuar interes të shtuar nga të huajt, jo vetëm për plazhet shqiptare por edhe për turizmin e aventurës. Mungesa e informacionit online por edhe mosunifikimi i shtigjeve sa i takon sinjalistikës, ka bërë që në disa raste turistët të humbasin, edhe për shkak të pakujdesisë apo mosinformimit nga guida lokale, deri edhe të përfundojnë në humbje jete. Le të shpresojmë se lajme të tilla, që janë fatkeqësi për jetët njerëzore por edhe një kartolinë jo e mirë e aspektit të sigurisë në vendin tonë, të mos përjetohen, si dhe të urojmë që infrastruktura turistike të jetë në zhvillim të vazhdueshëm.