Rritja e kërkesës, zhvlerësimi i euros, kostot e punonjësve dhe energjisë kanë bërë që hotelet dhe restorantet të rishikojnë çmimet mes 10-30% në sezonin turistik të këtij viti. Gjatë pyetësorëve të ndryshëm ne hapësirën e Ema’s Light por edhe ne vetë, në bisedat e përditshme me familjarë dhe me miq, duam të dimë çmimet për hotele të ndryshme në vend. Sa kushton një natë akomodimi në hotelet shqiptare? Ky artikull vjen në ndihmë për ju, për të gjitha zonat kryesore (dhe më të kërkuara) në vend.
Cepi më verior i detit Adriatik brenda kufijve shqiptare, mbetet më ekonomiku, ku pushojnë vendasit që duan pushime më të lira, si dhe shqiptarët e Kosovës. Durrësi vijon të mbajë fronin e turizmit të organizuar dhe all inclusive, ndërsa Ksamili dhe Saranda janë bërë “imazhi” ndërkombëtar i turizmit shqiptar, edhe përtej kufijve.
Operatorët turistikë pohojnë se rritja e çmimeve në akomodim luhatet mesatarisht në 10-30% përgjatë bregdetit, me shtrenjtim më të ndjeshëm në pjesën qendrore dhe Jug të vendit, Sipas tyre, kjo ka ardhur si rezultat i kostove më të larta, zhvlerësimit të euros, si dhe shtimit të kërkesës. Këtë e vërteton edhe një test i thjeshtë: në rast se doni të pushoni në një hotel ose apartament në jug, shumë vështirë të gjeni të lirë në rast se nuk keni prenotuar herët.
-Velipoja dhe Shëngjini janë aktualisht pjesa më ekonomike e bregdetit në lidhje me çmimet në akomodim, çmimin për shazlong, si dhe kostot e bareve dhe restorante. Paketat fillojnë nga 50 euro për dy net e tre ditë e deri në 80 euro në ditë/personi. Operatorët pohojnë se është rritur numri i turistëve nga Kosova që kanë zgjedhur këtë rajon, por vihet re edhe një prani më e lartë e vendasve, kryesisht familje. Krahasuar me një vit më parë, në lidhje me akomodimin, pa përfshirë ushqimin, Velipoja dhe Shëngjini kanë shënuar të njëjtën rritje me rreth 20% të mesatares së çmimeve. Kjo do të thotë që zakonisht, një dhomë me çmim ekonomik që më parë ishte 25 euro tashmë është 30 euro.
-Durrësi, dikur oazi i shqiptarëve të Kosovës, tashmë njihet si zona me turizmin më të organizuar (me kontrata me të huajt) dhe që ofron konceptin all inclusive në vend. Operatorët e strukturave akomoduese raportojnë se këtë vit, rritja në zonën e Durrësit dhe Kavajës është mesatarisht mes 10-15% dhe kjo ka të bëjë më shumë me kostot e shtuara që lidhen me krahun e punës. Këtë vit ka pasur një mungesë të theksuar për punonjës. Çmimet variojnë nga 35 euro në mbi 180 euro/nata. Polakët mbeten në krye të grupeve të organizuara, duke qenë pjesa kryesore e turistëve që qëndrojnë në rajonin e Durrësit dhe Kavajës. Çekët janë një tjetër grup i organizuar, teksa këtë vit është shtuar edhe grupi i spanjollëve që po qëndrojnë te hotelet Melia në Gjirin e Lalëzit. Sipas burimeve në treg, për herë të parë kjo kategori turistësh vjen e organizuar në vend.
-Panorama duket e ngjashme dhe në jug të vendit, sa i përket rritjes së kostove. Rritja e kërkesës ka bërë që në Ksamil, çmimet për strukturat ekonomike të nivelit mesatar të shënojë rritje me 10%, ndërkohë që për strukturat me çmime mesatarisht të larta, ka shënuar rritje me 15%. Për Sarandën ka një rritje të dukshme të kapaciteteve akomoduese sidomos në segmentin e apartamenteve dhe që preferohen kryesisht nga nga 5-10%. Çmimet variojnë nga 50 euro në mbi 160 euro/nata.
-Nga Palasa e deri në Lukovë, numri i strukturave në Booking si mundësi akomodimi ka ardhur në rritje. Janë vila apo shtëpi të thjeshta të përshtatura për akomodim, të cilat shoqërohen me zhargonin “New to Booking” (të reja në Booking), që kanë hapur dyert për të përfituar nga bumi turistik që po përjeton vendi. Mund të gjesh shtëpi që nisin nga 180 euro për një javë, por larg nga plazhet, e deri në vila që ofrohen për 2400 euro për një javë. Teksa Dhërmiu, Vunoi, Palasa e nisën këtë tranzicion të banesave në struktura disa vite më parë, tendenca po përfshin masivisht çdo fshat të bregdetit. Borshi dhe Qeparoi duket se janë aktualisht dy prej atyre që po shënojnë edhe rritjen më të dukshme të frekuentimit.
-Vlora, profil i preferuar për familjarët. Investimet që janë bërë në disa struktura në Vlorë, që kanë orientim më luksoz, si dhe prania e marinës së jahteve ka bërë që profili i turistit që has në qytet të jetë i larmishëm. Çmimet kanë ndryshuar kryesisht te hotelet mesatare e me çmim të ulët që llogariten në 15% më shtrenjtë. Për segmentin e shtrenjtë të strukturave, rritja e çmimeve arrin deri në 30%. Mesatarisht çmimet luhaten nga 40 në 200 euro/nata.
Na thoni në komente, ku po pushoni dhe a ka ndryshim çmimi me vitin e shkuar?