Shqipëria është një vend i cili është konsideruar “Perla e pazbuluar e Europës” nga turistët anembanë botës. Vitet e fundit, turizmi është shndërruar në një kapilar të fortë ekonomik, duke sjellë të ardhura të vazhdueshme. Për shkak të kësaj, kërkesa për ndërtime në këtë sektor është rritur dhe ka pasur një zhvillim të ndërtesave akomoduese dhe infrastrukturës turistike.
Këto faktorë kanë bërë të mundur një rritje të interesit për të ofruar strehim, krahas hoteleve, edhe në mënyrë të përditshme, nëpërmjet platformave të tilla si Airbnb. Dihet tashmë modeli Airbnb, kudo në botë, si një mënyrë për të fituar të ardhura shtesë. Një numër i madh i qyteteve bregdetare dhe zonave të tjera turistike, si Saranda, Vlora, Durrësi, Berati, Gjirokastra dhe Thethi, janë vende të preferuara për shumë turistë. Kjo rriti nevojën për opsione të akomodimit të ndryshëm dhe potenciali për t’u shfrytëzuar nga pronarët e pronave private, ka bërë të mundur pikërisht përdorimin e platformave si Airbnb.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se rritja e turizmit dhe shfrytëzimi i Airbnb duhet të menaxhohen me kujdes për të ruajtur trashëgiminë natyrore dhe kulturën e vendit, si dhe për të garantuar standardet e sigurisë dhe kualitetit të strehimit të ofruar.
Me një kërkim të thjeshtë në platformën Airbnb në korrik 2023, me “Albania listings”, rezultojnë mbi 10’000 njësi akomodimi të disponueshme për t’u përdorur nga të interesuar.
Në Shqipëri janë zyrtarisht rreth 41 mijë dhoma me 98 mijë shtretër, sipas të dhënave të INSTAT, që i referohen vitit 2021 dhe janë publikuar në fund në 2022. Në gjithë vendin funksionuan 1.457 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) deri në fund të vitit 2021, po sipas INSTAT.
Ende nuk ka të dhëna më të afërta në kohë për numrin total të njësive të akomodimit apo shtretërit, por duke marrë në konsideratë se në 2022 dhe 2023 Shqipëria pati disa hyrje të reja në sektorin e hotelerisë, hamendësimi se numri i shtretërve është rritur, është i saktë.
Të dhënat e tjera nga Airbnb dhe Booking tregojnë se në korrik kishte rreth 20 mijë njësi akomoduese private në apartamente dhe shtëpi, që nuk janë hotele apo resorte.
Çmimi mesatar i akomodimit në Tiranë në platformat Airbnb ose Booking është rreth 40-45 euro për natë, sipas AirDNA, që është një platformë analizuese të të dhënave të gjeneruara nga platforma AirBnb, por edhe të ngjashme.
Në vendet bregdetare të Shqipërisë si Vlora dhe Saranda, çmimet mesatare të akomodimit në platformën Airbnb variojnë nga 64 deri në 67 euro/nata. Por kujdes! Çmimet kanë ndryshime të vazhdueshme.
Rrethi i Vlorës është edhe zona që ka më shumë listime në platformat online me 4071 të tilla, kryesisht në vijën bregdetare, ku edhe çmimet janë më të larta, në përputhje të plotë me kërkesën.
Në Durrës akomodimi kushton mesatarisht rreth 72 euro/nata. Në të njëjtën kohë, qyteti bregdetar ofron disa nga opsionet më të lira, me çmime të ulëta rreth 15 euro/nata. Ky aspekt e bën më të lehtë për turistët me një buxhet të kufizuar gjetjen e opsioneve të përshtatshme për ta.
Ksamili renditet si destinacioni më i lirë i sugjeruar nga Airbnb për të kaluar verën, sipas artikujve të mediave më prestigjioze të huaja. Sipas burimeve në treg, çmimi mesatar i një dhome dyshe për një natë nga data 15 korrik deri më 31 gusht në Ksamil varion nga 60 deri në 115 euro.
Por Airbnb ‘shqiptare’, ky model i përqafuar shumë vitet e fundit, shoqërohet me disa problematika. Sipas të dhënave të ofruara nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit Shqiptare, 47% e tregut në Shqipëri është informal pa një numër NIPT-i aktiv për sa u përket strukturave akomoduese. Sipas politikave tatuese në këto platforma, tatimi mbi strukturat varet nga ligjërimi fiskal i vendit në të cilin ndodhet subjekti dhe praktikat fiskale të aplikuara nga kompanitë e rezervimeve. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, këto platforma duhet të paguajnë 20% TVSH.