Të arrish herët në aeroport mund të jetë fantastike nëse nuk ka njerëz të tjerë rrotull. Ka kohë për të bërë pazar në duty free, për të ngrënë diçka apo edhe për t’u çlodhur në sallën e pritjes, me një libër në dorë. Por, nuk ka asgjë më zhgënjyese sesa të mbërrish relativisht herët dhe të shohësh që radhët te sportelet e check in dhe më pas, në zonën e kalimit të sigurisë, janë aq të gjata, sa që përfundoni të bëni një vrap të mirë drejt portës suaj.
Ditët më të ngarkuara për të udhëtuar, ose periudhat me trafik të lartë të udhëtarëve, zakonisht ndryshojnë nga vendi në vend dhe nga sezoni në sezon. Megjithatë, disa prej ditëve dhe periudhave më të ngarkuara për të udhëtuar, në shumë vende të botës janë:
- Pushimet Verore: Gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, shumica e njerëzve kanë pushimet e tyre verore (nga puna ose shkolla) dhe kjo krijon një ngarkesë të madhe në aeroporte, linja autobuzësh dhe trafik në rrugë. Dhe pikërisht këta 3 muaj konsiderohen muajt më të ngarkuar për udhëtime e fluturime në të gjithë botën.
- Festat: Festat e ndryshme fetare dhe kombëtare, si Krishtlindjet, Viti i Ri, Pashkët dhe festat vendase, mund të sjellin trafik të intensifikuar në aeroporte, stacione treni dhe rrugë. Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë ditët më të ngarkuara në të gjithë botën, Pashkët kryesisht në Europë, Bajrami në shtetet lindore, Dita e Shën Valentinit në të gjithë botën, Dita e Pavarësisë së SHBA pra 4 Korriku në SHBA, Dita e Falenderimeve pra e enjtja e katërt e nëntorit, kryesisht në SHBA etj.
- Fundjavat: Ditët e fundjavës, sidomos të premten pasdite dhe të shtunën, zakonisht kanë trafik të madh, sepse shumë njerëz udhëtojnë për të kaluar fundjavën në destinacione të ndryshme. Vitet e fundit është vënë re një shtrenjtim i tarifave për udhëtime në këto ditë.
- Evente të ndryshme: Konferenca, koncerte, festivale dhe ngjarje të tjera të mëdha në një destinacion mund të shkaktojnë një rritje të trafikut. Si shembull konkret, Kupa e Botës, koncerte të ndryshme të këngëtarëve të preferuar etj. (Këtë korrik ‘u ndez’ Milano me Coldplay, ku pati shumë pjesëmarrës shqiptarë)
- Sezoni Turistik tipik: Dihet tashmë se sezoni dimëror është i ngarkuar me udhëtarë që vërshojnë në zona për ski. Për shembull, sa i përket fluturimeve, ka ngarkesë në zonat e Italisë Veriore apo Zvicër, ndërsa në udhëtime me makinë në zonat rajonale si Mali i Zi dhe Maqedonia. Mos lëmë pa përmendur edhe stinën e verës, me preferencën për zonat bregdetare, gjë e cila gjithashtu mund të sjellin trafik të lartë të udhëtarëve. Këtë sezon veror, Italia e Jugut ka qenë shumë e preferuar për t’u frekuentuar dhe ka sjellë jo pak problematika me vonesa oraresh, flukse njerëzish etj.