Të premten e shkuar, një tërmet me magnitudë 6.8 goditi Marokun duke vrarë rreth 3000 njerëz dhe duke plagosur mijëra të tjerë. Tërmeti shkaktoi shembje të ndërtesave dhe ka të ngjarë të ketë edhe pasgoditje në rajon.
Përpjekjet e shpëtimit dhe rehabilitimit të zonës së prekur po vijojnë ende pas 1 jave. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 70 km në jugperëndim të Marrakesh-it, një qytet i njohur për vizitorët ndërkombëtarë.
Ekspertët kanë thënë se pasgoditjet nga tërmeti janë të mundshme në rajon për dy javët e ardhshme. Të paktën 25 kanë ndodhur që nga e premtja, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare.
Por, teksa shumë njerëz janë interesuar më parë për të vizituar këtë vend, apo disa të tjerë që kanë rezervuar për ta vizituar këtë vjeshtë, a është e sigurt të udhëtosh në Marok?
Cilat pjesë të Marokut janë prekur nga tërmeti?
Epiqendra e tërmetit ishte e lartë, në malet Atlas që do të thotë se zonat më të prekura janë në Marokun qendror. Shumica e fataliteteve dhe përpjekjeve të shpëtimit, janë të përqendruara në fshatra të largëta malore, që janë të vështira për t’u aksesuar.
Shërbimi Gjeologjik Evropiano-Mesdhetar raportoi se “për shkak të thellësisë së ngjarjes dhe afërsisë së saj me qendrat e larta të popullsisë, shumë ndërtesa pësuan lëkundje të forta që mund të rezultojnë në katastrofë”.
Qendra turistike më e afërt është qyteti i katërt më i madh i Marokut, Marrakeshi, ku ndërtesat janë dëmtuar ose shembur për shkak të katastrofës. Pjesa më e madhe e dëmeve ka ndodhur në Medine – një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe pjesa më e vjetër e Marrakesh-it. Ndërtesat e saj historike nuk u ndërtuan, duke marrë parasysh tërmetet.
Malet e Atlasit janë gjithashtu një destinacion popullor për ecje për turistët, ndaj nuk rekomandohet vizita në atë zonë, pas katastrofës.
Ndërsa lëkundjet u ndjenë deri në Spanjë dhe Portugali, pjesa tjetër e Marokut mbeti e paprekur. Destinacionet e njohura turistike Agadir dhe Essaouira panë vetëm dëme të vogla në ndërtesa. Casablanca, Tangier dhe kryeqyteti Rabat në veri të vendit, gjithashtu i shpëtuan dëmeve të konsiderueshme nga tërmeti.
A është e sigurt të udhëtosh në Marok tani?
Ka dëme të konsiderueshme në lagjen historike të Marrakeshit, e njohur si Medina, e famshme për rrugicat dredha-dredha, xhamitë dhe tregjet e saj. Qytete të tjera më të vogla dhe fshatra aty pranë, u shkatërruan pothuajse plotësisht, me numrin e të vdekurve që vlerësohet të jetë rreth 3,000.
Edhe pse fluturimet vazhdojnë si zakonisht në aeroportin e Marrakeshit, nuk rekomandohet të udhëtohet në atë qytet në javët në vijim, për shkak të krizës së menjëhershme humanitare dhe përpjekjeve për ndihmë emergjente.
Destinacione të tjera, si Tangierja veriore ose qyteti bregdetar i Essaouira, pësuan ndikime minimale nga tërmeti dhe mund të vizitohen pa asnjë problem, edhe tani.
Çfarë ndodh nëse zgjedh të anuloj pushimet në Marok?
Udhëtimi për në një destinacion që është në mes të një krize humanitare, natyrshëm zbeh dëshirën për të vizituar atë vend, sidomos nëse konsiderojmë faktin se tërmeti si fenomen i paparashikueshëm, lë ndjesi ankthi te njerëzit.
Për këtë arsye, udhëtarët mund të kërkojnë të anulojnë pushimet e tyre ose të largohen herët nga Maroku. Megjithëse fluturimet funksionojnë normalisht, disa linja ajrore, duke përfshirë ITA Airways që realizon fluturime me tranzit nga Shqipëria, po u japin klientëve mundësinë të diskutojnë rezervimin e tyre me ekipin e tyre të shërbimit të klientit. Kjo mund t’ju lejojë të rezervoni, shtyni apo edhe të ndryshoni destinacionin e fluturimit tuaj.
Nëse keni rezervuar një udhëtim në Marrakesh ose në Malet Atlas në dy javët e ardhshme, akomodimi mund të jetë gjithashtu një problem.
Në komunikimet me disa agjenci turistike në vend, këshillohet se, është më mirë të kontaktoni agjencinë tuaj të udhëtimit ose operatorin turistik, pasi ata ka të ngjarë të ofrojnë fleksibilitet për shtyrjen ose rezervimin e pushimeve tuaja.
Megjithatë, nëse udhëtimi juaj është rezervuar për zona jashtë rajoneve të prekura, do t’ju duhet të kontrolloni me kompanitë me të cilat planifikoni të udhëtoni. Ata nuk kanë gjasa t’ju ofrojnë të njëjtin fleksibilitet, pasi shërbimet funksionojnë normalisht dhe anulimi mund të nënkuptojë se nuk do të merrni mbrapsht paratë tuaja.
Është e trishtë të mendosh se një ngjarje e tillë, mund të kishte prekur këdo nga ne… Ju ftojmë të lexoni eksperiencën e mëparshme të Ema’s Light në këtë vend.
Na thoni në komente nëse ndokush po pret të udhëtojë drejt Marokut dhe se si do të veprojë, pas kësaj katastrofe natyrore…