Shtetet evropiane po shfrytëzojnë mundësinë për të punuar në distancë, duke krijuar programe të veçanta vizash për nomadët digjitalë*. Me potencialin e turizmit që sa vjen e po vlerësohet më shumë në Evropë, shtete nga Kroacia e deri në Spanjë po e bëjnë përkohësisht më të lehtë marrjen e një leje qëndrimi, nëse punoni për kompani të huaja. Kjo, pasi këto programe rrisin numrin e banorëve në qytete turistike jashtë sezonit, si dhe ndihmojnë duke luftuar efektet negative të plakjes së popullsisë dhe largimit (të trurit) nga vendet.
Që prej vitit 2022, një program i tillë ofrohet gjithashtu edhe në Shqipëri. Të huajt që janë të punësuar në kompani joshqiptare dhe fitojnë më shumë se €9,800/vit, kanë mundësi të aplikojnë për Lejen Unike, e cila lejon qëndrimin në vendin tonë deri në një vit. Kjo leje mund të rinovohet deri në 5 herë rresht, për një total prej 5 vitesh qëndrimi në vend.
Më poshtë gjeni listën e shteteve që gjithashtu ofrojnë leje qëndrimi për punonjësit në distancë:
Kroacia: Që prej 2021, ju mund të aplikoni për leje qëndrimi 1 vjeçare në Kroaci, me mundësi rinovimi në vazhdim. Kostoja e aplikimit është €60 dhe nga skema mund të përfitojnë vetëm shtetasit e vendeve jashtë BE që punojnë në sektorin e “teknologjisë së komunikimit” për një kompani jashtë Kroacisë dhe që kanë të ardhura më shumë se €2,300/muaj. Personat e afërt të aplikantit kanë gjithashtu mundësi të aplikojnë për leje qëndrimi në Kroaci.
Qipro: Shteti ishullor ka nisur që prej vitit 2021 programin e lejeve të përkohshme të qëndrimit. Numri total i lejeve të qëndrimit që do të lëshohen është 500 dhe këto leje do të jenë të vlefshme për një vit, me mundësi rinovimi për dy vite të tjera. Kostoja e aplikimit është €70 dhe të drejtë për të aplikuar kanë qytetarët e vendeve jashtë BE, që punojnë për kompani të regjistruara jashtë Qipros dhe që fitojnë €3,500/muaj ose më shumë. Aplikantët gjithashtu kanë mundësi të sjellin familjarët e tyre në Qipro, por këta të fundit nuk lejohet të punojnë brenda vendit.
Çekia: Punonjësit në distancë mund të aplikojnë për licenca afatgjata biznesi dhe freelance* në Republikën Çeke. Aplikimi kushton €200 dhe punonjësit duhet të jenë shtetas i një prej vendeve jashtë BE, si dhe të kenë të paktën €5,000 në llogarinë e tyre bankare. Këta punonjës gjithashtu duhet të kenë lidhje me kompani brenda Republikës Çeke.
Estonia: Programi i vizave për digital nomads në Estoni ka nisur në verën e 2020-ës dhe lejon personat e punësuar nga kompani jashtë vendit, si dhe freelancers* me klientë jashtë Estonisë, të jetojnë dhe të punojnë brenda vendit deri në një vit, me mundësi rinovimi për gjashtë muaj të tjerë. Kostoja e aplikimit është €100 dhe si kusht, përfituesi i lejes së qëndrimit duhet të ketë fituar të paktën €3,500/muaj gjatë gjashtë muajve të fundit përpara aplikimit. Nëse përfituesi qëndron në Estoni për më shumë se gjysmë viti, atij i duhet të paguajë gjithashtu taksat lokale. Estonia gjithashtu ofron edhe “e-residency”, e cila i jep mundësi sipërmarrësve në distancë akses në shërbimet online të Estonisë pa patur nevojë të jenë rezident të vendit. Kjo mund të përdoret për të krijuar një kompani online, për të përdorur shërbimet bankare, si dhe për të deklaruar taksat në Estoni.
Finlanda: Për sipërmarrësit dhe personat e vetëpunësuar nga vende jashtë BE, Finlanda ofron viza 6-mujore qëndrimi. Aplikimi kushton €400 dhe si kusht janë të ardhurat prej €1,220/muaj ose më shumë.
Greqia: Vendi fqinj ofron viza një-vjeçare, me mundësi zgjatjeje duke përfituar leje qëndrimi, për personat që vijnë nga vende jashtë BE. Kostoja e aplikimit është €75 dhe si kusht, aplikanti duhet të fitojë të paktën €3,500/muaj, si dhe të mos punojë për kompani greke.
Hungaria: “Karta e Bardhë” hungareze i lejon shtetasve të vendeve jashtë BE të qëndrojnë në Hungari deri në një vit, si dhe të mos paguajnë taksa gjatë gjashtë muajve të parë të qëndrimit. Kostoja e aplikimit është €110 dhe aplikantët duhet të fitojnë të paktën €2,000/muaj, si dhe të qëndrojnë në Hungari të paktën 90 ditë gjatë një periudhe prej 180 ditësh. Aplikantët gjithashtu nuk kanë mundësi të punojnë gjatë kohës së qëndrimit për kompani hungareze.
Islanda: Qeveria islandeze ka si qëllim të tërheqë individët me fitime të larta, pasi për të marrë një leje qëndrimi gjashtë mujore në vend, duhet që aplikanti të fitojë të paktën €7,075/muaj. Aplikantët gjithashtu nuk kanë mundësi të punojnë për punëdhënës nga Islanda gjatë kësaj periudhe.
Italia: Programi i vizave në Itali është vendosur në legjislacionin italian në Mars 2022, por ende nuk janë finalizuar detajet se si do të funksionojë kjo leje. Megjithatë, pritet që Italia të tërheqë punëtorët e aftë, të cilët duhet të përmbushin kushte si sigurimi i jetës, dëshmi e pastër penale, si dhe të mos kenë probleme të mëparshme me taksat dhe tatimet.
Letonia: Qeveria letoneze ka publikuar planin e saj për viza për nomadët digjitalë në 2022, por legjislacioni është duke u modifikuar përpara se të zyrtarizohet. Sipas autoriteve, aplikantët duhet të jenë shtetas ose rezidentë në vende që janë pjesë të OECD (këtu përfshihet dhe Shqipëria). Ata gjithashtu do të kenë mundësi që të aplikojnë për shtetësi letoneze pas 5 vitesh qëndrimi të ligjshëm në Letoni.
Malta: Malta ofron jo vetëm një program rezidence për nomadët digjitalë për një periudhë një-vjeçare, por edhe mundësinë për të përfituar një leje qëndrimi tre-vjeçare për shtetasit e vendeve jashtë BE, të cilët investojnë të paktën €25,000 për të nisur një biznes në Maltë. Nëse biznesi është i suksesshëm, leja mund të zgjatet edhe për 5 vite të tjera.
Mali i Zi: Qeveria malazeze publikoi planet për vizat për punonjësit në distancë në 2021, por aplikimet pritet të nisin në vitin 2025. Aplikantët do të kenë mundësi të qëndrojnë në Mal të Zi deri në katër vite dhe do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësime për taksat, por detajet nuk janë publikuar ende.
Norvegjia: Programi i vizave norvegjeze i jep mundësinë shtetasve nga vendet jashtë BE të aplikojnë për leje qëndrimi dhe vizë kontraktori të pavarur për të jetuar dhe për të punuar në distancë në Norvegji. Aplikantët duhet të kenë të paktën një klient norvegjez dhe duhet të paguajnë taksa në Norvegji. Kostoja e aplikimit është €600 dhe aplikanti duhet të fitojë të paktën €3,000/muaj.
Portugalia: Qeveriza portugeze zbuloi programin e vizave për nomadët digjitalë në Tetor 2022, ku mund të aplikojnë shtetasit e vendeve jashtë BE. Programi ende nuk ka hyrë në fuqi, por aplikanti duhet të jetë i punësuar ose i vetëpunësuar në një kompani jashtë Portugalisë, si dhe të fitojë të paktën €2,800/muaj.
Rumania: Viza rumune për nomadët digjitalë lejon aplikantët me shtetësi nga vendet jashtë BE të qëndrojnë të paktën 1 vit në Rumani. Aplikanti duhet të paguajë sigurimet e shëndetit, të ketë një dëshmi të pastër penale, si dhe të fitojë të paktën €3,300/muaj nga një kompani jashtë Rumanisë. Aplikantët që qëndrojnë për një kohë të gjatë nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale dhe kontribute shoqërore, si dhe nuk do të paguajnë taksa të tjera nëse janë taksapagues në një shtet tjetër. Për të përfituar, aplikantët nuk duhet të qëndrojnë në Rumani për më shumë se 183 në një periudhë 12 mujore.
Spanja: Programi i vizave për punonjësit në distancë hyri në fuqi në Spanjë në Shkurt 2023. Skema i jep mundësinë shtetasve nga vendet jashtë BE të qëndrojnë dhe të jetojnë në Spanjë për një periudhë deri në 5 vite. Kostoja e aplikimit është €80 dhe aplikanti duhet të fitojë të paktën €2,334/muaj. Familjarët e aplikantit gjithashtu mund të aplikojnë për leje qëndrimi në Spanjë, për sa kohë kanë provë se kanë fitime të mjaftueshme për të jetuar. Aplikantët që fitojnë më pak se €600,000/vit do të paguajnë vetëm 15% taksa gjatë katër viteve të para të qëndrimit, në vend të taksës 24% të Spanjës.
*Nomad digjital – punonjës në distancë, i cili jeton jashtë vendlindjes dhe punon për një kompani jashtë shtetit të rezidencës
*Freelance/freelancer – punëtor i lirë, i vetëpunësuar
Burimi: Euronews – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light