Ja përse duhet t’i paguani patjetër gjobat e makinës që ju faturohen në vendet e BE-së

gjoba makine bashkimi evropian

Pas një turi me makinë nëpër Evropë, nuk ka kthim më të “bukur” në shtëpi sesa një gjobë e majme në një prej vendeve të Bashkimit Evropian. Në fakt, shumë mendojnë se këto gjoba mund të injorohen, sidomos pasi Shqipëria nuk është pjesë e BE-së. Por në të vërtet, mospagimi i këtyre gjobave mbart pasoja serioze, që do t’ju penalizojnë jo vetëm ju si drejtues mjeti, por edhe në udhëtimet e ardhshme.

Gjatë kohës që udhëtoni në shtetet e Bashkimit Evropian, të dhënat e drejtuesit të mjetit dhe shkeljeve që ai ka kryer ndahen midis autoriteteve policore të të gjitha vendeve anëtare. Nëse jeni rezidentë në një vend të BE-së, gjoba do t’ju vijë automatikisht në shtëpi dhe do të jeni të detyruar ta paguani.

Situata në Shqipëri është pak më ndryshe, pasi gjoba nuk do t’ju vijë në shtëpi. Megjithatë, një ndryshim i propozuar më herët gjatë 2023-it nga Komisioni Evropian i jep mundësi autoriteteve të vendeve të BE të mbledhin gjoba edhe nga udhëtarët që nuk janë rezidentë në BE. Sipas këtyre masave, shtetet e Bashkimit Evropian do të kenë mundësi të kërkojnë një pagesë për shkeljen, e cila mund të vijë në formë letre në adresën tuaj. Nëse keni kryer shkelje si: tejkalimi i normave të shpejtësisë, mospërdorimi i rripit të sigurisë dhe shkeljeve të ndryshme të sinjalistikës, kjo letër nuk ka një afat kohor, dhe mund të mbërrijë tek ju muaj ose vite pas udhëtimit tuaj.

Në rast se merrni gjobë në një prej vendeve të Bashkimit Evropian, do t’ju rekomandonim ta paguanit atë menjëherë. Duke marrë parasysh edhe kamatvonesat, nga një gjobë e thjeshtë, mund të përfundoni duke paguar gjoba qindra-euroshe për shkelje që i keni bërë përpara shumë kohësh. Jo vetëm kaq, por nëse e paguani gjobën menjëherë, në shumë vende do të keni mundësi të përfitoni zbritje në vlerën e gjobës. Në Itali, nëse gjoba paguhet brenda 5 ditëve, vlera e saj ulet me 30%.Francë, një gjobë për tejkalim shpejtësie me vlerë €135 reduktohet në €90 nëse paguhet brenda 15 ditëve.

Edhe nëse keni përdorur një makinë me qira përgjatë udhëtimit, është përgjegjësia juaj për të paguar gjobat që ju merrni gjatë kohës që drejtoni mjetin. Kjo gjë përcaktohet në kontratën që ju firmosni. Kompanitë e qiradhënies së makinave shpesh njoftohen menjëherë për gjobat që merr mjeti dhe do t’ju kontaktojnë për pagesën. Madje, ato edhe mund t’ju faturojnë kosto administrative shtesë për këtë gjobë. Nëse ju nuk paguani gjobat teksa drejtoni një makinë me qira, rrezikoni të humbisni mundësinë për të marrë makina me qira në shtetet e Bashkimit Evropian.

Po ju, keni patur ndonjëherë probleme me gjoba gjatë udhëtimeve? Si ka qenë eksperienca juaj?

2 Comments

  1. Ema pershendetje. Ne sapo u kthyem nga kybudhetim dhe patem kete problem ne Kroaci. Ata na thane qe do na i dergojne ne adrese. Si duhet te veprojme ne ne keto raste ?

  2. Ne fakt asnje problem nuk ka.
    1700 euro gjoba ne itali kan ardhur pas 6 muajsh.
    U be 1 vit koker leku skam paguar pasi u konsultova me avokat shqiptar dhe italian. Ne 1 jave itali 1700 euro gjoba nosens per tabela qe slejohen makina jorezidente + gjoben e kompanise.

    Mos i paguani hic ! 😁🖐🏻

Comments are closed.