Të gjithë të apasionuarit e turizmit kulturor, në qoftë se po lexoni këtë artikull, me siguri do të jeni dakord me mua kur them se kërkimi mbi muzetë apo të tjera institucion kulturore janë në top listën tuaj në momentin që vendosni të vizitoni një vend të caktuar. Jam e sigurt që kur udhëtoni në Paris, nuk lini pa vizituar Louvre, apo Sagrada Famiglia-n në Barcelonë apo Colosseum në Romë. Po sa prej jush (përfshirë edhe veten) kemi vizituar atë çka historia shqiptare e kulturës na ka lënë trashëgimi?
Jemi mësuar të dëgjojmë apo lexojmë në artikuj të ndryshëm që trumbetojnë bukuritë shqiptare, se të huajt i vlerësojnë më shumë ato pjesë të trashëgimisë sonë kulturore që përfaqësojnë kalatë, muzetë apo dhe parqet kombëtare.
Atëherë është koha që të marrim lapsin dhe letrën (ose telefonin a ipad-in) dhe të bëjmë një listë se çfarë muzesh apo kalash mund të vizitojmë në Shqipëri.
Sipas statistikave të INSTAT, në vitin 2021, numri vizitorëve shqiptarë dhe të huaj që kanë vizituar muzetë, dhe kala e monumente të tjerë ka qenë afërsisht 424 mijë persona duke u rritur me 2,2 herë krahasuar me vitin 2020. Statistikat për vitin e shkuar nuk janë publikuar ende, por tendencat priten të jenë në rritje.
Burimi: INSTAT, përpunim i Ema’s Light
Për shkak të pandemisë, institucionet kulturore jo vetëm u përballën me kufizime të ndryshme në aktivitetet e tyre, por edhe ndryshimet që prekën segmentet ekzistuese të audiencës: fillimisht u përballën me mbylljen, më pas vizitorët në grup u zëvendësuan nga individë dhe vizitorë familjarë. Ajo çfarë duhet të konsiderojmë është Muzeu (Kalatë, parqet) si pjesë e një oferte komplekse turistike. Plani i kohës së lirë ose rekreacionit të një turisti përbëhet nga aspekte të ndryshme. Është më e lehtë të vendosësh të vizitosh një muze nëse është pjesë e një oferte komplekse turistike. Është i rëndësishëm për muzetë apo kalatë/objektet e tjera kulturore që të ruajnë misionin por, turizmi duhet konsideruar si një aspekt i rëndësishëm i spektrit të aktiviteteve të një muzeu. Për të arritur këtë, muzetë duhet të punojnë më ngushtë me ofruesit e shërbimeve turistike dhe të kuptojnë më mirë modelet e vendimmarrjes së turistëve.
Është e nevojshme të sigurohet mbështetje financiare për aktivitete specifike turistike në muze. Përveç disponueshmërisë së burimeve njerëzore dhe kohore, disponueshmëria e fondeve është gjithashtu faktor thelbësor në promovimin e turizmit. Sipas të dhënave të marra në terren, jo të gjitha objektet kulturore kanë buxhete për aktivitetet turistike. Duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar financiar të muzeve, mund të argumentohet se financimi i jashtëm shtesë është ndoshta mënyra e vetme për të forcuar ndjeshëm aktivitetet turistike të muzeve. Gjithashtu, duhet promovuar bashkëpunimi ndërmjet muzeve/kalave dhe institucioneve dhe organizatave të tjera. Është vështirë të përcaktohen rekomandime specifike për mekanizmat e bashkëpunimit, por mund të sugjerojmë:
a) bashkëpunimi ndërmjet muzeve/kalave dhe ofertat e përbashkëta turistike,
b) bashkëpunimi ndërmjet muzeve/kalave dhe qendrave të informacionit turistik
c) bashkëpunimin ndërmjet muzeve/kalave dhe guidave
d) bashkëpunimi i mundshëm ndërmjet muzeve/kalave dhe diasporës
Shqipëria do të ketë kaq shumë për të ofruar nga ana kulturore, sikur të ketë vëmendjen e duhur të instancave të larta për përpilimin e një strategjie afatgjatë restaurimi dhe shfrytëzimi të këtyre aseteve historike…