Muajin e shkuar u miratuan disa ndryshime të reja në ligjin për menaxhimin e ndotjes akustike, të cilat priren të shtojnë masat ndëshkuese. Toleranca korruptive dhe e ndëshkueshme ndaj detyrimeve ligjore për menaxhimin e shëndetit mjedisor urban, po shkakton degradim të cilësisë së jetës dhe të shëndetit të banorëve të qyteteve të mëdha në Shqipëri. E të mendosh që sezoni veror është tek dera…
Ndotja akustike është një nga kërcënimet më të rënda, por më pak të njohura shëndetësore të kohës sonë. Sipas studimeve të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit, edhe nivelet e moderuara të zhurmës, lloji që na rrethon në çdo mjedis urban, rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, dëmtimit kognitiv, vonesave në zhvillim dhe demencës.
Ka zona në qytetet e mëdha të vendit apo zonat turistike, siç është rasti i zonës së ish-bllokut, në të cilin ndotja akustike mbetet po aq problematike për shkak të muzikës së lartë në lokalet e shumta që frekuentohen kryesisht nga grupmoshat e reja. Oraret e muzikës janë kufizuar dhe pas mesnate është thuajse qetësi. Megjithatë, përpara kësaj ore ka shumë lëvizje dhe shpeshherë nivelet kufi tejkalohen.
Problematikë e mbartur ndër vite ka qenë dhe mbetet muzika në zona turistike.
Sipas ligjit shqiptar, për mjediset e hapura në zona apo qendra të banuara dhe në zonat turistike, muzika lejohet nga ora 12:00 deri në orën 24:00. Brenda orarit të lejuar, personat fizikë e juridikë duhet të respektojnë nivelin kufi të zhurmës, të përcaktuar me akt nënligjor, sipas parashikimeve të ligjit, i cili u miratua në fund të muajit të shkuar.
Por, përpara se të tregojmë ndryshimet e parashikuara në ligj, të biem dakord për disa koncepte. Zhurmë mjedisore është çdo tingull, i padëshiruar apo i dëmshëm, i lëshuar nga veprimtaritë njerëzore, përfshirë zhurmën e lëshuar nga mjetet e transportit, nga trafiku rrugor, hekurudhor, ajror dhe nga sheshet ku zhvillohen veprimtari industriale, etj. Gjenerimi i zhurmave ka efekte negative në shëndetin e njeriut, si dhe në mjedis dhe për këtë duhen marrë masa mbrojtëse për zvogëlimin e nivelit të zhurmave në mjedis nëpërmjet ndërhyrjeve dhe veprimeve, që merren ndaj burimit të zhurmës, si dhe në vendin e ndikimit të saj negativ, duke e sjellë atë në nivelin kufi. Burimet e zhurmave në mjedis mund të jenë të shumta, aktivitetet e shërbimit social që gjenerojnë zhurma nëpërmjet muzikës (bare, restorante, pub-e, disko), si dhe makineritë dhe pajisjet e ndryshme në ambientet e jashtme.
Konsultimi publik
Nga informacionet e mbledhura nga institucionet ku adresohen ankesat e qytetarëve/bizneseve/turistëve rezulton, si më poshtë: Në AKM/ DRM (struktura inspektuese në mjedis) janë regjistruar mbi 50 ankesa shkresore sezonin veror të kaluar, për nivelin e lartë të zhurmës në mjedis, ndërsa referuar informacionit të përcjellë nga Ministria e Brendshme rezulton që ka një numër të lartë ankesash nga qytetarët për ndotjet akustike, kryesisht në zona urbane dhe ato turistike. Ankesa të cilat janë kryesisht të bartura ndër vite.
Një sërë raportesh të hartuara nga institucione apo organizata ndërkombëtare apo edhe kombëtare kanë evidentuar problematikën e administrimit jo të duhur të zhurmës, si më poshtë vijon:
– Referuar progres-raporteve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në 5 vjetët e fundit 2017-2021, për sa i përket çështjes së zhurmës, gjithnjë citohet se Shqipëria duhet të forcojë kapacitetin e saj administrativ për përgatitjen e hartave strategjike të zhurmës dhe planeve të veprimit;
– Rishikimi i performancës së mjedisit (EPR): Shqipëri, rishikimi i tretë (UN, 2018) në rekomandimin 2.5 citohet se: “Qeveria duhet të miratojë standardet e cilësisë dhe të shkarkimeve për ajrin, ujin, tokën dhe zhurmën, duke marrë parasysh standardet dhe udhëzimet e pranuara ndërkombëtarisht”;
– Referuar RGJM 2021, vërehet se kemi tejkalim të normës ditën (55 dB ) në të gjitha qytetet, duke përjashtuar qytetin e Kukësit, i cili është nën normën e lejuar. Niveli më i lartë i zhurmave është vlerësuar në stacionet e Tiranës, ku kemi tejkalim të normës, në masën 15.2%. Gjithashtu, kemi tejkalim të normës natën (45 dB) në të gjitha qytetet, përveç qytetit të Kukësit. Niveli më i lartë është monitoruar në stacionet e Tiranës me një tejkalim në shkallën 17.88%;
– Raporti përfundimtar i KLSH-së, auditim performance “Ndotja akustike”, i vitit 2019, konkludon se masat e marra nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Bashkia Tiranë për menaxhimin e zhurmave mjedisore në vendin tonë nuk kanë qenë efektive. Për më tepër, ka konstatuar se institucionet inspektuese për zhurmën kanë mungesë të aparaturave matëse të zhurmave, e cila bën të pamundur procesin e inspektimit ndaj tejkalimit të normave të lejuara të zhurmave mjedisore;
– Referuar raportit “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona”, 2021, nga Co-plan, citon se si rezultat i matjeve të kryera gjatë viteve 2018-2021 rezulton se të dhënat për ndotjen e zhurmës konfirmojnë se tejkalojnë standardin e lejuar, si gjatë paradites edhe gjatë mbrëmjes. lerësohet se
Si do të bëhet kontrolli dhe sa i kushton shtetit:
Sipas ndryshimeve në ligj, do të kemi një kontroll shumë më të rreptë dhe gjithashtu, fasha orare shumë më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë së shtetit, për sa i përket kontrollit, tashmë me mjete të certifikuara dhe sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këto mjete të reja do të kontrollojnë ndotjen akustike, oraret, por dhe një detyrë të re për bashkitë, njësitë e qeverisjes vendore që me hyrjen në fuqi të këtij ligji kanë për detyrim të përcaktojnë hartën e zhurmave ose hartëzimin e territorit.
Sipas të dhënave, kosto për buxhetin e qeverisjes vendore/bashkitë, të cilat përfshijnë kostot për blerjen e një pajisjeje të certifikuar, arrin vlerën e 800,000 (tetëqind mijë) lekë. Kostoja minimale për 61 bashkitë do të jetë (800,000 x 61 bashki = 48,800,000 lekë), nëse blihet nga një pajisje për secilën bashki;
Ndërsa kostot e vazhdueshme që lidhen me:
a) kostot e akreditimit të pajisjeve të blera, që shkon përafërsisht, në vlerën 200,000 (dyqind mijë) lekë për secilën bashki, pavarësisht, numrit të pajisjeve që do të disponojnë (200×61=12,200);
b) kostot operacionale të monitorimit dhe të vlerësimit të zhurmës, si dhe inspektimet në terren, të cilat nuk mund të përcaktohen aktualisht.
Risi: Ndahen kompetencat
Sipas informacioneve të marra, do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave për t’i dhënë fund njëherë e mirë ‘topit’ që hidhej nga Ministria e Mjedisit, Bashkia, Policia, Ministria e Shëndetësisë. Rolet dhe kontrollet janë të ndara mes tyre. Sipas të dhënave të marra nga Ministria e Turizmit, kontrolli do të bëhet me mjete të certifikuara dhe akredituara, fashat orare për sezonin e verës, për aktivitetet muzikore normale, të përditshme do të jenë nga ora 12.00 e drekës në orën 00.00 të natës në përputhje me hartëzimin e bërë nga bashkia dhe policia e shtetit do të marrë kompetencat për të matur, kontrolluar, monitoruar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma.
Masat ndëshkimore
Një ndër ndryshimet kryesore në ligj është pikërisht ndëshkimi administrativ për ata që nuk respektojnë masën e zhurmës në mjedis. Ligji i miratuar pak para fillimit të sezonit veror premton kontrolle dhe disiplinim, por duhet parë zbatimi i tij përgjatë kësaj vere.
Sipas ligjit:
a. Ushtrimi pa leje mjedisore i veprimtarive që kanë detyrim të pajisen me leje mjedisi dhe që lëshojnë zhurmë mbi nivelin kufi të lejuar, gjobitet nga 300,000 lekë deri në 500,000 lekë;
b. Ushtrimi i veprimtarive që kanë detyrim të pajisen me vërtetim dhe që lëshojnë zhurmë mbi nivelin kufi të lejuar , gjobiten nga 200,000 lekë deri në 400,000 lekë;
c) lëshimi i zhurmës në mjedise të qeta, të shpallura të tilla me akt nënligjor të organeve të qeverisjes qendrore apo vendore, gjobiten nga 10,000 lekë deri në 50,000 lekë;
ç) refuzimi ose moslejimi i grupit të kontrollit për të kryer matjet, gjobiten nga 50,000 lekë deri në 100,000 lekë;
d) fillimi i punës ose i veprimtarisë, pa zbatuar masat e mbrojtjes nga zhurma, që kërkohen në lejen mjedisore apo vërtetimin për zhvillimin e aktivitetit që lëshon zhurmë, gjobitet nga 100,000 lekë deri në 300,000 lekë;
dh) moszbatimi i masave të mbrojtjes nga zhurma, të kërkuara me shkrim nga grupi kontrollit, gjobitet nga 200,000 lekë deri në 300,000 lekë;
e) instalimi dhe vënia në punë e veprimtarive, makinerive dhe impianteve në mjedise të brendshme apo të jashtme, pa zbatuar masa parandaluese e mbrojtëse, zhurma e të cilave kapërcen nivelin kufi, gjobitet nga 50,000 lekë deri në 100,000 lekë.
Ne ishim vjet ne Shengjin dhe muzika ishte aq e larte sa veshtire te flinim ne e jo me femijet. Sado qe merrnim policine ne telefon na thonin qe skemi me cfare ta masim zhurmen. Patrullonin dhe sapo policia largohej muzija ngrihej perseri.
Le pastaj qe pagesat nen dore bejne te tyren. 😏🤨😔