Historikisht, ka patur periudha të ngarkuara për qiellin në varësi të sezonit. Nëse marrim si shembull verën, shumë punonjës të aviacionit pohojnë se është një stinë sfiduese për të fluturuar, për shkak të numrit të shtuar të kërkesave për udhëtim. Sidoqoftë, periudha post-Covid ka shënuar rekord problematikash: mijëra anulime dhe vonesa çdo javë, aeroporte në grevë, punonjës të stresuar nga personeli i shkurtuar etj. Shumë njerëz humbasin jo vetëm pushimet por udhëtime të rëndësishme si dasmat, takime pune, madje edhe funeralet. Frustrimi dhe lotët janë të vërteta, për arsye shumë reale, dhe përballë së gjithës, kontakti i parë i pasagjerëve është me stjuardët…
Por, sa mundet vërtetë stjuardët të ndryshojnë diçka? A kemi ne si pasagjerë të drejtë t’u bertasim e në raste ekstreme, edhe t’u shkelim privatësinë duke i filmuar?
Duke marrë shkas nga një video e kohëve të fundit në Tik Tok, e cila u bë virale pasi një pasagjer filmonte një stjuardesë përgjatë një debati, në këtë shkrim do të përpiqemi të japim informacion rreth detyrimeve dhe të drejtave të stjuardëve. Lexojini me kujdes pasi mund t’ju duhen…
Një pasagjer problematik është ai që nuk i bindet udhëzimeve të sigurisë ose shfaq sjellje kërcënuese ose abuzive. Shpesh, të tillë pasagjerë janë nën ndikimin e alkoolit ose drogës. Por jo në të gjitha rastet. Rregullat që thyen një pasagjer lidhen edhe me etikën: një zë i ngritur, sjellje arrogante apo ofensive me stafin, ngacmime. Fatkeqësisht, incidentet që përfshijnë pasagjerë problematikë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, ashtu si edhe vonesat dhe ndërprerjet që ato shkaktojnë. Në këtë rast, stjuardit do t’i duhet të menaxhojë situatën.
5 të drejtat themelore të stjuardëve:
1. E drejta për të arrestuar në bord. Këtu përfshihen pasagjerët që paraqesin risk për sigurinë pasagjerëve të tjerë dhe ekuipazhit. Stjuardi është para së gjithash një profesioniste e sigurisë. Për të ushtruar këtë të drejtë, stjuardi thjesht i raporton incidentin kapitenit, i cili duhet ta miratojë atë përpara se të ushtrohej e drejta.
2. E drejta për të mbyllur ose për të ripozicionuar materialin e sediljeve tuaja (blindat e dritareve, tavolinat, sediljet, bagazhet e dorës, etj., duke përfshirë lidhjen me rripa në ndenjësen tuaj. Përsëri, kjo është për sigurinë e të gjithëve, përfshirë edhe ju. Shumica e përplasjeve ajrore ndodhin gjatë ngritjes dhe uljes dhe pikërisht gjatë këtyre momenteve kritike ku çdo udhëzim i vetëm i sigurisë duhet të ndiqet rreptësisht. Kjo e drejtë përdoret rrallë vetëm në rast se pasagjeri është shumë kokëfortë për të ndjekur udhëzimet e sigurisë. Nëse pasagjeri më pas sulmon ekuipazhin e kabinës, ai mund të përballet me akuza penale dhe arrestim.
3. Ekuipazhi i kabinës ka të drejtë të refuzojë të ngrejë bagazhin tuaj të dorës në ndarjen e sipërme. Nëse ata ju shohin si një pasagjer të aftë pa kufizime fizike dhe ju i kërkoni që të vendosin bagazhin tuaj në koshin e magazinimit të sipërm, mos u habitni nëse ata refuzojnë sepse nuk është obligim i ekuipazhit të kabinës të vendosë mjetet e dorës së pasagjerit, veçanërisht nëse ata refuzojnë në mënyrë shumë profesionale dhe në përputhje me politikat e linjave ajrore. Megjithatë, ata mund të ofrojnë ndihmë nëse pasagjeri është me aftësi të kufizuara, shtatzënë, i moshuar ose i paaftë për të arritur në ndarjet e sipërme.
4. E drejta e vetëmbrojtjes. Shumë trajnime të linjave ajrore tani përfshijnë vetëmbrojtje bazë. Ekuipazhi i kabinës është gjithashtu linja e parë e mbrojtjes kundër kujtdo që përpiqet të marrë kontrollin e kabinës, siç janë rrëmbyesit. Ata gjithashtu mund ta përdorin këtë të drejtë për t’u mbrojtur nëse një pasagjer i padisiplinuar i sulmon i pari.
5. E drejta për privatësi. Ata nuk janë të detyruar të japin asnjë informacion personal. Është gjithashtu një masë paraprake sigurie dhe kundër rrëmbimit. Nëse ju kapin duke bërë një foto ose video atyre, ata mund të ngrenë akuza për privatësinë e të dhënave kundër jush. Kjo ka ndodhur në disa raste, ku stjuardët kanë ngritur akuza për privatësinë e të dhënave kundër një pasagjeri. Pasagjerët filmojnë stjuardët pa lejen e tyre e më pas postojnë videon në rrjetet sociale. Linjat ajrore tanimë, ndalojnë përdorimin e paautorizuar të videove dhe fotografive të paautorizuara të personelit dhe punonjësve të linjës ajrore.
*këto informacione janë marrë nga Rregullorja Botërore e Fluturimeve (IATA), baza e Etikës Profesionale në Linja Ajrore.
Detyrimet e stjuardëve:
Aviacioni është një industri me ritme të shpejta, në rritje të vazhdueshme dhe gjithmonë në ndryshim. Tani stjuardët janë të trajnuar posaçërisht për sigurinë pasi ky është shqetësimi i tyre kryesor midis përgjegjësive dhe detyrave të tjera si:
- Udhëzimi dhe ndihma për sigurinë dhe rehatinë e pasagjerëve
- Kryerja gjithmonë e kontrollit të sigurisë përpara fluturimit
- Përshëndetja dhe komunikimi me klientët
- Ndihmojnë pasagjerët të gjejnë vendet e tyre
- Përgatisin dhe shërbejnë pije dhe ushqim
- Paraqisin dhe udhëzojnë pasagjerët se si të përdorin pajisjet e urgjencës
- Monitorojnë, menaxhojnë dhe sigurojnë kabinën
- Respektojnë të gjitha rregullat dhe rregulloret e aviacionit
- Ndihmojnë pasagjerët dhe ekuipazhin e kabinës gjatë situatave emergjente
- Ofrojnë ndihmë për pasagjerët me nevoja të veçanta (fëmijë, persona me aftësi të kufizuara, të moshuar)
- Përgatitin dhe dorëzojnë raporte për incidentet e fluturimit
Le të mos harrojmë, stjuardët kryejnë një funksion jetësor në ekuipazh. Ata zbatojnë rregullat e rripit të sigurimit, shuajnë debate mes pasagjerëve, ndihmojnë ata që kanë nevojë, japin ndihmën e parë në raste emergjence, janë të paçmuar në një evakuim dhe qëndrojnë me guxim në bord duke rrezikuar jetën…