A po shndërrohet në potencial turizmi shëndetësor në Shqipëri?

By Dentevim

Ndonëse në Shqipëri nuk mund të flitej për një industri të mirëfilltë të turizmit shëndetësor, hapat e viteve të fundit ishin përkrah progresit dhe vendi i vogël ballkanik po shndërrohej shpejt në një “pikë të nxehtë” për vendet e zhvilluara. Me gjithë profilin e saj të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, pikërisht 5 vitet e fundit nisi të ishte tërheqës për turistët. Fluturimet ndërkombëtare lidhin Aeroportin e Tiranës me pjesën më të madhe të destinacioneve në botë, si dhe artikujt e shumtë në mediat e huaja, që e cilësojnë Shqipërinë si një vend pa rreziqe dhe me bukuri natyrore të jashtëzakonshme, patën ndikimin e tyre në këtë drejtim.

Kirurgjia plastike vijon të pozicionohet mirë në kërkesë, krahasuar me ndërhyrjet e tjera, sepse sipas aktorëve të tregut, emergjenca e një ndërhyrje të tillë nuk është e lartë, gjë që u jep mundësi atyre edhe që të argëtohen si turistë. Vitin e shkuar në Shqipëri, në sezonin e verës, nisën të vinin italianët e parë dhe përpos shërbimeve dentare, kirurgjia estetike vijon të jetë e preferuar.

Oriela Cano, drejtoreshë e Marketingut dhe PR pranë Amerikan dhe Hygeia, tregon se, trajtimet më të zakonshme janë kirurgji kozmetike, kirurgji dentare dhe ortopedike. Ajo shton se, kërkesat për kirurgji kardiovaskulare, operacione laparoskopike dhe trajtime për fertilitetin dhe obezitetin janë në rritje.

Sipas shifrave të INSTAT, vitin e shkuar ka pasur 2392 hyrje të shtetasve të huaj në Shqipëri, të cilët kanë deklaruar si qëllim udhëtimi trajtimin shëndetësor. Nuk ka ende një ndarje të nacionaliteteve të të ardhurve, por aktorët e tregut përmendin se lista kryesohet nga italianët për trajtime dentare, por ka e nacionalitete si britanike, amerikane, francize, etj.

Sakaq, aktorët e tregut pohojnë një numër shumë të lartë të raportuar në klinikat e tyre se sa shifrat zyrtare të INSTAT, si dhe sugjerojnë që të ngrihen struktura të posaçme nga shteti për të monitoruar hyrjet e të huajve për këtë qëllim, pasi ndikon në imazhin e vendit.

Megjithëse nuk ka hapa të rëndësishëm të mbështetjes së qeverisë qendrore për të nxitur udhëtimin mjekësor në Shqipëri (vetëm një plan i mbetur në letër nga Agjencia Kombëtare e Turizmit i nisur në 2016), sektori privat i kujdesit shëndetësor nisi të marrë “masa”.

Para pesë viteve filluan të themelohen agjencitë e para të nxitjes dhe ndërmjetësimit të turizmit shëndetësor në Shqipëri, të cilat patën një mbyllje të detyruar vitin e shkuar. Krahas kësaj, problematike mbeten: informaliteti dhe rritja e çmimeve fiktive për turistët e huaj, imazhi i Shqipërisë tek europianët dhe konkurrenca e fortë e aktorëve rajonalë, të cilët e kanë shtruar shumë më herët këtë rrugë si Kroacia, Bullgaria, Serbia etj. Edhe pandemia pati një ndikim në hezitimin e bizneseve, mbyllja e tyre në disa muaj me radhë uli kërkesën. Por, aktorët e tregut përmendin vitin 2022 si një vit ‘heroik’ dhe me rimëkëmbje të qëndrueshme në këtë fushë.

Të pyetur se çfarë ngjall më tepër kuriozitet tek të huajt që vijnë për shërbime shëndetësore, biznese të sektorit pohojnë se, së pari Tirana me atraksionet e saj brenda dhe jashtë rrethit, ndjekur nga qytete historike si Kruja dhe Berati.

Keni hasur në rrugët e Tiranës të huaj që vizitojnë qytetin dhe ndërkohë kanë në hundën e tyre ose në kokë (procedura e mbjelljes së flokëve) fasha me emra klinikash..?