Kur temperaturat e larta mbështollën kryeqytetin, jam e sigurt që gjithçka menduam në ato ditë ishte një zonë e freskët ku të ndiejmë ajrin të na mbushë mushkëritë. Këto mendime jo rrallë herë u finalizuan me lëvizje fundjavave në zonën juglindore. Dhe teksa Korça apo Pogradeci ‘vuajtën’ po ashtu temperaturat e larta, tjetër histori mund të tregojmë për Voskopojën: pamje e blertë, plot pemë e ajër, ushqime të freskëta.
Zona e Voskopojës në fakt, po sheh një rritje të dukshme të turistëve nga viti në vit dhe kjo lidhet me konsolidimin e gjithë rajonit të Korçës si një destinacion me turizëm gjithëvjetor.
Kjo ka bërë që të ketë një rritje të investimeve për kapacitete akomoduese ku nuk mungojnë as rastet e emigrantëve të rikthyer që kanë hapur banesat e tyre të dikurshme si struktura.
Voskopoja sipas ekspertëve të turizmit ende qëndron larg potencialit të saj real turistik pasi ende nuk njihet e plotë me gjithë paketën që ofron. Kjo sipas tyre ka të bëjë me nxitjen e promovimit sidomos në aspektin rajonal dhe për këtë kërkohet një bashkëpunim më i mirë i të gjitha hallkave institucionale nga pushteti qendror tek ai vendor dhe sipërmarrja.
Sipas të dhënave të fundit të projektit të financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në kuadër të përmirëismit të zonës, ndërhyja që vjen nën emërtimin “Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor nëpërmjet ndërhyrjeve në objektet e trashëgimisë kulturore në Voskopojë” parashikon punime në Manastirin e Shën Prodhomit, Voskopojë, Kisha e Shën Mëhillit, Manastiri i Vithkuqit dhe Kisha e Shën Mërisë.
Kontrata e nënshkruar tashmë mes palëve parashikon përfundimin e punimeve deri në 19 qershor 2025. Programi mundësimi i turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri po zbatohen prej disa kohësh në vend dhe synon rritjen e potencialit turistik të disa rajoneve në vend duke rritur kështu edhe përfitimin ekonomik.
Të dhënat zyrtare tregojnë se themelimi i Voskopojës daton në 1330, sipas arkivave të gjetura në Manastirin e Shën Prodhomit.
“Periudha më e madhe e zhvillimit të Voskopojës ishte në vitet 1760, gjatë së cilës Voskopoja ishte një qendër qytetërimi, akademi dhe biblioteka. Gjatë kësaj kohe janë ndërtuar gjithashtu 25 kisha (me afreske dhe piktura të veçanta). Shtatë prej tyre vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot dhe të tërheqin shumë turistë.