Frekuentimi i një pishine gjatë sezonit veror mund të renditet në një nga aktivitetet e preferuara, sidomos për familjet me fëmijë. Në rastin konkret, sado që fëmijët e mi e pëlqejnë shumë detin, pishina ka një vend të veçantë në zemrën e tyre. Në rast se keni nje shtëpi private me pishinë, është mrekulli. Por, për këdo që vizita në një pishinë do të thotë të frekuentosh një mjedis biznesi rrotull Tiranës (por jo vetëm) kam disa këshilla shumë të rëndësishmë që dua t’ju jap përmes këtij artikulli. Është njësoj si ajo motoja: E provova unë, që të mos e bëni ju!
Më lexoni më tej për çfarë e kam fjalën…
Mjafton një vizitë në një pishinë në një hotel serioz në Kroaci, Mal të Zi, Itali apo Turqi për të kuptuar një detaj shumë interesant që mungon në shumicën dërrmuese të pishinave në vendin tonë: niveli i ph të ujit, niveli i klorit që është hedhur në të, data e fundit e mirëmbajtjes/pastrimit, uji i temperaturës së pishinës.
Kushdo ka vizituar pishinat në vendin tonë e di që, shumica e këtyre të dhënave nuk janë të disponueshme të kontrollohen dhe i vetmi informacion që jepet është thellësia e pishinës dhe mosha e lejuar (që është në fakt një detyrim ligjor).
Një tjetër çështje që duhet hedhur në diskutim është hapësira. Sipas Parametrave Ndërkombëtare të Shëndetit, norma e sipërfaqes së llogaritur në hapësirë në një pishinë duhet të jetë 2-3 metra katrorë për person. Zakonisht ky rregull në Shqipëri nuk zbatohet. Mbipopullimi, në rastin konkret, sjell problematika të mëtejshme që lidhen edhe me nivelin e higjienës. Gjatë stinës së verës, mesatarisht gjatë 24 orëve në shërbimin e Infektivit në kryeqytet, paraqiten deri në 50 pacientë me probleme kryesisht me infeksionin e lëkurës, veshëve dhe syve. Prezenca e ujit me klor mund të shkaktojë skuqje të lëkurës, djegie, kruarje sysh e të lëkurës, si dhe infeksion veshi. Efektet kimike të tyre nuk janë të vogla. Për shkak të aromës së fortë, kloramina ka ndikim të drejtëpërdrejtë në shqetësimet e përmendura më lart.
Krahas këtij shqetësimi, një tjetër problematikë që mbizotëron në ambientet e pishinave është mungesa e life-guard. Nuk është e vërtetë që janë të nevojshëm vetëm në dete, ka disa parametra sigurie që duhen zbatuar edhe në pishina dhe duhet të ketë një kontroll më të detajuar për të evidentuar zbatimin apo jo.
E fundit, po jo për nga rëndësia është ndërgjegjësimi i prindërve për çdo risk të mundëshëm që mund të kanoset. Një shprehje e urtë shqiptare thotë: frika ruan vreshtin! Unë do të doja në fakt të thoja ‘Informacioni parandalon situatat e pakëndshme’. Që në disa raste janë:
- Mungesa e përvojës: Prindërit që nuk kanë pasur shumë përvojë me pishinat në të kaluarën mund të mendojnë se rreziqet janë të pamundura ose të rralla. Në mungesë të njohurive të mjaftueshme, ata mund të nënvlerësojnë aftësinë e fëmijëve të tyre për të shkuar në situata të rrezikshme.
- Besimi në ndërhyrjen e të tjerëve: Disa prindër mund të ndihen të sigurt se ndihma nga personeli i pishinës ose të tjerët rreth do të jetë e mjaftueshme për të parandaluar ndonjë ngjarje të rrezikshme. Ky besim mund t’i shtyjë ata të mos jenë aq të kujdesshëm sa duhet kur ndodhen me fëmijët në pishinë.
- Pengesat e mënyrës së jetesës moderne: Shumë prindër jetojnë në një shoqëri ku jeta është shumë dinamike.. Kjo mund të bëjë që prindërit të jenë të lodhur ose të mërzitur dhe të mos jenë gjithmonë të përqendruar për rreziqet potenciale kur ndodhen me fëmijët në pishinë. Apo të mos kenë vëmendjen e duhur për shkak të shpërqendrimeve prej telefonit.
- Këmbëngulja e fëmijëve: Ndonjëherë, prindërit mund të mendojnë se fëmijët e tyre janë mjaft të pjekur për të marrë vetë vendime të sigurisë në pishinë. Kjo ndjenjë e përjashtimit nga procesi i vendimmarrjes mund të ndikojë në ndërgjegjësimin e ulët për rreziqet.
- Mungesa e edukimit të vazhdueshëm: Edhe pse shumë prindër mund të kenë mësuar mbi sigurinë në pishinë në fillim, mund të humbasin informacionin e nevojshëm për të qëndruar të ndërgjegjshëm për rreziqet pas një kohe të gjatë.
- Besimi te aftësitë e fëmijëve: Disa prindër mund të mendojnë se fëmijët e tyre janë më të aftë për të shmangur rreziqet në pishinë, ndaj nuk i supervizojnë aq kujdesshëm siç duhet.
- Presioni shoqëror: Ndikimi i shoqërisë dhe presioni për të qenë prindër të zgjuar dhe të aftë mund të bëjë që disa prindër të mos pranojnë mangësitë në një aspekt të rëndësishëm si siguria e fëmijëve në pishinë.
Ajo çfarë do të doja të thoja si përmbyllje është që prindërit duhet të kenë në konsideratë një kërkim informacioni të plotë për pishinën që do të vizitojnë, nëse përmbush kushtet e mësipërme të higjienës dhe sigurisë, përpara se të vendosin për ta vizituar. Jo çdo plan i lënë në minutë të fundit është një ‘aventurë’ dhe jo çdo aventurë është eksperiencë e bukur!