Mirë se vini në botën e tranzitit në fluturime, marrëveshja më e mirë sa i përket rezervimit të udhëtimeve. Tranzitet apo ndalesat ju lejojnë të shihni dy qytete me çmimin e njërës, ofertë e cila duket shumë tërheqëse për adhuruesit e udhëtimeve.
Gjithnjë e më shumë linja ajrore po shtojnë programe të tilla, me kosto minimale shtesë por edhe falas, për të nxitur turizmin në qytetet e tyre qendrore, duke ju lejuar të eksploroni një qytet nga disa orë deri në disa ditë.
Ne shqiptarët jemi mësuar ta quajmë tranzit, por çfarë konsiderohen ndalesa fluturimesh (stopovers)?
- Brenda një kontinenti, ndalesat (tranziti) është çdo lidhje fluturimi mes dy shtetesh, në një shtet të tretë, prej katër ose më shumë orësh.
- Në fluturimet ndërkontinentale, një ndalesë (tranzit) është çdo lidhje përpara se të arrini në destinacionin tuaj, për më shumë se 24 orë.
Për shembull, le të themi se po fluturoni nga Tirana për në Malajzi. Ju mund të bëni një ndalesë në Stamboll, Turqi, në rrugën tuaj për në Kuala Lumpur … por Stambolli është i famshëm për arkitekturën, historinë, gatimet, këngët e kërcimet orientale. Dhe mbi të gjitha, është një nga pikat e tranzitit më të përdorura në botë. Pra, pse të mos kaloni disa ditë, duke eksploruar këtë qytet, përpara se të niseni për në destinacionin tuaj të kërkuar?
Por.. (ekziston gjithmonë një ‘por’). Ka disa rregulla që duhet të keni parasysh:
- Shumica e linjave ajrore ju lejojnë të shtoni një ndalesë vetëm në një rezervim vajtje-ardhje – jo në bileta me vetëm një drejtim.
- Shumë linja ajrore i kufizojnë këto ndalesa në shtatë deri në 10 ditë, ndërsa të tjerat janë shumë më bujare.
- Një pjesë e linjave ajrore të faturojnë 50 ose 100 euro shtesë kur shtojnë një ndalesë, ndërsa në të tjera është falas.
Jam i/e interesuar, si mund ta pres një biletë të tillë?
- Gjeni linjën ajrore që ofron një ndalesë në një qytet me interes për ju (dhe fluturon për në destinacionin përfundimtar që dëshironi të vizitoni)
- Kërkoni për një fluturim të lirë vajtje-ardhje në atë linjë ajrore në atë destinacion përfundimtar duke përdorur Google Flights, Skyscanner, Kiwi, eDreams etj.
- Ndërtoni një itinerar për qytetet që interesoheni, psh duke përdorur Google Flights për të shtuar ndalesën tuaj, qoftë në fluturimin tuaj të nisjes apo të kthimit!
Fun fact! Nëse rezervoni një biletë vajtje-ardhje me Turkish Airlines, me të paktën 20 orë qëndrim në Stamboll, mund ta ktheni atë në:
- Një kupon për një natë qëndrimi në një hotel me katër yje të përfshirë, për fluturimet e klasit ekonomik.
- Kupon për 2 netë në një hotel me pesë yje, kur fluturoni në klasin e parë! Po po, e lexuat mirë, programi i ndalimit me këtë linjë përfshin akomodim falas.
Unë u intrigova, ndoshta është koha ta provoj një të tillë! E vetmja eksperiencë e imja me tranzitet e gjata ka qenë në një udhëtim Tiranë-Lisbonë, me tranzit Vienën prej 8orësh, ku munda të vizitoj (falas) qytetin e bukur austriak.
Nëse do i provoni, ndani me ne eksperiencën tuaj 🙂