A është ende e marta dita më e mirë për të rezervuar një fluturim?

Çmimet e fluturimeve janë të ndryshueshme dhe ndikohen nga shumë faktorë. Nuk ka një formulë të caktuar që të garantojë gjithmonë çmimin më të lirë, por a vijon të jetë e marta dita më e lirë për të fluturuar? Zbulojeni me ne...

Courtesy of Unsplash

Zgjedhja e ditës më të mirë për të rezervuar një fluturim varet nga disa faktorë, përfshirë disponueshmërinë, çmimin, orarin dhe preferencat personale. Nuk ka një ditë të caktuar të javës që është gjithmonë më e mirë për të rezervuar një fluturim. Por nëse i referohemi ditës më të lirë për të fluturuar, atëherë na lejoni t’ju themi disa të vërteta.

Çmimet e fluturimeve janë një çështje komplekse dhe ndryshojnë vazhdimisht sipas një sërë faktorësh. Nuk ka një ditë të caktuar të javës që është gjithmonë më e lirë për të rezervuar një fluturim, ndonëse ky koncept është përhapur ndryshe në mesin e udhëtarëve. Megjithatë, ka disa faktorë dhe këshilla që janë të rëndësishme për të marrë parasysh kur kërkoni të gjeni një fluturim me çmim të arsyeshëm.

Së pari, disponueshmëria dhe kërkesa janë dy faktorë kyç që ndikojnë në çmimet e fluturimeve. Kur kërkesa për një destinacion është më e lartë, çmimet kanë tendencë të rriten. Kështu që, nëse udhëtoni në një destinacion të njohur turistik gjatë një periudhe të pikut të sezonit turistik, do të jetë më e vështirë gjetja e një çmimi të ulët.

Së dyti, rezervimi kohë më parë, është një mënyrë e sigurt për të reduktuar shpenzimet. Agjencitë e udhëtimit dhe kompanitë ajrore ofrojnë shpesh zbritje dhe oferta për ata që rezervojnë në mënyrë të parakohshme. Kjo do të thotë që nëse dini paraprakisht datën e udhëtimit tuaj, është e rekomandueshme të rezervoni disa muaj apo javë më parë, për të përfituar nga çmimet më të ulëta.

Së treti, eksplorimi i shumë opsioneve është një këshillë tjetër e rëndësishme. Ka shumë linja ajrore dhe agjenci udhëtimesh që ofrojnë fluturime të ngjashme, por me çmime të ndryshme. Duke kërkuar dhe krahasuar çmime në disa faqe të internetit dhe aplikacione të udhëtimit, mund të gjeni ofertat më të mira.

Të mos harrojmë se një tjetër aspekt që ndikon në çmimet e fluturimeve, është fleksibiliteti juaj në lidhje me datën dhe orarin e udhëtimit. Nëse keni fleksibilitet për të udhëtuar në ditë të ndryshme të javës ose në orare të ndryshme të ditës, mund të gjeni fluturime më të lira.

A gjenden oferta apo ulje?

 Gjetja e ofertave të biletave ajrore nuk është e lehtë, veçanërisht këto ditë kur çmimet janë rritur shumë. Për fat të mirë, ka shumë këshilla se si të gjurmoni një ofertë të volitshme. Shembull për këtë kemi padyshim Google Flights, nëpërmjet të cilit mund të gjurmojmë bileta të lira, sa në avancë mund t’i blini ato dhe si të përdorni mjetin ‘sekret’ të planifikimit të udhëtimit të Kayak. Por në mes të gjithë asaj inteligjence të dobishme, ka edhe disa mite dhe një nga më të përhapurit është se e marta është dita më e mirë për të gjetur një marrëveshje për biletat ajrore. Sigurisht, do të ishte një botë e mrekullueshme, pa stres, nëse do të dinim saktësisht se në cilën ditë mund të sigurohenim se do të merrnim çmimin më të mirë në një fluturim, por a është e vërtetë?

Një shembull i këtij ‘miti’, që shkaktoi konfuzion, doli nga një raport i Expedia Travel Hacks i publikuar në vjeshtën e vitit 2022; ku thuhej se udhëtarët që kanë rezervuar ditën e diel, kanë kursyer mesatarisht deri në 15% për fluturimet ndërkombëtare. Kjo u bazua pjesërisht në të dhënat e mbledhura nga Korporata e Raportimit të Linjave Ajrore (ARC), e cila rakordon transaksionet midis linjave ajrore dhe agjencive të udhëtimit (online ose fizike) sa herë që rezervoni një fluturim.

Ndërsa sipas bazës së të dhënave globale të shitjeve të linjave ajrore të ARC, çmimet mesatare të biletave vajtje-ardhje për fluturimet me nisje nga SHBA, për periudhën janar-gusht 2022 ishin 15% më të lira, nëse një udhëtim fillonte të mërkurën kundrejt të dielës ose të hënës.

Si përcaktohet vërtet çmimi i biletës ajrore


“Tarifat përcaktohen tërësisht nga kërkesa,” – thuhet në raportimet e Skyscanner.

“Nëse fluturimet pritet të jenë me kapacitet të plotë, ose në kohë piku, atëherë çmimet janë më të larta. Nëse kërkesa është më e ulët, kompanitë do të ulin çmimet, në përpjekje për t’i mbajtur avionët plot.”

Sipas të dhënave të disponueshme, algoritmet që përdorin linjat ajrore janë komplekse dhe dinamike; me faktorë që ndikojnë si: itinerari, klasi i fluturimit, distanca apo nëse kompania ajrore është një linjë ajrore me kosto të ulët ose premium. Këto algoritme shpesh llogariten dhe rillogariten minutë pas minuti, dhe përcaktojnë se sa paguan udhëtari për biletën.

Për të përmbyllur ‘pikëpyetjen’ e nisur në këtë shkrim: ekziston një faktor kyç që tejkalon çdo algoritëm dhe është përcaktuesi përfundimtar për çmimin e paguar të biletës. Ai faktor në një treg të lirë, është kërkesa!