Ditët më të lira për të fluturuar përpara festave? Le ti zbulojmë…

winter flight cheapest days
Photo: Getty Images

Nëse nuk i keni prerë ende biletat e fluturimit për festat e nëntorit apo për të shijuar magjinë e Krishtlindjes, këto janë ditët e fundit në të cilat mund të keni ende një shans për të gjetur bileta ekonomike.

Sipas një studimi nga CheapAir.com, fluturimet e këtij viti në periudhën e fundit të nëntorit apo festave të fundvitit, janë mesatarisht 12% më të shtrenjta, krahasuar me vitin 2022.

Megjithatë, sipas tyre, ka ende disa ditë specifike në të cilat çmimet janë të pranueshme.

Nëse jeni duke u përgatitur për festat e nëntorit, duket se data 24 nëntor (ditë e premte), është një prej ditëve me bileta më ekonomike të muajit. Si datë kthimi, e marta e datës 28 nëntor duket më e lira, krahasimisht me të gjitha ditët e tjera të mbetura të muajit.

Në dhjetor, muaj që shquhet për çmime të larta biletash, duket se ditët kur mund të gjeni bileta të leverdisshme, janë mjaft të pakta. Një opsion i mirë, nëse doni të merrni një javë pushimi përpara Krishtlindjeve, duket data 18 Dhjetor, ku fluturimet janë më ekonomike krahasuar me datat e tjera. Ndërkohë, do t’ju këshillonim të evitonit datën 22 Dhjetor, e cila duket si data më e shtrenjtë për të fluturuar.

Të tjera ditë me çmime të mira fluturimi, janë ato pas datës 27 Dhjetor. Sa i përket datës së kthimit, fatmirësisht data 1 dhe 2 Janar qëllon të hënën dhe të martën. Rrjedhimisht çmimet e biletave janë më të ulëta, krahasuar me ditët e tjera.

Nëse doni të ulni sa më shumë koston e biletave, shikoni mundësinë që të prisni bileta me 2 linja të ndryshme, nëse arrini të gjeni çmime të mira. Gjithashtu, mundohuni t’i prisni biletat sa më shpejt, pasi zakonisht çmimet e biletave shtrenjtohen 21, 14, 7 dhe 3 ditë përpara datës së nisjes.