Për ata që i përkulen shijes së tij unike njësoj si unë, ekziston një restorant në Tiranë i cili ka menduar për ne, duke sjell magjinë e tartufit jo vetëm në çdo pjatë por, edhe në disa ëmbëlsira 🙂 Restoranti ndodhet tek Kalaja e Tiranës, një qendër historike e cila vitet e fundit është shndërruar në një hapësirë rekreative. Kjo zonë shërben si një mjedis ku promovohen traditat lokale, artizanët dhe arti i Tiranës. Sigurisht, nuk mund të mungojnë edhe bar-e e restorante të shumta, për të përfaqësuar rutinën tonë moderne që dukshëm ka rënë në sy edhe të turistëve. Por, tek e fundit një kafe apo drekë më shumë nuk i bën keq askujt 🙂
Po pëshkruaj në këtë shkrim eksperiencën time në restorantin Tartuf Shop, si edhe disa nga pjatat kryesore që provuam:
Kuzhina: Italiane, Internacionale
Këshillohet rezervim: PO
Opsione Vegane/Vegjetariane: PO
Sallatë Tartuf Shop (560L): sallata përmbante miks gjethesh, avocado, pomodorini, ananas, djathë grana dhe tartuf të freskët. Gjethet ishin të freskëta dhe shijet në harmoni (përveç tartufit të cilin në sallatë nuk e gjej të përshtatshëm për shijet e mia por, rasti ishte I pritshëm pasi në atë restorant shkohet për të patur tartufin si element të çdo pjate).
Burrata me tartuf (580L): ketu shkrihen dy dashuri në një, kështu që realisht nuk ka nevojë për shumë fjalë. Kremoziteti i burratës (e cila ishte shumë e freskët) ndërthurur me aromën ndjellëse të tartufit, më bënë të isha shumë egoiste në tavolinë.
Ravioli me tartuf (570L): pasta ishte e shtepisë, mbushja me rikota e kërpudha shumë e shijshme, djathi parmigiano dhe tartufi I freskët dukeshin si plotësues të domosdoshëm të asaj pjate.
Risotto karkalec mango (790L): risotto-n e porosis rrallë sepse nëse nuk ka orizin e duhur apo mënyrën e gatimit klasik, unë realisht nuk e ha dot. Këtu guxova dhe jua a them me plot bindjen që ka qenë një ndër risotto-t më të mira që kam ngrënë. Sekreti (në shijen time), përpos teknikes korrekte të gatimit, qëndronte tek ëmbëlsia e mangos që bashkë me tartufin e bardhë të hedhur ekstra në këtë pjatë, krijonin një sinkronizim perfekt.
Spaghetti carbonara (690L): Një tjetër pastë e cila në restorante të ndryshme merr lloj lloj formash (në vend të vezës përdoret pana, në vend të pançetës, përdoren nën-produkte të tjera mishi, pasta të mbi-gatuara, piperi mungon etj etj). Tartuf Shop i sillte me atë kremin e të verdhes së vezës përzier me djathin e fortë (parmigiano në këtë rast) dhe rezultati ishte shumë i mirë. Kisha kohë pa ngrënë një carbonara të vërtetë.
Cheesecake (460L): është që nga ëmbëlsirat e mia të preferuara, e për mua ashtu si edhe për shumë fansa të cheesecake-ut, sekreti qëndron tek tekstura e kremit të djathit (pa lënë mënjanë biskotën apo përbërësit e tjerë). Kremi mund të jetë I plotë e i dendur (siç është rasti I New York Style cheesecake, në të cilin kremi është i gatuar por edhe pse shquhet për përbërje të shkriftë, ai nuk është i preferuari im). Kremi mund të jetë shumë i lehtë dhe me një efekt të fryrë si marengë,
si edhe mund të jetë i pasur, kremoz (si një kustardë e trashë). Këto dy të fundit vijnë në variantin “no-bake cheesecake” dhe versioni i pasur e kremoz është edhe i preferuari im. Për t’iu kthyer cheesecake-t që na serviri “Tartuf restaurant” – kremi kishte një ndërthurje mes variantit të dytë dhe të tretë që ju përmbenda. Biskota kishte aromë tartufi, e në vetvete do të më ishte dukur mjaft interesante nëse do të shkoja vetëm për ngrenë ëmbëlsiren aty por, pasi kisha konsumuar çdo pjatë të porositur me tartuf, cheesecaku-n do e kisha preferuar të thjeshtë.
Shërbimi: kamerieri u përpoq shumë t’i shërbente nevojave tona, sidoqoftë ngarkesa e drekës solli shërbim të ngadaltë, sidomos në porosinë dhe ardhjen e ëmbëlsirave.
Tartuf Shop Tirana
Përmbledhje:
Unë pastat apo risotto-t kam vite që i porosis gjithnjë e më rrallë, por Tartuf Shop më la përshtypje të veçantë, sidomos për këto të fundit. Sidoqoftë, edhe pse personalisht e dashuroj këtë kërpudhë, do të sugjeroja që në menu të shtoheshin opsionet e pjatave pa tartuf, sepse mbipërdorimi nuk ka të njëjtin efekt për shijen. E vetmja gjë që nuk më pëlqeu, ishte ambienti i ngushtë ku përgjithesisht tavolinat qëndronin jashtë, sepse ambjenti i brendshem ishte goxha i vogël. Gjithashtu, për të shkuar në tualet, duhet të dalësh jashte restorantit.
Për tartufin ka një shprehje: “You either love it or hate it”. Ju në cilin ekip bëni pjesë? 🙂