A ju ka rastisur ndonjëherë të vizitoni një hotel të Shqipërisë e të gjendeni përpara faktit se ju mungon uji i pijshëm? Disa prej jush do të thonë: “Jo, sepse ne ujin e blejmë para se të mbërrijmë në hotel!”. Po, çfarë ndodh nëse harroni ta blini? Apo, nëse ai ujë që keni blerë, ju mbaron? Darkoni në një restorant, në një destinacion turistik, për t’u rikthyer në dhomë, upss…pa ujë. Tek e fundit, a nuk supozohet se kur shkojmë për të pushuar, mikpritësit do të duhet të ofrojnë një zgjidhje, të paktën për nevojat bazike jetësore?
Personalisht u ndodha në dhomën e një hoteli në Jug të Shqipërisë në maj 2021 e, kur u zgjova natën… më ndodhi ajo që s’duhet të ndodhte – u gjenda përpara një minibari totalisht të zbrazët, ndërkohë që nuk di ç’do të kisha dhënë për atë pikën e munguar të ujit.
Nisur nga ky episod, në faqen @emas_light u vendos një sfidë, sfida e minibarit, ku përfshirja e ndjekësve mori përmasa të konsiderueshme. Kushdo që pushonte në një dhomë hoteli, do të duhet t’i bënte një foto/video minibarit, me hashtag #minibarchallenge. Nisma kishte për qëllim ndërgjegjësimin e hoteleve për të na mundësuar ujë të pijshëm, pa qenë nevoja të zgjohemi të lebetitur në mes të ndonjë fshati e të presim në agoni mëngjesin.
Nëse hoteli ofronte ujë (qoftë ky edhe kundrejt pagesës, ose jo), sfida konsiderohej e fituar. Nëse gjendeshim përballë një minibari të mbushur me produktet tipike që ofron një hotel (zakonisht pije alkolike dhe snacks), atëherë ekstra bonus për hotelin…
Edhe pse unë jam një kliente dhe flas e shkruaj me zërin e një klienti, në disa raste sfida e minibarit është interpretuar ndryshe.
Siç e shkruaj shpesh, nisur nga mosekspozimi i mjaftueshëm, ka klientë që mendojnë se produktet e minibarit do të duhet të ofrohen falas e ka të tjerë që janë çuditur kur kanë parë çmimet e kripura që hoteli ofron për konsumin e produkteve të minibarit.
Kjo është në fakt arsyeja pse në hotele të ndryshme në botë minibari po konsiderohet pak “old fashioned” e po ridimensionohet, pas praktikës së kaq shumë viteve. Të ardhurat nga minibari kanë filluar të jenë të pakonsiderueshme, ndërsa frigoriferët-minibar zënë hapësirë e konsumojnë energji. Nga ana tjetër, stafit i duhet kohë për të bërë inventarin si edhe për të rimbushur minibarin pas çdo frekuentimi të dhomës.
Pra, le të themi se, arsyeja pse shumë hotele nuk shqetësohen ta kenë funksional minibarin është se, më shumë sesa përfitojnë e konsiderojnë barrë, ku përpos kostove, duhet të ruhen edhe nga klientët dinakë. Ka plot hotele që për të shmangur abuzimet përdorin metoda digjitale, ku me anë të rrezeve infra-red detektohet çdo lëvizje (e, ndonjëherë, fatura i ngarkohet klientit gabimisht, thjesht se ka lëvizur një shishe nga vendi). Sigurisht, në përvojën botërore këto etapa janë kaluar përgjatë 50 viteve, ndërsa në Shqipëri, koncepti i minibarit është maturuar pa u ezauruar ende.
Praktikisht, ka shumë hotele që minibarin e “harrojnë” në një qoshe të dhomës, disa herë edhe pa e vendosur fare në prizë. Pavarësisht një minibari plot apo bosh, një gjë është e rëndësishme të mbahet parasysh nga ofruesit e shërbimit në hoteleri-turizëm: Nevoja për të patur ujë të pijshëm në dhomë, do të duhet të mbulohet me çdo kosto!
Ndaj të dashura biznese: Në rast se nuk keni një zgjidhje alternative më të mirë, kujdesuni të fitoni sfidën… ☺