/

Çfarë nuk mund të humbisni nga një fundjavë në Shkodër

Nuk mund të shkruash për Shkodrën, një prej qyteteve Shqiptare me një traditë të lashtë, e të mos cekësh historinë. Ndaj duhet rikujtuar se qytetet nuk duhet t'i njohim vetëm nga restorantet e hotelet, por duhet të vlerësojmë historinë që përcjellin e të rendim pas tërheqjeve turistike.

Ky qytet 2000 vjet i vjetër i ka fillesat në Kalanë antike të Rozafës, një kala e cila vijon të jetë dominuese edhe pas shumë transformimeve që ka patur nga momentet historike.
Legjenda e Rozafës nis me tre vëllezër të cilët kalonin shumë sfida për të ndërtuar kalanë gjatë gjithë ditës, muret e së cilës shembeshin natën. U mendua se Zotët kërkonin të flijohej një jetë njerëzore, në mënyrë që muret të rezistonin. U vendos të flijohej njëra prej grave të vëllezërve, pikërisht ajo grua, e cila të nesërmen do t’u sillte burrave ushqimin në kala. Në mbrëmje, vëllezërit lidhën “Besa-Besë”, që asnjeri prej tyre nuk do t’i tregonte gruas së vet në mbrëmje se çfarë ata kishin vendosur për të nesërmen. Por besa nuk u mbajt prej dy prej vëllezërve. Ata i treguan bashkëshorteve se nëse do të sillnin ushqimin, ato do të muroseshin… Vetëm vëllai i vogël e mbajti fjalën, dhe të nesërmen ai pa me sytë plot trishtim, se si e shoqja po afrohej per të sjellë ushqimin. Kur mësoi për fatin e saj, gruaja që kishte një foshnje djalë në shtëpi, kërkoi që syrin, gjirin, dorën dhe këmbën e djathtë t’ia linin jashtë, në mënyrë që ta shihte, ushqente, përkëdhelte, e t’i përkundte djepin të voglit të saj.

Por, çfarë është bërë sot me Shkodrën? Ku shkoi shkëlqimi që qyteti kishte në shekullin e nëntëmbëdhjetë? Ku humbi rregullsia dhe lavdia e së shkuarës? Shkodra sot ka monumente të rralla, edhe pse gjysëm të rrënuara… Dhe akoma më i dhimbshëm është fakti që qyteti i biçikletave nuk ka korsi biçikletash.
Çfarë duhet vizituar në Shkodër?
Pedonalja ose Piaca, si i thonë Shkodranët, ka qenë dikur një zonë e famshme tregtare, kryesisht me parfumeri. Pedonalja ka ndërtesa të një stili oriental, në të cilën është përpjekur të ruhet uniformiteti i dikurshëm paçka se ka pësuar disa ndryshime që e dëmtojnë estetikisht.

Pedonalja Shkodër

Muzeu i Kujtesës: ku janë arrestuar, pushkatuar e madje torturuar disa nga personalitet më të rëndësishme të vendit.

 

Muzeu i Kujtesës

Muzeu Marubi – një nga thesarët më të rëndësishëm jo vetëm të vendit, por edhe te Ballkanit.

Muzeu Marubi

Sahati i Inglizit – godina e vetme viktoriane në Ballkan, i takon një lordi Britanik që bleu një shtëpi, sepse donte të peshkonte në këtë qytet dhe ndërtoi një sahat ngjitur me të. Vetë sahati (mekanizmi i orës), u transferua më pas në Gjirokastër, në shërbim të festivaleve folklorike.

Sahati i Idrizit

Xhamia e Plumbit, monument religjioz i Shkodrës, është një nga xhamitë më të bukura që kemi, e cila me pamjen qetësuese që ofron, është jo vetëm një objekt kulti, por edhe trashëgimi kulturore. Sot s’ka mbetur më asgjë, fshatarët filluan ta vjedhin plumbin.

Xhamia e Plumbit

Katedralja Katolike e Shkodrës: me një nga sallat më të bukura në Shqipëri ndërtuar në 1858. Lexoni historinë sesi Perandoria Osmane lejoi ndërtimin e kësaj kishe, sepse është shumë interesante.

 

Shtëpia e Oso Kukës: një shtëpi muze për të kuptuar qytetarinë Shkodrane.

 

Shtepia e Oso Kukes

Restorante në Shkodër:
Në këtë pjesë do të doja t’ju jepja një ide të përgjithshme mbi restorantet në Shkodër (duke shpresuar t’i bëni ndonjë vizitë këtë fundjavë), me një fokus të veçantë të eksperiencës sime të fundit tek Tradita Gegë & Toskë.

Tradita Gegë & Toskë

Një shtëpi e vjetër e qytetit ndërtuar me gurët e lumit të Kirit, është ajo e Filip Shirokës (një atdhetar e poet), e kthyer aktualisht në një nga bujtinat më të njohura në qytet sepse ka ruajtur identitetin dhe arkitekturën e ngjashme me atë të fillim shekullit XIX. Shtëpia u kthye fillimisht në restorant, e më pas u ndërtuan disa dhoma në godinën qendrore, si edhe rreth e rrotull saj, për t’i dhënë Traditës pamjen e një kompleksi interesant, ku unë vlerësova veçanërisht që mbrëmjeve luhet muzikë qytetare Shkodrane (kemi këngët tona kaq të bukura, nuk kemi pse të vendosim të huaja). Vendi ka edhe shumë objekte dhe artifakte me një oborr që përfaqëson një bahçe të Shkodrës.
E shijova historinë dhe përkushtimin e të zotëve, së bashku me atmosferën gazmore, paçka se si çdo vend që merr famë (kishte edhe shumë të huaj), shërbimi ishte tejet i ngadaltë dhe i shpenguar, ndërsa pjatat m’u dukën të mbivlerësuara. Fatura është për katër të rritur dhe tre fëmijë.

Po listoj restorantet që kanë marrë më shumë sugjerime në komunitetin tonë:
– Elitë (ky është restoranti me më shumë review pozitive në faqe)
– Atelier Boutique
– Kompleksi Dea (e rekomandojnë shumë për peizazhin buzë liqenit)
– Pasta e Vino
– Iliria (ndodhet në Zus, rekomandohet gjtihashtu për peizazhin)
– Cliche (për ëmbëlsirë)


Pranë Shkodrës:
– Personalisht drekova tek B7 Zogaj në Shirokë, kishte vlerë më shumë eksperienca se sa vetë ushqimi
– Zum Rappen (Shirokë)
– Pelikani Kaçurrel (do të kisha shkuar veç për emrin)
– Kështjella Xhafa
– Cavaliero (Malësi e Madhe, ka stil të mishit me bollëk, por e rekomandojnë për gjelberimin)
– Hysaj Agroturizëm
– Restorant Zalli i Kirit

B7 Zogaj Shirokë

Për rekomandime të tjera, ju ftoj të vizitoni forumin tonë me shumë shkëmbime idesh 🙂