Që në hyrje, dukshëm vihej re pamja fantastike e një pjese të qytetit, e cila pasqyrohej tek një pishinë e jashtme. Në ambientin e brendshëm arredimi më ngjau pak oriental megjithatë, dukej se ende nuk kishte marrë formën përfundimtare në tërësi.
Në të tilla investime, thjesht të qenit në atë ambient është një përvojë në vetvete, por ajo që pyesnim veten me miqtë teksa darkonim është se çfarë do të ofroj Arka për ta bërë përvojën tonë unike që ne të ri-kthehemi?
Në vende të sapo promovuara kërkohet patjetër rezervim paraprak, por një këshillë për të gjithë djemtë e vajzat që përgjigjen në telefon është kjo: Klientët nuk janë miqtë tuaj, duhet t’u drejtoheni me “JU” dhe jo “kur e do ti, për sot? Në çfarë ore e do?” E pasi bëhen të gjitha këto pyetje kërkohet edhe info me sms duke zhvlerësuar bisedën telefonike.
Ajo çfarë unë nuhata ishte pak mungesë organizimi. Në momentin e porosisë, për çudinë time, menutë ishin në format A4 (po, jeni në fillimet tuaja por mendoj se keni patur mjaftueshëm kohë apo investim kapital për të mos neglizhuar elementë kaq të rëndësishëm).
Të shkojmë tek përmbajtja e menusë: sushi, takos, foie gras…kush ështs identiteti i restorantit? Këtë analizë e bëj zakonisht me vende që dua ti shoh të kenë sukses ndaj uroj realisht të vlejnë.
Tani për miqtë e mi: sushit ishin te stilit klasik por shumë të freskëta; çmimet mesatare (fatura në foto per 4 persona); foie gras kishte permbajtje të mirë por ishte gatuar më shumë seç duhet dhe shoqërimi me majonezë apo sallatë nuk ishte ajo që prisja në këtë pjatë. Takot në fakt ngjanin më shumë me tortija, ëmbëlsirat shumë të mira.
Kur të kenë ndryshuar menu-në e kuzhina të jetë konform prestigjit të vendit, më thoni që të rikthehem.