///

Crown Restaurant Tiranë / Review

Nëse nuk njeh “Living Room” je shumë i vogël për këtë faqe. The Crown është një investim relativisht i ri në qendër të Tiranës, pikërisht në godinën e ish-Living Room. Godina është sigurisht shumë më e vjetër se kaq (daton që në fillimet e viteve 1900), por për brezin tonë kjo godinë ka lidhje shpirtërore me “Living Room”.

Ka kohë që përpiqem të njoh e të vlerësoj profesionistët e vërtetë, e në vend të emrit të një restoranti kam filluar të jem më shumë e vëmendshme ndaj emrit të chef-it specifik që gatuan në të.

Jam njohur me Crown pikërisht sepse mësova qe Adi Sudi ishte bërë pjesë e tij. Kemi qënë disa herë për të darkuar tek Crown paçka se nuk kam dashur të postoj në kohë reale, ndaj sot dua të rikthej ndjesinë që më ofron ky vend…

Tek Crown kam vlerësuar çdo element: shërbimin, ushqimin, hotelin, vendndodhjen, mëngjesin… Le të marrim çdo element me rradhë:

Shërbimi: duke nisur që nga mikëpritja e vajzave në katin e përdheshëm e duke vazhduar me kamerieret, shërbimi është karizmatik, ushtrohet një sharm bindës në nivele të larta profesionalizmi.

 

Në restorant përdoret shërbim “a la russe”, një menyrë që përfshin shërbimin sekuencial të ushqimit në tryezë, pasi porcionet janë ndarë më parë nga kamerieri për tu vendosur në pjatë.

Çdo pjatë shpjegohet në detaj në lidhje me përbërjen e saj. Në fakt, është i vetmi restorant (në dijeninë time), në të cilin kamerierët “pastrojnë thërrimet” – një shërbim hasur në restorante me yje Michelin.

Restoranti: seç ka një ndiesi të veçantë momenti kur del nga ashensori e sheh atë ambient aq ftues me një design modern dhe vibrant. Mbase është buzëqeshja që të pret në hyrje, mbase është kubeja totalisht prej xhami që i jep shumë dritë ambientit, mbase është kuzhina e hapur që të zënë sytë teksa ngjit shkallët për tek tarraca e kuruar me një pamje të ëmbël të qendrës së Tiranës; cilido qoftë shkaku, ka një faktor WOW ai restorant.

Sa i takon pjatave, duke filluar që nga ‘amuse bouche’, asgjë nuk është e zakonshme. Nuk është e lehtë që një “foodie” të impresionohet, por tartari i mishit të viçit i cili përpunohet me erëzat e të verdhën e vezës në momentin e servirjes, ‘Foie Gras’ në teksturën dhe balancën e duhur të salcave shoqëruese, rizoto me kungull dimri ku ajo bajamja e pjekur krijon një sinkronizim perfekt shijesh, për të vazhduar me butësinë e mëndafshtë të mishit e për të përfunduar tek ëmbëlsirat artizanale, më kanë ofruar një ekperiencë mbresëlënëse. 

 

Info shtesë: Përpara se të marrin porosinë, kamerierët na pyesin gjithmonë për ndonjë alergji të mundshme.

Crown Restaurant

Çfarë do e dërgonte këtë restorant në “next level” është absolutisht një informacion online mbi menunë. Kini parasysh që një restorant ‘fine dining’ shpesh etiketohet si i paprekshëm për një pjesë të shoqërisë, ndaj info në website, në trip advisor apo në çdo platformë tjetër elektronike do të ndihmonte si klientët ashtu edhe vetë menaxhimin.