Courtesy of Ulliri Tirane
Restorant Ulliri në qendër të Tiranës është relativisht i ri dhe ka nje dekor modern edhe pse atmosfera e brendshme më ngjau pak e ftohtë dhe e errët (mbase sepse darkuam tek pjesa e nëndheshme e restorantit).
Kuzhina: Mesdhetare, Aziatike, Meksikane, Franceze
Opsione Vegane/Vegjetariane: Të limituara
Orjentim rreth çmimit: €€€ ~4,000/pp
Vendndodhja: 10/10 pozicionuar në qendër me
opsion parkimin nëntokësor tek “Sheshi Skënderbej”
Shërbimi: 8/10 – i përkujdesur por në nivele mesatare njohurishë, nuk na përshkruan produktet, nuk na pyeten për ndonjë alergji.
Në pritje qëndronte një vajzë shumë e sjellshme që kujdesej për rezervimet dhe që na drejtoi në tavolinë.
Sa i takon ushqimit, menuja ishte më shumë se e pasur: ofronte mish të vjetëruar, tacos, sushi, pasta, pizza, foie gras 🙂
Unë i kuptoj restorantet që ofrojnë gatime për të gjitha preferencat në këtë treg shumë konkurrues siç është Tirana dhe në fakt kërkon shumë mund të kesh përpikmëri me një gamë kaq të gjërë, por personalisht edhe pse e shoh tejet praktike si zgjidhje, në majën e vlerësimit tim qëndrojnë gjithmonë
restorante me një menu të limituar e të përzgjedhur, në mënyrë që të ndiej prekjen e chefit tek çdo pjatë dhe ta kujtoj vendin për atë që nuk do ta gjej askund tjetër.
Për shkak të opsioneve të shumta, porositë tona u ndanë në skuadra (6 persona).
Unë u përfshiva në skuadrën e mishit ku porositëm:
- Kërpudha sautè (600L): të skuqura shumë mirë, të buta, kafe dhe jo të qullëta
- Sallatë burrata (900L), e freskët, kremoze dhe shijonte shumë shoqëruar me rukola e brezaola.
- Palcë kocke (900L): këtu do të kisha dashur kombinim me përbërës me aromë të fortë umami, pra përbërës të mprehtë për të zbehur shijen e pasur yndyrore të palcës.
- Biftek Striploin (4,400L) I butë dhe i realizuar shumë mirë ‘medium rare’.
Më vjen mirë që ka restorante që me një punë serioze, krijojnë një rrjet dhe përhapen.
Më shumë se sa një kuzhine ‘fine dining’ do e cilësoja ‘contemporary casual’ dhe e sugjeroj kryesisht për grupe miqsh apo kolegësh meqë jemi edhe në prag festash 🙂
Ulliri Restaurant Tirana