//

Bedouin Beach Gjiri i Lalëzit / Review

Në zonën e gjirit të Lalëzit ka jo pak restorante por veçanërisht kompleksi Valamar ka vite që frekuentohet nga ne familjarët për rregullsinë dhe qetësinë që ofron. Në atë kompleks ndodhet edhe restoranti Bedouin, i cili karakterizohet nga një ambient relaksues për të cilin po ju jap më shumë detaje në këtë shkrim.

Për nga vetë emri (i cili i referohet kulturës tradicionale nomade arabe), në kontekstin e një restoranti, ky vend shfaq elementë që evokojnë një kamp beduin me tenda, ndenjëse të uleta, tavanë prej kashte e fenerë. Mbi gjithçka, me shijon fasada totalisht me xham që përçon dritë si edhe rregullsia e plazhit përreth ku fëmijët luajnë të qetë sepse nuk kanë ku të shkojnë.

Ushqimi: Bedouin ka gatime deti, është përpjekur që për zonën të sjellë koncept jo standard (si psh. ka patur sushi të cilat nuk e di përse këtë vit nuk i shërbejnë më).
Sigurisht, nuk pres të kem cilësinë më të mirë sushit në Gjir të Lalëzit, por realizoheshin mesatarisht mirë dhe na shijonin.
Restoranti ofton taco, brumi i të cilave ka nevojë për përmirësim sepse ngjason më shumë me patatina, sallatat e pastat janë të këndshme, ëmbëlsirat nuk janë sektori më i fortë i restorantit, sidoqoftë në tërësi kuzhinës i vlerësoj përpjekjen.

Tacos @Bedouin

Shërbimi: sikundër kam shumë kohë që e frekuentoj, restorantin e kam parë në ditë të mira e në ditë të vështira. Jashtë sezonit shërbimi është i përkujdesur ndërsa në ngarkesë (kam qëlluar në fundjavë Qershori por jo në pikun e sezonit), fillojnë problematikat tipike të restoranteve buzë detit.

Fatura për 4 të rritur dhe 4 fëmijë

Përmbledhje: Bedouin mbetet ndër restorantet e mia të preferuara të asaj zone, ka patur disa periudha në dimër që e kam gjetur të mbyllyr dhe i sugjeroj menaxhimit të bëjnë lajmërime në platformat zyrtare për operimin e tyre. Do të rikthehem, me shpresen që ky shkrim të jetë i vlefshëm edhe përgjatë muajve të verës 😊