Nga romanca e rrugëve Pariziane dhe sharmi i qyteteve bregdetare të Normandisë, e deri te prestigji i muzeumeve të shumta dhe sofistikimi i Rivierës Franceze, joshja ndaj Francës është e pamohueshme. Ndaj, nuk ka asnjë çudi që Franca është në rrugën e duhur për t’u bërë shteti më i vizituar në planet deri në vitin 2025, ku në vend do të mbërrijnë 93.7 milionë turistë çdo vit – sipas të dhënave të përditësuara nga GlobalData.
Pas pandemisë, Franca zbriti nga “froni” për t’i lënë vendin Spanjës, e cila në vitin 2021 tejkaloi fqinjin e saj në numër turistësh. Në ditët e sotme, Spanja është lider në tërheqjen e vizitorëve të huaj, duke kryesuar për dy vite radhazi.
“Të dy vendet kanë shumë për t’u ofruar vizitorëve, me kulturën, kuzhinën dhe atmosferën e tyre unike. Vendet kanë gjithashtu sipërfaqe relativisht të mëdha, me një peizazh të larmishëm dhe secili vend ka vijën e tij bregdetare unike”- shkruan analistja e udhëtimeve dhe turizmit në GlobalData, Hannah Free.
“Franca si destinacion ofron diçka për të gjithë – histori, qytet, det, male, plazhe, gastronomi, vend verërash”, tha Gail Boisclair nga Perfectly Paris. “Ky vend ka gjithçka!”
Turistët preferojnë qytetet franceze për shkak të numrit të madh të atraksioneve, kuzhinës së shijshme, aktiviteteve të vazhdueshme dhe sistemit të mirëmenduar të transportit. Udhëtimi në çdo pjesë të Francës është shumë i lehtë falë ndërlidhjes së përshtatshme me trena të shpejtësisë së lartë.
Ky lajm nuk është një surprizë, pasi shteti francez po punon vazhdimisht me programe mbështetëse për këtë sektor, me qëllim që Franca të jetë lider në turizmin global.
Po ju, a e keni vizituar Francën? Nëse po, do të donit të riktheheshit sërisht?
Burimi: www.cntraveler.com , përshtatur nga editorët e Ema’s Light