Tartuf Shop / Review

Shkrim i muajit janar 2021

Kuzhina: italiane, internacionale.
Këshillohet rezervim: PO
Opsione Vegane/Vegjetariane: PO

Sallatë Tartuf Shop (560L): sallata përmbante miks gjethesh, avocado, pomodorini, ananas, grana dhe tartuf të freskët. Sallata ishte e freskët dhe shijet në harmoni (përveç tartufit të cilin në sallatë nuk e gjej të përshtatshëm për shijet e mia, por rasti ishte i pritshëm pasi në atë restorant shkohet për të patur tartufin si element të çdo pjate).

Burrata me tartuf (580L): këtu shkrihen dy dashuri në një, kështu që realisht nuk ka nevojë për shumë fjalë. Kremoziteti i burratës (e cila ishte shumë e freskët) ndërthurur me aromën ndjellëse të tartufit më bënë të isha shumë egoiste në tavolinë.

Ravioli me tartuf (570L): pasta ishte e shtëpisë, mbushja rikota e kërpudha shumë e shijshme, parmigiano e tartufi i freskët dukeshin si plotësues të domosdoshëm të asaj pjate.

Risotto karkalec mango (790L): risotton e porosis rrallë sepse nëse nuk ka orizin e duhur apo mënyrën e gatimit klasik, unë realisht nuk e ha dot. Këtu guxova dhe jua them me plot bindjen që ka qenë një ndër risottot më të mira që kam ngrënë. Sekreti (të paktën për mua), përveç teknikës korrekte të gatimit, ishte ëmbëlsia e mangos që bashkë me tartufin e bardhë të hedhur extra në këtë pjatë, krijonin një sinkronizim perfekt.

Spagetti carbonara (690L): Një tjetër pastë e cila në restorante të ndryshme merr lloj-lloj formash (në vend të vezës përdoret pana, në vend të pançetës përdoren nënprodukte të tjera mishi, pasta të mbigatuara, piperi mungon etj etj). Tartuf Shop i sillte me atë kremin e të verdhës së vezës me djathin e fortë (parmigiano në këtë rast); kisha kohë pa ngrënë një carbonara të vërtetë.

Cheesecake (460L): version “no-bake” me tartuf. Kremi i djathit kishte teksturë të pasur si kustardë. Biskota kishte aromë tartufi, në vetvete do të më ishte dukur shumë interesante nëse do të shkoja vetëm për të ngrënë ëmbëlsirën aty, por pasi kisha konsumuar çdo pjatë me tartuf, këtë e doja të thjeshtë.

Për tartufin ka një shprehje: “You either love it or hate it” (ose e dashuron totalisht, ose e urren)… Ju në çfarë ekipi jeni?