Përgjatë fundjavës që lamë pas, Melia resort ka patur inagurimin zyrtar në Gjirin e Lalëzit, në kompleksin San Pietro. Resorti vjen si një bashkëpunim i grupit investitor “Concord Investment” dhe grupit hotelier “Melia”. Por, përpos fotove e video-ve të shumta promovuese në rrjete sociale, pasuan edhe shkrimet e portaleve jo shumë empatike, me tituj si: “Melia masakron klientët, ushqim i mykyr, hoteli zhul”, e të tjerë të ngjashëm.
Tek Ema’s Light, gjenden reflektime të pavarura rreth bizneseve në Shqipëri, ndaj sipas një pyetësori që u bë në faqen tonë të Instagramit, do të ndajmë me ju përshtypjet e vërteta të klientëve (jemi përpjekur të shmangim komentet që janë dukshëm reklamë apo anti-reklamë).
Reflektim: Personalisht unë Ema, investime si Melia i quaj vlerë për turizmin vendas, (pavarësisht se në momentin e duhur, do të ndaj eksperiencën time duke rreshtuar çdo gjë që mendoj se ka vend për përmirësim).
Sikundër Melia nuk është koaliduar ende në tërësi, do të më duhet ta vizitoj sërisht përgjatë sezonit, për të krijuar një përshtypje të saktë.
Sidoqoftë, mendoj se rrjete të mëdha hotelesh internacionale, sjellin një eksperiencë të bazuar mbi standarde dhe protokolle. Ndryshe nga një pronar vendas i cili ka punuar diku jashtë dhe ofron një shërbim sipas perceptimit të tij vetjak, këto rrjete funksionojnë mbi bazë të një eksperience botërore shumë vjeçare dhe e dinë mirë që duhet të ketë një hierarki të stafit, duhet të ketë x kosha për x hapësirë, duhet të ketë ‘kids club’ me kujdestarë, duhet të ketë x tualete të jashtme, x dushe apo dhoma ndërrimi, aktivitete dëfryese e shumë shërbime gjithë përfshirëse.
Ne udhëtim-dashësit, jemi mjaftueshëm vlerësues për të kuptuar se të bësh biznes në vendin tonë, të përball me vështirësi shumë dimensionale, e një ndër to është edhe gjetja e stafit të kualifikuar në një zonë me fare pak eksperiencë (të mirëfilltë) turistike, siç është Gjiri i Lalëzit.
Për të gjithë ne, ka shumë rëndësi mendësia: ajo për të cilën ankohemi apo çka na bën reagues, është shumë më tepër arroganca në ofrimin e shërbimeve, sesa mungesa e eksperiencës kur shohim që stafi përpiqet.
Ne vlerësojmë shumë më tepër një strukturë të vogël që na përcjell ndjesi pozitive, sesa investime luksoze me mermer e shandanë, e sakaq mungon uji i ngrohtë sepse menaxherët (që e marrin klientelën të mirëqënë), janë shumë krenarë për t’u kujdesur për mirëmbajtjen. Ajo për të cilën ne si klientë zakonisht vihemi në diskutime me ofruesit e shërbimeve, nuk ka të bëjë me gjëra të parealizueshme, por me elementë që rregullohen lehtësisht me pak vëmendje siç është: pasja e një aksesori në dush për të vendosur shampot e për të mos i lënë në tokë, një ndërhyrje në kuzhinë për të ndihmuar të vegjëlit tanë, apo dy shishe ujë plastike në dhomë që i kushtojnë rreth 30-40L një hoteli me 4-5 yje.
Ndaj, për t’u rikthyer tek Melia, investimi në zonën e Gjirit të Lalëzit i jep vendit tjetër kuptim: shtohen fronte pune, rritet ekspozimi dhe qasja ndaj turizmit, shtohet eksperienca etj.
Por, e thënë hapur: se sa të përfshirë do të jenë partnerët vendas në menaxhim, e se sa do t’a ruajë Melia standardin dhe emrin e mirë të rrjetit, kjo do të mbetet për t’u parë në shkrimin e dedikuar të Ema’s Light 🙂
Faleminderit për informacionin e ri, se nuk e kam vizituar akoma.🙏😍
Presim pershtypjet 🙂