/

Pagus Restaurant Tirana / Review

Nuk ka dyshim se kuzhina Italiane ka marrë zemrën e shumë vendeve në botë por, vecanërisht ne fqinjët Shqiptarë kemi një lidhje të vecantë me të. Shumë restorante tek ne ofrojnë gatime Italiane por, jo të gjithë arrijnë të sjellin pjata autentike. A përcjell Pagus në Tiranë shijen e vërtetë të kuzhinës Italiane?

Pagus Tirana
@Pagus Tirana

Kur po shkruaja rreth kënaqësisë së të shijuarit një ‘Pinsa Romana’ në një zonë shumë të frekuentuar në Tiranë, shumë prej jush nisur nga termi, më kujtuat restorantin Pagus. Ky restorant që i përngjason një ‘trattorie’ për nga ambienti, ka një stil jo formal, gatime Italiane, pasta të shtëpisë e shërbim të shkujdesur.

Beef Filet @Pagus

Personalisht kam vite që e frekuentoj Pagus e pikërisht tani që bëj këtë shkrim, kuriozohem të di se cili vallë është chef-i që gatuan pas asaj kuzhine të hapur e cila shpesh argëton fëmijët e mi me flakën e gatimit. Në dijeninë time (më korrigjoni nëse gaboj), restoranti Pagus në Tiranë është pjesë e një zinxhiri me qendër në Itali.

Pros:

  • Vendndodhja në një zonë shumë të mirë
  • Atmosferë e shpenguar, pa qenë nevoja të pregatitesh paraprakish për të darkuar
  • Produktet më janë dukur shumë cilësore dhe ka përpjekje për të ofruar receta autentike
  • Larmishmëria e menusë e cila i përshtatet vakteve familjare të moshave e interesave të ndryshme

Cons: 

  • Parkim i limituar
  • Shërbim inkonsistent – si një kliente e vjetër e kam sprovuar personelin në rezervime të ndryshme. Ka patur raste ku angazhimi ka qenë i lartë, ashtu siç ka patur raste ku një tavolinë ngjitur me të huaj ka marrë të gjithë vëmendjen e kamerierëve tanë, gjë që ka sjellë vonësa. Gjithashtu, nuk vlerësoj faktin që serviset ndërrohen vec kur vjen mishi. E kam pak të veshtirë të kaloj nga sallata tek arancinit e më pas tek pasta, me ekzaktësisht të njëjtën pjatë apo pirun.
  • Atmosferë pak e zhurmshme dhe ambient disi i ngushtë në momentet që restoranti është i mbushur me klientë.

Pagus në Tiranë njihet si një ‘steakhouse’, por në fakt edhe pse restoranti i kushton një rëndësi të veçantë mishit, një ‘steakhouse’ ka një atmosferë më të sofistikuar dhe një ambient më të rafinuar me qëllim ofrimin e një eksperience ekskluzive ku klienti mund edhe të përzgjedhë një në mënyrë të personalizuar prerjen e mishit, madhësinë e tij dhe stilin e gatimit. Ndaj restoranti i ngjason më shumë një ‘trattorie’ jo vetëm për nga ambienti por edhe për nga menu-ja që ofron.

Cilat janë pjatat që unë shijoj më shumë tek Pagus?

Pinsa Romana (300L): ka me të drejtë reputacion shumë të mirë. Kjo pjatë është e ngjashme me picën por bëhet me një përzierje miellrash të ndryshëm, duke i dhënë brumit një strukturë më të lehtë e krokante se pica e zakonshme dhe Pagus e realizon në mënyrë shumë të shijshme.

Arancini (390L): këto toptha orizi Siçilianë (portokaj të vegjël), e kanë marrë emrin nga forma dhe ngjyra që marrin pas skuqjes. Pagus i gatuan me oriz, djathë mozzarella dhe bizele por i shton një shije pikate dhe rezultati që përftohet me teksturën e jashtme krokante të bën t’i porosisësh sa herë rikthehesh.

Filetto all' Occhio di Bue

Në lidhje me mishin, përgjatë viteve të para t’ju them të drejtën kam patur rezervat e mia. Përgjithësisht nuk gjeja diçka përtej të zakonshmes, mbase sepse ka patur një tendencë mbigatimi të mishit. Pra, nëse e kërkonim ‘rare’ na vinte ‘medium’ e nëse e kërkonim ‘medium rare’ na vinte i mbigatuar. Sidoqoftë, vitet e fundit me futjen në menu edhe të mishrave të vjetëruar, gjërat janë përmirësuar.

Kam shijuar shumë një fileto “all occhio di bue” (2,290L), me një mish tejet të butë (e kuptoni vetë që të kem në pjatë njëherazi mish të butë dhe vezë, do të thotë shumë për palatën time). Do i kisha vendosur notë maksimale nëse s’do të ishte tepruar me kripën kokërr madhe dhe majdanozi për shijet e mia nuk ish i përshtatshëm për atë pjatë.
Pastat e shtëpisë janë të këndshme dhe më pëlqen shërbimi në ato tiganët e bakrit.

Pagus është një opsion I sigurtë dhe ka treguar qëndrueshmëri ndër vite në produkte cilësore apo në tipologjinë që përqas. Unë do jua rekomandoja për mbledhje të shpenguar me familjarë e miq. Nuk do të ishte ndër top rekomandimet e mia për një darkë romantike si edhe nuk është ambienti më i pershtatshëm për fëmijë të vegjël. Çfarë unë do të sugjeroja për të përmbyllyr këtë shkrim, do të ishte tejkalimi i “comfort zone” që duket të ketë kapluar menaxhimin sepse përshtatja me qasjet e reja apo kërkesat e shtuara të klientëve, nuk duhen lënë pas dore.

Këtu do të veçoja: ofrimin e opsioneve vegane dhe pa gluten, shtjellimin e menu-së për të përcaktuar produkte që krijojne alergji, menu të skanuar, ekspozim në rrjetet sociale (sepse ndoshta është faji im por restorantin nuk e gjeja gjëkundi në Instagram), posedimi i karrigeve të postashme për fëmijë të vegjël, një menu online që ndihmon përpara vizitës për ata që nuk dinë çfarë të presin si edhe kameriere që pavarësisht të qenurit politikisht korrekt, mund të tregojnë më shumë përkujdesje.