The Washington Post ka renditur 9 vendet që duhet të vizitoni këtë vit, nëse po kërkoni pushime të qeta, pa turma dhe peizazhe e brigje që të lënë pa fjalë. Në vend të Mykonos, vizitoni Shqipërinë, sugjeron Natalie B. Compton në artikullin e saj. Greqia renditet si një destinacion tejet i kërkuar për udhëtarët amerikanë këtë verë, shkruan gazetarja, dhe ministri grek i turizmit Vassilis Kikilias parashikon 10 deri në 20 për qind më shumë vizitorë në vend këtë vit në krahasim me vitin e kaluar. Ishulli grek Mykonos ishte destinacioni kryesor ndërkombëtar për turistët amerikanë dhe një alternativë ideale për ta, shkruan Compton, do të ishte Shqipëria.
“Si një alternativë, provoni fqinjin verior të Greqisë, Shqipërinë, me ujë kristal të pastër dhe çmime të përballueshme. Përgjatë Rivierës Shqiptare, do të gjeni plazhe mesdhetare dhe në brendësi, malet janë idilike për ecje, çiklizëm dhe qytete antike”, shkruan ajo në artikullin e saj.
Ekspertët e industrisë parashikojnë që vera e vitit 2023 të jetë më e ngarkuara në aeroporte ndër dekada. Në këtë artikull sugjerohen disa alternativa për të gjithë turistët që kërkojnë disa pushime të qeta, pa shumë rrëmujë apo turma.
“Vizitoni Buenos Aires në vend të Parisit, Montreal në vend të Nju Jorkut, Laughlin në vend të Las Vegasit, Shqipërinë në vend të Mykonos, Costa Rica në vend të Cancún, Bison Range në vend të Yellowstone, Torino dhe Sardenja në vend të Romës dhe Amalfi, Oslo në vend të Londrës dhe St. Augustine ose Hudson Valley në vend të Orlandos” – shkruan Compton.
Ky shkrim bëri jehonë në media, duke e cilësuar Shqipërinë si një “oaz” i fshehur që duhet të eksplorohet.
Përgjatë rivierës së saj magjepsëse, Shqipëria ka plazhe mesdhetare me ujëra të pastër kristal, të cilat rivalizojnë destinacionet e famshme bregdetare. Në këtë vend mund të përjetoni një përvojë autentike, do të njiheni me historinë dhe një trashëgimi që transmetohet brez pas brezi.
Mikpritja shqiptare është një tjetër pikë e fortë. Shqiptarët shquhen për bujarinë e tyre të ngrohtë, të gatshëm për të ndarë kulturën dhe traditat e tyre me vizitorët. Kuzhina shqiptare është një ndërthurje me nuanca mesdhetare dhe ballkanike.
Pra, lëreni Shqipërinë t’ju befasojë dhe t’ju mahnisë me bukurinë dhe mikpritjen e saj.
Burimi: The Washington Post, përpunim dhe përshtatje nga editorët e Ema’s Light.